Makolli uron diasporën për 5-vjetorin e pavarësisë

/ 2 minuta lexim
Eco Higjiena

Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli uroi të premten diasporën për 5-vjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës, duke vlerësuar rolin e tyre në të arriturat e vendit.

“Duke kujtuar rrjedhën historike që ka kaluar vendi ynë, ne sot shënojmë 5-vjetorin e pavarësisë së vendit, ngjarje kjo me rëndësi të jashtëzakonshme për kombin tonë. Në ditët e mëdha si kjo, çdoherë duhet t’i kujtojmë vlerat e mëdha të kombit tonë. T’i kujtojmë sakrificat e panumërta që na sollën lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, thuhet në urim.

UBT

Ai shprehet se përveç ndjenjës së gëzimit dhe të krenarisë, kjo datë përherë duhet të na e mbajë gjallë edhe ndjenjën e përgjegjësisë që kemi për ndërtimin dhe zhvillimin e vendit tonë.

“Roli i mërgimtarëve tanë në të arriturat e vendit tonë, në këtë epokë historike për Kosovën dhe për shqiptarët kudo ku gjenden, është i pazëvendësueshëm. Roli juaj dje, gjatë luftës për liri dhe sot në zhvillimin ekonomik dhe demokratik të Kosovës, na bën të ndihemi krenarë dhe t’ju jemi mirënjohës përjetësisht. Të bashkuar si asnjëherë më parë, nuk duhet të ndalemi në synimet tona si komb. Këtë ua kemi borxh të parëve. Këtë ua kemi borxh fëmijëve tanë”, thuhet në urim. /Telegrafi/