FIDANISHTJA

Marrëzia e Vuçiqit

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Nga Milaim Shefkiu – Ish-ambasadori amerikan dhe “gjigandi” i bisedimeve në Ballkan, Richard Holbrooke, pas disa herë negociatash me ish-liderin serb Sllobodan Millosheviq, kishte deklaruar, se “sa herë që flisnin për paqe me Millosheviqin, mendja atij i shkonte te lufta”.

Ai që kishte njohur me rrënjë diplomacinë serbe, thoshte se gjithmonë në Beograd flitej ndryshe dhe mendohej ndryshe.

Tani, 16 vjet pas luftës shtohet pyetja: sa ka ndryshuar politika në Beograd karshi fqinjëve, apo kanë ndryshuar vetëm veprimet politike?

Pas bisedimeve të fundit që u zhvilluan në Bruksel ndërmjet dy kryeministrave, Isa Mustafës dhe Aleksandër Vuçiqit, u vërtetua se Serbia mbetet e njëtrajtshme dhe e palëkundshme në mendjen kundër shqiptarëve.

Beogradi nuk është i gatshëm të nënshkruajë marrëveshje, që legjitimojnë shtetësinë e Kosovës, ose që lehtësojnë jetën e shqiptarëve në Kosovë. Edhe pse të hënën në Bruksel u nënshkrua një aneks-marrëveshje për lëvizjen e lirë, ajo do të jetë vështirë e zbatueshme, ose thonë troç e pazbatueshme, sidomos kur bëhet fjalë për hyrjen në Serbi me targat RKS. Këto targa që legjitimojnë shtetësinë e Kosovës, do të kontestohen më vonë nga autoritetet serbe, sikurse Marrëveshja për Diplomat Universitare, e cila u zbatua vetëm 6 muaj dhe u “harrua”.

Kjo është praktika e diplomacisë serbe.

Respekton vetëm marrëveshje që çojnë ujë në mullirin e tyre. Ndërsa në momentin kur konsideron të panevojshme për serbët, i injoron gradualisht dhe nuk fund i anashkalon plotësisht. Pra, kur është konsideruar se Marrëveshja për Diplomat shkon në dobi të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, automatikisht e ka konsideruar jorelevante, duke e zhvendosur nga aspekti politik në atë akademik.

Njësoj është edhe me marrëveshjet tjera.

Eco Higjiena

Ndryshe, të gjithë kanë pritur se në takimin e 23 qershorit, do të gjendet një solucion për prefiksin e Kosovës, për energjetikën, por edhe për Asociacionin e Komunave Serbe. Mirëpo asnjëra nuk u arrit, sepse dy të parat, legjitimojnë Kosovën si Republikë e Pavarur.

Nuk është vetëm kundërshtimi për prefiksin e për energjetikën në takimin e fundit.

Është deklarata e marrë që dha kryeministri Vuçiq për mediat serbe, duke vërtetuar atë që e ka thënë 16 vjet më parë ish-ambasadori Holbruk.

“Unë nuk kam asnjë të drejtë të pranoj, as nuk mundem, as nuk dua, e nuk ka gjë në këtë rruzull tokësor që do të më detyrojë t’ua japë shqiptarëve Ujmanin (Gazivodën)”, ka thënë Vuçiq.

Imagjinojeni, kryeministri i Serbisë që shkon në bisedime për fqinjësi të mirë, Ujmanin e konsideron liqen të vetin, e që shtrihet 80 për qind në territorin e Kosovës. Ndërsa edhe më kontroverse ishte fjalia tjetër: “Siç na kanë marrë ‘Trepçën’ dhe Brezovicën dhe çdo gjë tjetër, dëshirojnë që me bekimin tonë të na marrin edhe Ujmanin dhe rrjetin e shpërndarjes së rrymës”, thotë ai.

Tani pas kësaj deklarate nuk e di çka pritet në bisedimet “me nder me thanë” historike, ndërmjet dy popujve me bagazhin më të madh të urrejtjes në Ballkan.

Vuçiq, sikurse ata adoleshentët që shohin ëndrra gjithë ditën, ai po e konsideron Ujmanin pronë të Serbisë, për të cilën thotë se kurrë nuk ua jep shqiptarëve.

Kjo deklaratë simbolikisht, ka një prapavijë tjetër. Ai tregon hapur, se edhe strukturat ilegale në veri janë të dirigjuara nga Beogradi dhe jorastësisht ai territor kontrollohet nga grupet kriminale dhe ekstremistët serbë. E nëse pala kosovare bie në grackën e kësaj politike antifqinjësore, dhe pranon themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe pa i zgjidhur çështjet tjera, energjetikën, prefiksin dhe shpërbërjen e strukturave paralele serbe në veri, atëherë kjo do të ishte “vënia e lakut vetvetes”.