Mazllum Baraliu ngrit paralele mes rastit Pacolli dhe Thaçi

Juristi dhe profesori Mazllum Baraliu është i ftuar në Zona B të Klan Kosovës. Baraliu ka folur për zgjedhjen e Hashim Thaçit si president duke thënë se duhet të shikohen shumë fakte lidhur me seancën ku ky i fundit është zgjedhur.
“Rasti i largimit grupor përveç disa individëve, tri ditë para mbajtjes së asaj seancës duhet të bëhej ftesë, e opozita ka thënë që nuk i kanë marr ftesat”.
“Ftesat iu dërgohen një nga një deputetëve, jo përmes sms-ve, email-ve, postës elektronike, komunikimi i drejtëpërdrejtë është ai primar ndonëse nuk përjashtohet as kjo formë e komunikimit”.
Sipas Baraliut, duhet të shihet edhe çështja e caktimit të anëtarëve të Komisionit ku ishte i caktuar nga opozita anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Deda.
“Çështja e caktimit për anëtar të komisionit nga opozita ku ishte Ilir Deda në komision, pastaj mënyra si ai është tërhequr, pastaj si është nominuar prapë, ai ishte i deleguar atje si anëtar i opozitës”,
Ai ka thënë se për këtë çështje, Gjykata Kushtetuese do të jetë në sprovë duke shtuar rasti i Pacollit dhe Thaçit janë të ngjashëm.
“Në mes të normës juridike që thotë 80 deputetë të pranishëm e ata kanë qenë, por Gjykata Kushtetuese në rastin Pacolli thotë 120 deputetë duhet të jenë të paraqitur”.
“Kushtetuesja duhet ta mendoj mirë që të mos marrin vendime të kundërta në një situatë të njëjtë juridike”.
“Ata që janë aty edhe Gjykata Kushtetuese në rastin Pacolli ka thënë që janë të obliguar për 120 e jo më 80”.
“Gjykata ka thënë se edhe presidentja edhe qytetarët duhet të shpresojnë e të jenë të lumtur që presidenti të jetë 5 vjet”.
Sipas tij, duhet pasur kujdes se çfarë precedenti po krijohet.
“Është mirë të reflektojnë të dy palët derisa njëra pretendon me çdo kusht të ketë zgjedhje edhe për shkak të shkeljes së Kushtetutës nga dy marrëveshje, në anën tjetër kemi një indiferencë gati të padurueshme që thonë se në asnjë mënyrë se zgjedhje do të kemi në 2018”.
Ai në fund ka thënë se me dialog duhet të zgjidhen të gjitha problemet dhe të zhbllokohet kjo gjendje institucionale.
“Nuk e kemi reflektimin e asnjërës palë e po çuditem si nuk po reflektojnë sidomos pozita që e ka përgjegjësinë”.