Marrëveshja invalidore e Ohrit
Nga Milaim Shefkiu – Definicioni “marrëveshje” për ata që nuk e dinë, është “Pajtim mendimesh ose pranimi i një qëndrimi të caktuar që arrihet ndërmjet dy a më shumë palëve”. Ndërsa për të garantuar marrëveshjen, duhet të ketë ndërmjetësues ose siç thotë populli dorëzani, që hyn ndërmjet palëve dhe i obligon ata që ta mbajnë fjalën që e kanë dhënë.
Natyrisht, dorëzani duhet të jetë krah i fortë, që i shkon llafi e nami, e jo ndonjë palaço, që s’e pyesin as “familjarët e vet”. Pra kështu do të duhet të jetë, praktikisht dhe teorikisht. Mirëpo, dikush, ose thënë ndryshe, i forti gjithmonë e ka luajtur bishtin.
Dje janë bërë 12 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, e cila i dha fund konfliktit të armatosur të vitit 2001 në Maqedoni. E cilësuar si historike, sepse i dha fund luftës së përgjakshme ndërmjet ish-Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe forcave sllavo-maqedonase, Marrëveshja e Ohrit ka mbetur në margjina, si marrëveshje që nuk u zbatua kurrë.
E garantuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Marrëveshja e Ohrit fillimisht u duk shume ambicioze, edhe pse në substancë nuk i përmbushi kërkesat e shqiptarëve për më shumë të drejta në shtetin e Maqedonisë. Shqiptarët të cilët ishin në avantazh në frontin e luftës, pranuan lojën me hilen e ndërkombëtarëve, që lufta të ndalet me qëllim që t’i jepet rast paqes.
Shqiptarët pranuan që zyrtarisht gjuha shqipe të flitet me përqindje, vetëm aty ku janë më shumë se 20 për qind shqiptarë, që simbolet kombëtare të përdoren në komunat ku shqiptarët përbejnë shumicën, edhe pse shqiponja do të jetë një 3-4 herë më e vogël se sa dielli maqedonas etj., etj. Pra, pala shqiptare pranoi një varg shkeljesh të të drejtave të tyre, vetëm që të dëshmohen se janë paqësor ose “të lig”.
Në këtë “lojë pizevengësh” u përfshinë edhe dorëzanët ndërkombëtarë, Xhejms Perdju dhe Fransoa Leotar, të cilët në start të vrapimit, nuk u treguan arbitra objektivë.
Ku ka në Evropë gjuha të flitet në bazë të përqindjes së popullsisë. Kjo mund të ndodhë në komunat e veçanta ku komuniteti përbën 0,2 për qind të popullsisë së përgjithshme të një shteti, por jo në një vend ku 30 për qind ose më shumë e trungut demografik të një shteti. Kjo ishte marrëveshje diskriminuese, sikurse që doli demagogjik zhvillimi ekonomik dhe punësimi i shqiptarëve në shtetin e Maqedonisë të dominuar nga sllavët.
Është e qartë se Marrëveshja e Ohrit në masë të madhe nuk është zbatuar dhe këtë (thënë me ironi) e dinë edhe “jashtëtokësorët”. Punësimi, zhvillimi ekonomik, zhvillimi kulturor e arsimor, nuk është në stadin e duhur. U tha para disa ditësh se shkollat shqipe janë larg cilësisë nga ato maqedonase, ndërsa nuk u potencua fakti se rënia e cilësisë po ndodh edhe për shkak të kushteve më të këqija që shqiptarët kanë nëpër shkolla në krahasim me maqedonasit.
Nuk ka nevojë që këtu të bëhet hulumtim. Mjafton vetëm një vizitë në Shkup, për t’i parë dallimin e një qyteti që i ndanë një lum: Vardari. Në njërën anë e vëren një qytet perëndimor, ky statujat e larta të ngjallin ndjenjën e një qytetërimi antik të gërshetuar me modernen, ndërsa përtej “rubikonit” përballësh, siç thoshte një mik, me Peshavarin e Pakistanit.
Pra në Shkup përballesh me dy bota, Evropën dhe Azinë pakistaneze. Kjo Marrëveshja e Ohrit e cila kurrë nuk arriti të krijojë baraspeshë etnike dhe strukturore në Maqedoni, e ka një të mirë, që ndali luftën dhe krijoi një bazë decentralizimi, si dhe iu dha pak shpirt shqiptarëve, por nuk u zbatua edhe pse ishte gjysmake. Pra është një marrëveshje invalidore e pazbatueshme, as sot e as në mot.

