UBT

Masakruesi i Lucernit

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Viktor (Mark) Berisha nga fshati Nec i komunës së Gjakovës është autori i krimit të rëndë, që ka ndodhur të mërkurën në mëngjes në Menznau të Lucernit.

Ky 42 vjeçar, sipas policisë zvicerane, ka vrarë dy persona dhe ka plagosur shtatë të tjerë në fabrikën për përpunimin e drurit “Kronospan” në këtë qytetet. Por, disa media kanë raportuar se numri i të vrarëve ka shkuar në katër persona.

Në fund i vdekur ka mbetur edhe autori i kësaj masakre, shqiptari nga Gjakova.

Të afërt të Viktorit kanë treguar për Gazetën Express se ai është mbytur nga punëtorët e pranishëm në përpjekje për të shpëtuar nga plumbat e tij, mirëpo mediat zvicerane nuk përjashtojnë mundësinë që ai ta ketë vrarë vetën.

“Si ka hyrë në orën 9 të mëngjesit, ka nxjerrë revolen dhe ka filluar të shtie në njerëz. Ishte tmerr”, ka thënë një punëtor i fabrikës.

Viktor Berisha ka qenë i lirë paraditen e së mërkurës, por ai ka shkuar në ambientet e fabrikës ku punonte më qëllimin e qartë për ta kryer këtë akt të tmerrshëm.

Në kantinën e punëtorëve ai ka shtënë mbi kolegët.

Një nga viktimat është edhe Cristina N.

Sipas medieve zvicerane, Cristina ishte fqinje e Viktorit.

“Disa fqinjë thonë se ka pasur probleme familjare kohëve të fundit. Në mesin e të vrarëve është një femër, Cristina N. Ajo ka qenë edhe fqinje e Viktorit. Nuk dihet nëse atë e ka vrarë me qëllim apo rastësisht”, ka thënë një burim për Gazetën Blick.

Viktor Berisha ka punuar në këtë fabrikë tash e dhjetë vjet. Fabrika kohët e fundit kishte probleme financiare dhe duket se ka pasur ndërmend ta reduktojë numrin e punëtorëve. Mediat helvetike përmendin këtë fakt si një prej arsyeve të mundshme që e kanë shtyrë autorin ta bëjë këtë akt, pasi që mendohej se edhe ai do ta humbiste punën. Por, nuk përjashtohen problemet familjare dhe ato me kolegë të punës.

Sido që të jetë, Viktor Berisha është përshkruar si njeri i qetë nga drejtuesit e fabrikës.

“Ai ka qenë me ne për më shumë se dhjetë vjet, një njeri i qetë, përndryshe nuk ka qenë i përfshirë më herët në asnjë incident”, tha CEO i “Kronospan”, Mauro Capozzo.

Të tillë e njohin edhe në fshatin e lindjes, Nec të Gjakovës.

Fundamenti

Gazeta Express ishte të mërkurën në mbrëmje në shtëpinë e autorit të masakrës së Lucernit.

Në shtëpinë e tij në këtë fshat jeton nëna dhe babai.

Në orët e vona të së mërkurës, kur edhe kishin kuptuar lajmin për krimin e Viktorit, miq e të afërm kishin mësyrë shtëpinë e Mark Berishës për ta ngushëlluar.

Me dhjetëra burra hynin e dilnin nga shtëpia dykatëshe e kësaj familjeje, e shumica nga ta qendrorin me minuta të tërë në telefona mobilë duke u përpjekur të kuptonin ndonjë lajm nga qyteti i Lucernit.

“Po lutemi të mos ketë viktima të tjerë. Deri tash sa jemi të informuar janë të vdekur pesë persona e disa të plagosur”, thotë njëri nga burrat e shumtë që është mik i familjes Berisha.

“Siç keni dëgjuar edhe ju kem dëgjuar edhe ne. Jemi të shokuar me lajmin. Viktori ka qenë djalë i urtë dhe nuk ka pasur ndonjë krizë ose ndryshim kohëve të fundit”, ka thënë ky burrë rreth të pesëdhjetave.

Viktor Berisha tash e sa kohë jeton me gruan dhe fëmijët e tij në Lucern të Zvicrës.

Bashkë me të në këtë shtet kanë jetuar edhe të gjithë vëllezërit e tij, kurse në Nec të Gjakovës jetojnë vetëm prindërit.

“Jemi të habitur nga gjithë kjo që ka ndodh. Nuk po dimë as ne saktë se cka ka mundur të jetë. Çdo kohë po presim informata të reja”, thonë një mik tjetër i familjes.

Lajmi për Masakrën e Lucernit ka bërë jehonë në mediat gjermofolëse, por edhe ato ndërkombëtare.

Askund nuk është përmendur kombësia e autorit, pasi që ai kishte nënshtetësi zvicerane. Shtetas zviceranë ishin edhe viktimat e tij.

Në mesin e të vrarëve është edhe Beno Studen, i njohur në sportin e mundjes (pelihvan).

Ai ishte kampion në vitin 2012.

Viktor Berisha ishte i martuar dhe kishte tre fëmijë: dy vajza dhe një djalë.