UBT

Magjia e artit letrar në një ditar poetik

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Izet Abdyli – (Sabit Rrustemi: ,,Në fytyrën e një gjethi” (Ditar poetik mes dy nëntorësh), botoi Shtëpia Botuese ,,Beqir Musliu” 2012).

Emri i Sabit Rrustemit më kujton vitet tetëdhjeta, e në veçanti vitin 1981 kur në letrat shqipe defilon një brez i ri, i cili letërsisë shqipe në Kosovë i solli një frymë të re. Ishte e natyrshme për kohën që tematika që trajtohej në poezi por edhe në tregime dominohej nga patosi patriotik.

Të tillë në krijimtari e njoha përmes poezisë dhe prozës edhe Sabitin i cili veçohej nga brezi i tij me simbolet, metaforat e figurat që përdorte në krijimet e tij. Krijuesit që kishin dhënë shenja dalluese nuk shiheshin me sy të mirë nga censura e kohës, ndaj dhe jo rrallë ndodhte që ndonjëri nga ta të paguante edhe tagrin e shtrenjtë nëse krijimet e tyre i cilësonte pushteti si herezi.

Një fat të tillë e përcolli edhe Sabitin i cili pas botimit të tregimit ,,Nën maskën e mysafirëve” në revistën ,,Fjala” , do të ndëshkohet nga pushteti i cili këtë tregim do ta cilësoi si krijim që ngjallte ndjenjat e irredentizmit dhe nacionalizmit shqiptar dhe si rrjedhojë ai do të kaloi disa vite prapa grilave të burgut. Si duket kjo do ta sforcoi edhe me shumë krijuesin dhe muza poetike e tij do të shpërthej me vrull duke i ofruar lexuesit mbi 13 vepra autoriale në prozë e poezi, i prezantuar në shumë antologji, fitues i dhjetëra çmimeve letrare dhe duke qenë bartës dhe organizator i shumë aktiviteteve kulturore.

Libri më i ri ,,Në fytyrën e një gjethi” (Ditar poetik mes dy nëntorësh) që botohet në shenjë të ë 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe në 35 vjetorin e krijimtarisë së poetit shpërfaqë vlerat e një krijuesi serioz i cili brenda kopertinave të librit ka përzgjedhur në mënyrë simbolike 100 poezi.

Fundamenti

Libri fillon me poezinë e shkruar me 28 nëntor 2011 me titull ,,Në dollinë flamurit” ku përshkruan njeriun e thjeshtë atdhedashës dhe dashurinë e tij deri në sakrificë për simbolin e shenjtë flamurin dhe përmbyllet me poezinë emblematike ,,Më28 nëntor 2012”, e shkruar me 16 nëntor 2012, ku autori nuk mund të mos jep sinjale edhe për dëshirën e tij për realizimin e idealit të shumë atdhedashëse për bashkim. Ja si shprehet autori : Me gjysmën e trupi tim do ta mbështjell një shekull gjysmës tjetër do t’i them mos i pritsh edhe njëqind vjet për t’u bërë një trup i vetëm

Jo rastësisht autori, përmes vargjeve të tij ka dashur që gjatë leximit të librit lexuesin ta mbaj përherë në atmosferën e ngjarjes historike të shtetit shqiptarë ndër më të rëndësishmet të një shekulli, duke defiluar përmes magjisë së artit personalitete të rëndësishme të historisë, kulturës dhe etnisë shqiptare në përgjithësi. Akëcila poezi në këtë vëllim është një dramë në vete ku përvijohet jeta e njeriut, vuajtjet, dhembjet e sakrificat e një populli i cili nuk rresht së kërkuari atë më të shenjtën e të shtrenjtën lirinë.

Dhe nuk është rastësi që si në një shirit filmik, përmes vargjeve rishfaqen heronj e figura emblematike si: Jusuf Gërvalla, Adem Jashari,Agim Ramadani, Sali Çekaj, Zahir Pajaziti, Rexhep Elmazi, Fehmi Agani, Ali Podrimja, etj. Kujtimet e luftës me saktësinë e një kronisti janë shënuar si një ditar poetik, që autori me të drejtë e ka vënë si nëntitull të librit. Sado e ftohtë vdekja, akti i varrimit të njerëzve të vrarë në luftë, për poetin dhembja mbetet e fiksuar duke lënë gjurmët e veta: Poezia ,,Dhembja e pavarrosur mbeti” së bashku me vjershat e datave 3,4,5,6,7 prill përbëjnë një cikël në vete , pra janë një ditar poetik i autorit ku ofron një kronikë të ngjarjeve që mbërthejnë njerëzit e zhvendosur gjatë luftës. Në këtë katrahurë autori nuk dorëzohet dhe vargjet e tij të mbushura me ankthe, të papritura, lot, në fund stisë me një dozë optimizmi, i bindur se: ,,Vetëm shpresa s’jepet, buzëqeshë e pret e përlotur” (poezia ,,Një ditë e ngjashme me të tjerat”).

Dhe krejt kjo sakrificë dhe heroizmi i popullit tonë e bën poetin që të nxjerr konstatimin për vendin e shenjtë të shqiptarëve duke i vënë epitetin e Librit Amë të Lirisë tek poezia ,,Prekazi kjo amë e lirisë” Në këtë vëllim si për të thyer klishet e një motivi te vetëm herë herë autori ka futur edhe poezi lirike, ku me mjeshtri ka skalitur dashurinë për njerëzit të afërmit, miqtë. Pastaj edhe toponimia si një peizazh shpaloset në shumë prej këtyre poezive ku shumica syresh lidhen për një rrënje të fuqishme të thuash mitike siç është Çepuri, vend ky që si një krua frymëzimi e bën poetin përherë t’i jep rrugë imagjinatës së tij për të nxjerr nga shpirtit i tij krijues perlat poetike. Sa me mjeshtri janë skalitur vargjet te poezia ,,Në fytyren e një gjethi” që njëherësh është edhe titulli i librit,
Secila stinë ka ngjyrën e saj Në fytyrën e një gjethi Si zemra ime prej Çepuri.

Në tërësi ky vëllim poetik përben një margaritar vargjesh ku shpërthen me tërë fuqinë krijuese magjia e artit poetik. Ky libër mbase është dhurata më e bukur për lexuesit e këtij autori në dy përvjetorë të rëndësishëm , atë nacional që lidhet me 100 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe atë individual në 35 vjetorin e krijimtarisë letrare./rajonipress/