Fundamenti

Makthi

/ 2 minuta lexim

Prozë poetike nga Ramadan Mehmeti

Jemi shtruar në tryezën e mishtarit, po piqemi në hellin e padukshëm e po përvëlohemi dhembjesh nëpër terrin që nuk e shohim.

Po cakërrohen gotat e po na e pinë edhe pikën e fundit të ndjenjës së mbetur gjallë.
Po mundohen të na e kafshojnë edhe pulsimin e zemrës e të na lënë pa indin e lidhjes me botën e njerëzve, duke u munduar të na bindin se kafshëria e tyre është vlera e vetme e kësaj që quhet jetë e ardhmëri.

Eco Higjiena

Po na e grimcojnë edhe identitetin, të na e marrin, ndërrojnë e shesin edhe shpirtin e përvuajtur e të vdesim duke na parë të tjerët, ashtu, hije, pa asnjë kuptim.
Gjymtyrët janë mpirë nga ankthi i thikës mbi qafë, e nën ne po rrjedhin rrëkeve të purpurta, që sikur dalin nga damarët e stërngopur me etjen e tyre satanike, përderisa kemi lejuar të jemi pre e ujqërve të malit.

Vajtojmë pse nuk jemi bërë si një lis i vetmuar me degë shumë, për t’u tundur nëpër erërat e tërbuara të kohës e për të mos e njohur rrëzimin.

Ndoshta jemi ngutur diku e engjëjt e rrugëve të gjata më nuk na e kanë besën.
Çka mund të pritet nga kafshët e natës, që s’më njohin gëzimin, nga ata që as dëshpërimin e as ngadhënjimin nuk i ruajtën për vete?/rajonipress/