Fundamenti

Masakrat në shkolla

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Nga Lavdim Hamidi – Thikat e armët e zjarrit ua zënë vendin e librave e fletoreve në çanta. Shpeshherë këtë arsenal armësh e fusin në funksion edhe për qërim hesapesh mes vete dhe për pasojë janë shpeshtuar rastet e rrahjeve dhe vrasjeve të nxënësve nëpër shkollat kosovare.

Për më pak se një muaj, dy fëmijë kanë mbetur të vdekur në objektet shkollore, e shumë të tjerë janë lënduar.
Nëse çdo shoqëri po evoluon në aspektin edukativo-arsimor, në shoqërinë kosovare po ndodh e kundërta. Forca, dhuna, e jo dija, është shndërruar në mjetin më legal për të arritur sukses në çdo sferë të jetës.

Këtë shembull të mbrapsht fëmijët kosovarë po e kopjojnë nga shumë liderë institucionalë, e te fëmijët e këtyre të fundit, të cilët me ndihmën e “muskujve” kanë arritur aty ku janë. Në majat e pushtetit.

Duke qenë fëmijë të pushtetarëve, ata shkojnë në shkollë të armatosur, ose të shoqëruar nga truprojat qeveritare, të cilët kujdesen për sigurinë e tyre. Derisa fëmijët e politikanëve janë të sigurt, askush nuk merret seriozisht me sigurinë e fëmijëve tjerë, ndonëse fenomeni i rritjes së dhunës është evidente në shkolla.

Vetëm numri i incidenteve të raportuara në shkolla në pesë vitet e fundit kalon shifrën prej 2000, ndërsa institucionet kompetente nuk ndërmarrin masa për të hartuar strategji konkrete për ta parandaluar këtë fenomen në rritje nga viti në vit.

Fundamenti

Në asnjë shkollë nuk ka polic, i cili kujdeset për sigurinë e fëmijëve, e mos të flasim për angazhimin e psikologëve. Çdo institucion shkollor evropian ka të angazhuar psikologë, të cilët merren me çdo shqetësim të fëmijëve dhe rrallëherë ndodh që fëmijët të vriten për një fjalë goje ose për shkak të hasmërisë së prindërve.

Ndërsa në Kosovë fëmijët vriten brenda objekteve shkollore dhe askush nuk jep përgjegjësi thua se nuk bëhet fjalë për jetë njerëzish. Pas rastit të vrasjes së një fëmije në oborrin e një shkolle në Prishtinë, apo brenda objektit shkollor në Mitrovicë, është dashur të shkojnë në përgjegjësi jo vetëm drejtorët e shkollave përkatëse, por edhe ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi dhe ai i Arsimit, Ramë Buja.

Ky i fundit është mjaftuar vetëm me dërgimin e një komunikate për media, ku e ka dënuar rastin dhe i ka ngushëlluar familjarët, mirëpo nuk e ka parë të arsyeshme t’i vizitojë shkollat ku kanë ndodhur krimet, për ta dhënë mesazhin se do të merren shumë më seriozisht me këtë fenomen shqetësues.

Nëse institucionet kosovare vazhdojnë të mos merren seriozisht me parandalimin e fenomenit të rritjes së dhunës në shkolla, atëherë vrasjet e nxënësve do të jenë lajme të zakonshme.

Nuk do të jetë larg mendsh se mund të ndodhin edhe masakra të njëjta siç ndodhi vite më parë në Connecticut të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku një i ri me probleme psikike hyri i armatosur në shkollë dhe vrau 20 nxënës dhe gjashtë mësuese. Pastaj, do të jetë shumë vonë për të ndërmarrë masa e për t’i diskutuar pasojat.