FIDANISHTJA

Mafia e tokave

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Nga Enis Veliu – Hiç më pak se 2,3 hektarë tokë po shfrytëzohen për vetëm 370 euro qira në muaj.Nuk bëhet fjalë për tokë në ndonjë zonë malore të Kosovës. Mirëpo, për një pronë që gjendet buzë Autostradës së Kombit “Dr. Ibrahim Rugova”, e ku në të, njëra nga kompanitë më të fuqishme në Kosovë për tregti të derivateve po bën biznes.

Kompania “Al Petrol”, para pak kohësh ka marrë nga Agjencia Pyjore e Kosovës (APK) me qira pronën në fjalë, e cila gjendet në fshatin Sllatinë të komunës së Fushë Kosovës.

Në kushte normale, sipërfaqja e marrë me qira ka mundur të shfrytëzohet për kullota, apo edhe ndërtim të objekteve të përkohshme, me material jo të fortë.

Mirëpo, prej kohësh në të është e ndërtuar një pikë moderne e shitjes së derivateve, po ashtu edhe një restorant, një motel, një autolarje, si dhe autoparkingu për vetura dhe kamionë të mëdhenj.

Kjo shumë dikujt mund të mos i besohet, por në realitet kompania në fjalë çdo ditë e më shumë po e rrit biznesin e saj, duke shfrytëzuar pronën publike për shuma qesharake parash.

Mirëpo, “Al Petrol” është vetëm njëra nga rastet e shumta, kur kompani të fuqishme abuzojnë me pronën publike në Kosovë. E shfrytëzojnë atë në këmbim të një qiraje, që në rastin në fjalë as simbolike nuk është.

Mobi Casa

Agjencia Pyjore e Kosovës aktualisht i ka të dhëna me qira sipërfaqe të konsiderueshme të pronave të saj që gjenden në gjithë territorin e Kosovës. Madje, në to janë të vendosura edhe shumë antena të operatorëve telefonikë, e ku persona të caktuar marrin shumë marramendëse parash e derisa Agjencia Pyjore merr një “lëmoshë” në formë qiraje. Si për çudi edhe më tej kontratat mes Agjencisë dhe personave që i shfrytëzojnë ato prona mbesin si çështje konfidenciale të APK-së.

Abuzime me prona ka pasur dhe ka edhe në komunën e Prishtinës, ku një pjesë e madhe e pronave në mes të Prishtinës dhe Fushë Kosovës, edhe më tutje vazhdojnë të shfrytëzohen nga persona të “panjohur”. Një pjesë e tyre paguajnë qira, e shumë të tjerë nuk paguajnë asgjë.

Madje në to ka të ndërtuara edhe objekte të mëdha biznesi nga të cilat persona të caktuar përfitojnë shuma marramendëse parash, nga të cilat xhepat e tyre po “trashen” çdo ditë e më shumë, ndërkaq prona e shteti çdo ditë e më shumë po zvogëlohet.

Si për çudi një sipërfaqe të madhe të pronës për të bërë biznes në këtë zonë aktualisht e shfrytëzon edhe një deputet i Kuvendit të Kosovës. Mirëpo si drejtësia, ashtu edhe personat që ia kanë mundësuar këtë mundohen ta heshtin dhe ta fshehin skandalin.

Situatë edhe më e rënë me toka është edhe në lagjet më ekskluzive të Prishtinës siç është “Veterriku”, por edhe lagje tjera. Këtu sipërfaqe të mëdha të tokave publike e shoqërore janë shndërruar në prona private e në to janë ndërtuar shtëpi të shumta banimi, por edhe objekte gjigante biznesi.

Para pak kohësh Njësia për Krime Ekonomike pati nisur hetimet rreth dallavereve të shumta që janë bërë me prona, por hetimet e gjata si duket deri më tash nuk kanë dhënë rezultate konkrete në identifikim apo edhe arrestimin e personave në fjalë. Si gjithmonë dhe çdoherë përgjigjja mbetet e njëjtë. Hetimet vazhdojnë, e në anën tjetër abuzimet nuk ndalen.