Maji i Kosovës
Nga Milaim Shefkiu – Pas shkurtit të vitit 2008, kur u shpall Pavarësia dhe u realizua ëndrra qindvjeçare e shqiptarëve, muaji maj 2016 mund të konsiderohet më me fat në 8 vjetët e fundit për Kosovën. Në këtë muaj ndodhën tri ngjarje substanciale, apo thënë ndryshe u hapën tri dyer që ishin mbyllur me dekada.
Së pari, ndodhi ajo që të gjithë sportdashësit e kanë pritur gjatë, shumë të tjerë janë shtjerrë e janë shuar duke pritur që UEFA t’ia hapë dyert Kosovës. Janë shuar ëndrrat e shumë të rinjve për ta treguar fuqinë në “koleseum” si gladiatorët e vërtetë. Tani që u hap ky shteg u përmbush një ëndërr dhe u fitua një betejë.
Menjëherë erdhi një sihariq nga Brukseli, i cili rekomandoi që kosovarëve brenda një periudhe të shkurtër t’u hiqen vizat dhe të lëvizin lirshëm nëpër Evropë. Ky lajm edhe pse ishte i lyer me mëlmesa pikante, është pritur gjatë dhe e bëri më të madhe fitoren e UEFA-s.
Ndërsa e treta e vërteta ndodhi në Meksiko City. Kongresi i 66-të i FIFA-s e pranoi Kosovën nën ombrellën e saj me të drejta të plota. Lajmi i përtej Atlantikut jo vetëm që u konsiderua si qershia mbi tortë, por mbi të gjitha e poshtëroi përpjekjen e Serbisë për t’ia shuar shpresat kosovarëve që të luajnë futboll.
Votat që kaluan 85-përqindëshin në FIFA dëshmojnë se shtëpia botërore e futbollit votoi Kosovën me dy të tretat e votave që e bënë më shumë se të plotfuqishëm votimin.
Këto janë tri fitoret historike që e bëjnë muajin maj, më të dashurin për qytetarët e Kosovës. Edhe pse maji për shumë familje ngjall kujtime të hidhura, pasi 17 vjet më parë forcat e dhunshme serbe deportuan jashtë vendit qindra mijëra shqiptarë dhe vranë shumë të tjerë, tani ka më shumë arsyeje të gëzohemi sesa të mbajmë zi.
Por, pas këtyre tri betejave të fituara na pret një luftë e vërtetë për integrim. Së pari, pjesëmarrja e ekipeve kosovare në garat kualifikuese në ligën e Kampionëve dhe në atë të UEFA-s.
E para, kualifikimi sa të bën krenarë, aq edhe të zhgënjen për shkak të infrastrukturës së dobët dhe menaxhimit joadekuat për të investuar dhe për të ruajtur ato që investon.
E dyta, pjesëmarrja në garat ndërkombëtare ngjall pakënaqësi, si në ekipet pjesëmarrëse, si në selektimin dhe strukturimin e ekipit shtetëror. Nëse ekipi shtetëror formohet mbi bazat e nepotizmit dhe jaranisë, siç po ndodh në politikë, atëherë kemi për t’u zhgënjyer si “evropianët e rinj”.
Prandaj ekziston frika se “bacili” i infektimit të politikës me “veremin” e korrupsionit ka për ta prekur edhe futbollin kosovar dhe atëherë ëndrrën e të rinjve ua vrasim vetë ne. Që kjo të mos ndodhë, ndoshta formimi i ekipit kosovar për pjesëmarrje në garat kualifikuese për Botërorin e ardhshëm t’i besohet ndonjë trajneri të huaj. Kjo do të ishte praktika më e mirë për shtetet në tranzicionin e vonuar, siç është Kosova.
Kjo është sa i përket futbollit dhe grave në UEFA dhe FIFA.
Ndërsa ajo që ishte pritur gjatë është rekomandimi i Komisionit Evropian që Kosovës t’i hiqen vizat për zonën Schengen. Edhe pse kjo u konsiderua fitore e madhe për kosovarët, prapë lajmin, që e solli “Hermesi” i Brukselit, u prit me hezitim. Sidomos pasi BE-ja kërkoi që liberalizimi të kushtëzohet me ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacion me Malin e Zi. Ky kushtëzim nuk është hiç premtues, pasi që ishte kjo marrëveshje që kalli tym e flakë Kuvendin e Kosovës për shtatë muaj rresht.
BE-ja nuk e ka luajtur lojën fer në relacion me Kosovën, sidomos kur ka aq shumë mjegull në rripin kufitar që ndan Kosovën e Malin e Zi. Derisa nuk qartësohet kjo, vizat nuk hiqen. Pra, Kosovën e pret një pazar i shtrenjtë. Ta shohim nëse ia vlen të investohet. “Të jepet e dhimbshmja (toka), të merret e këndshmja (vizat)”.
Dhe pas tri betejave të fituara, na pret lufta e vërtetë…

