MASHT “zhvendos” përgjegjësinë

Tekstet e historisë kanë filluar të dalin në debat publik. Gjatë muajit prill janë mbajtur debatet e para për tekstet e historisë. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) ka paralajmëruar se në debate po marrin pjesë studiues të lëndës së historisë, doktorë të shkencave, mësimdhënës nga shkollat fillore dhe të mesme, pjesëmarrës nga shoqëria civile, anëtarë të komisionit që janë duke dhënë kontributin e tyre lidhur me gjuhën e përdorur, shprehjet, metodologjinë në tekstet shkollore.
Përfaqësues të lartë të MASHT-it kanë bërë të ditur se sugjerimet se çfarë duhet të korrigjohet në këto tekste po evidentohen nga MASHT-i, në zyrat e të cilit dikaster janë duke u pritur palët e interesit (po mbahen debatet).
Ndonëse përfaqësues të Ministrisë konsiderojnë se debati për tekstet e historisë është pritur mirë dhe do të inkuadrohet edhe gjatë muajit maj një numër i madh i ekspertëve, të tjerë mendojnë se kjo po bëhet vetëm sa për të marrë një “po” për raportin e përpiluar nga komisioni i ministrisë për ndryshimin e teksteve, pasi nuk besojnë se kjo ministri do të inkuadrojë sugjerimet e të tjerëve në këto tekste.
Zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa, ka thënë për “Zërin” se debatet sipas planit-agjendës së punës do të zhvillohen në disa faza, që do të zgjasin deri në mes të qershorit, kohë kjo kur, ai thekson se do të mblidhen rekomandimet e dhëna nga studiues, mësimdhënës, autorë të teksteve, shtëpi botuese dhe do t’i dorëzohen njësisë kompetente të MASHT-it, Divizionit për plan-programe, bashkë me raportin e komisionit për të vazhduar punën e finalizimit të ndryshimit të gjuhës së përdorur bazuar në ligj. Mustafa ka vlerësuar se deri tash kanë marrë mendime dhe sugjerime nga studiues të lëmenjve të veçantë si dhe mësimdhënës për tekstet shkollore dhe jo vetëm të historisë.
“Do të kemi debate në ditët e ardhshme edhe me njohës dhe mësimdhënës të fushës së albanologjisë, gjeografisë, letërsisë dhe pasi të përfundojnë këto debate do të bëhet harmonizimi i rekomandimeve që do të dalin nga debati dhe nga komisioni, ku më pas do të organizohen debate me autorë të teksteve shkollore dhe shtëpitë botuese, me të cilët do të debatohet dhe do të merren mendime edhe nga ta”.
Ai ka thënë se rekomandimet e autorëve të teksteve dhe shtëpive botuese pastaj do të dalin në debat publik dhe si të tilla bashkë me raportin e komisionit do t’i dorëzohen divizionit të plan-programeve. Sipas tij, nuk mund të mohohet fakti se në tekstet e historisë mund të ketë pasur lëshime si pasaktësi shkencore , apo sa i përket çështjes së metodologjisë. Ai ka thënë se beson se janë duke punuar në diçka të përbashkët të gjitha palët dhe se vendimi përfundimtar do të vijë shumë natyrshëm, kah mesi i qershorit, siç është shprehur ai “do të mbizotërojë arsyeja”.
Por, ka mohuar se do të vendoset diçka në mënyrë arbitrare. Sipas tij është duke u punuar konform me rekomandimet e Komisionit Evropian që gjuha e urrejtjes të trajtohet ashtu sikurse rekomandohet dhe ka ndodhur dhe me vendet tjera të BE-së. “Ne kemi premtuar se këto tekste të historisë do të jenë konform Komisionit Evropian. Nuk do të ketë gjuhë të urrejtjes. Lidhur me këtë është folur edhe për përvojat e tyre në këtë fushë në raport me Greqinë, Shqipërinë dhe Bullgarinë…”, ka qenë përgjigja që Mustafa ka deklaruar se i është dhënë nga MASHT-i qeverisë turke.
Por, Jonuz Salihaj , ekspert i arsimit thotë se dëshiron të besojë se debatet po organizohen për të pasur një rezultat të arsyeshëm shkencor-historik. Megjithëkëtë, fazën e debateve, ai e quan false, pasi sipas tij kjo bëhet vetëm sa për të arritur një konsensus të rrejshëm. Bazuar në praktikat e mëparshme, që ai përmend sidomos rastin e kurrikulit të ri, ku sipas tij, ndonëse u dhanë sugjerime për ndryshime ato nuk u morën parasysh dhe si të tilla nuk u inkuadruan në ligj. Prandaj, ai shpreh drojën se po përsëritet e njëjta ngjarje. Salihaj konsideron se debati është i mirëseardhur nëse mbahet në qasje të ekspertëve dhe merren parasysh mendimet e thella shkencore, e jo politike, por me argumente të ndryshme. Tash, në debate, ai vlerëson se po kërkohet një “po” për atë raport që ka hartuar MASHT-i me ndryshime. “Unë po besoj se MASHT-i dëshiron të veprojë në qarqe të ngushta siç ka bërë gjithmonë”, tha Salihaj për gazetën.
Një takim turko-kosovar për tekstet e historisë është mbajtur, në Prishtinë, më 31 mars. Delegacioni i Ministrisë së Arsimit të Turqisë është informuar lidhur me punën e bërë për ndryshimin në tekstet e historisë. Përgjigja e palës kosovare ka qenë se në këto tekste ndryshime do të ketë vetëm konform rekomandimeve të Komisionit Evropian për eliminimin e gjuhës së urrejtjes. Kërkesa e Komisionit Evropian nga viti 2004, për të gjitha vendet e rajonit përfshinë që gjuha e urrejtjes në libra të historisë të zbutet. Çdo ndërhyrje tjetër, gjatë vizitës në Kosovë nga pala turke, është mohuar nga udhëheqësit e MASHT-it.(zeri)