Marrëdhëniet Turqi-Kosovë dhe mirëmbajtja e tyre
Nga Bekim Thaqi – Marrëdhëniet Turqi -Kosovë edhe pse në dukje të tensionuara, megjithatë janë marrëdhënie shtetesh mike, sidomos në dy dekadat e fundit, por edhe më herët. Ashtu si edhe me çdo mik të mirë mbajtja e distancës për çështje të caktuara vetëm se sa e mban lidhjen mes miqsh më të fortë dhe më të shtrënguar.
Çështja e deportimit të 6 shtetasve turq nga Kosova, duhet të shihet parasegjithash, në kontekst të drejtave të njeriut, dhe në kontekst të asaj, se Kosova i takon Evropës me territor dhe me mendësi politiko-kulturore, dhe këtë duhet ta kuptojë shteti mik i Turqisë.
Me turqit dhe Turqinë, na lidh miqësia dhe lidhjet tjera mes shteteve dhe popujve tanë, por duhet të kuptohet gjithashtu se ne si një shtet i ri, pretendojmë që të jemi një shtet Evropian dhe demokratik dhe kemi marrë obligime ndërkombëtare në fushën e të drejtave të njeriut. Kjo duhet t`i shpjegohet paqësisht dhe me kokë të ftohur shtetit turk, përmes kanaleve diplomatike, dhe ti bëhet me dije se ne jemi një shtet i pavarur dhe do të bashkëpunojmë me ta në çdo sferë që nuk prish apo tejkalon të drejtat e njeriut dhe ligjet demokratike për të cilat ne kemi një orientim të qartë europian.
Nuk ka nevojë për fryerje të zjarrit apo deklarata të zjarrta, por për shpjegime të sinqerta dhe racionale, një gjuhë diplomatike dhe mirëkuptim nga dy palët. Edhe pala turke edhe pala kosovare duhet që me mençuri ta tejkalojnë këtë momentum të pakëndshëm për ne dhe ata, sepse nëse edhe kemi një pikë ku interesat tona janë të kundërta, kemi shumë pika dhe çështje tjera që na bashkojnë. Ne kemi agjendën tonë evropiane dhe ata kanë agjendat e tyre si një shtet i madh dhe një fuqi rajonale.
Duhet të shihen punët me gjakftohtësi dhe të zbuten gjakrat pasi kemi interesa të përbashkëta dhe duhet të kuptohet se në politikë miqësia dhe interesat nganjëherë mund të konfrontohen mirëpo prapëseprapë nuk i harrojmë të mirat e popullit turk që na ndihmoi gjate luftës, bombardimeve të cilat ata i përkrahën me te gjitha mjetet dhe mbështetjen e vazhdueshme për shtetin e Kosovës, sidomos lobimin për pranim në organizata ndërkombëtare për të cilin do kemi nevojë edhe për një kohë të gjatë.
Si shtet i ri që jemi duhet të tregohemi serioz në përkushtimin tone europian gjithnjë duke e ruajtur një marrëdhënie ta quajmë të shëndoshë me shtetin turk ku parim kryesor duhet të jetë respekti i dyanshëm./rajonipress/


