Lugina e Preshevës, “zorrë qorre” e Kosovës
Preshevë – Përfaqësuesit e Luginës së Preshevës kërkojnë që në kuadër të bisedimeve Prishtinë-Beograd të shtrohet edhe çështja e shqiptarëve në Serbi, raporton albinfo
Në kohën kur qeveria në Prishtinë ka pranuar të negociojë me Beogradin edhe për çështjet politike, në Luginën e Preshevës janë shtuar zërat politikë që në kuadër të këtyre negociatave të shtrohet edhe çështja e tri komunave të banuara me shqiptarë në jug të Serbisë.
Pasi që supozohet se njëra nga temat e bisedimeve Prishtinë-Beograd do të jetë veriu i Kosovës, respektivisht statusi i komunave Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, të cilat janë të banuara me shumicë serbe, edhe lidershipi politik në Luginë të Preshevës kërkon që statusi i tyre të zgjidhjet në korrelacion me komunat e veriut.
Ish-kryetar i Bujanocit, njëherësh kryetar i PVD-së në këtë qytet, Shaip Kamberi, e konsideron të domosdoshme që në kuadër të këtyre negociatave të shtrohet për zgjidhje çështja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Ai për albinfo.ch tha se nuk guxon të krijohen standarde të dyfishta, për serbët në Kosovë të tjera standarde, e për shqiptarët në Luginën të tjera. “Nëse lejohen standardet e dyfishta, atëherë në Ballkan nuk do të ketë stabilitet afatgjatë”, tha Kamberi, ish-përfaqësues i grupit negociator shqiptar në konfliktin e vitit 2001.
Ndryshe në janar të viti 2000, në Luginën e Preshevës u formua një strukturë ushtarake guerile (Ushtria Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc-UÇPMB) e përbërë nga vullnetarë shqiptarë, strukturë kjo që grumbulloi rreth vetes mijëra ushtarë dhe e cila u shpërbë pas një marrëveshje paqësore që u arrit ndërmjet ish-guerilëve, bashkësisë ndërkombëtare dhe autoriteteve serbe më 21 maj 2001.
Marrëveshja parashikonte që ish-guerilët e UÇPMB-së të amnistohen, të inkuadrohen në kuadër të një police multietnike, rajoni të demilitarizohet edhe nga forcat serbe dhe të zhvillohet ekonomikisht. Po ashtu kanë qenë edhe një varg çështjesh që lidheshin direkt me të drejtat e pakicave.
Marrëveshja u impelementua nga ana e shqiptarëve, ndërsa marrë në tërësi, pala serbe me gjithë garancitë ndërkombëtare, nuk e aplikoi atë. Disa nga ish-guerilët e UÇPMB-së janë dënuar me shumë vjet burgim nga gjykatat serbe në Vranjë, Nish e Beograd.
“Ky është treni i fundit në të cilën duhet të zgjidhjet çështja e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë”, konsideron për albinfo.ch Galip Beqiri, kryetar i Këshillit Kombëtar të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ai tha se për një dekadë nga Prishtina e Tirana Lugina është harruar. “Kemi mbetur si zorrë qorre”, tha ai.
Beqiri tha se në rajonin e banuar me shqiptarë në Serbi është prezent xhandarmëria serbe, e cila, sipas tij, ua kufizon lirinë e lëvizjes, ndërsa është administrata serbe ajo që ua mohon të drejtat elementare të jetës si pakicë. “Kërkojmë që në kuadër të delegacionit të Prishtinës të jetë edhe përfaqësuesi i Luginës”, tha ai.
Edhe në Prishtinë, ndërkaq janë shtuar zërat që po kërkojnë përfshirjen e Luginës në dialogun me Serbinë. Ishte kryeparlamentari Jakup Krasniqi i cili tha se nëse veriu hyn në negociata si çështje e veçantë, Prishtina zyrtare duhet të kërkojë që edhe Lugina e Preshevës të jetë aty.
Madje, ndryshe nga liderët e tjerë në Kosovë, Krasniqi konsideron se Prishtina zyrtare “i ka hyrë në hak Luginës së Preshevës”.
Analisti politik nga Lugina e Preshevës, Belgzim Kamberi, që njëherësh drejton edhe Këshillin për të Drejtat e Njeriut në këtë rajon, është më pak optimist në këtët drejtim. Ai tha se nuk është momenti i duhur që çështja e Luginës të diskutohet në kuadër të bisedimeve Prishtinë-Beograd.
Kamberi tha se mënyra se si zhvillohen këto bisedime janë të dëmshme si për Kosovën, ashtu edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
“Ato janë të orientuara vetëm për çështjen e Kosovës dhe nuk bisedohet edhe për Serbinë. Në këtë kornizë që zhvillohen është iluzore të priten bisedime të mirëfillta për Luginën e Preshevës”, konsideron Kamberi.
Problemi shqiptaro-serb, sipas tij, kërkon domosdoshmërish edhe përfshirjen e Shqipërisë në proces. “Në çështjen e Luginës Prishtina zyrtare, me sjelljen e saj, çdo ditë e më tepër i përngjan Serbisë së viteve ’90-a, që braktisi serbët e Kroacisë, në momentin që nuk i duheshin më pushtetit në Beograd’, tha ai.
Pavarësisht nëse çështja e shqiptarëve në PMB zgjidhjet bashkë me çështjen e veriut, ky problem kërkon zgjidhje të përhershme. “Qeveria e Kosovës nuk ka mundësi të krijojë politika të tilla, pa harruar edhe mungesën e kapaciteteve, kredibilitetit dhe vullnetit politik për t’i trajtuar çështjet e shqiptarëve jashtë territorit administrativ të Kosovës”, konsideron Kamberi.
është thënë disa herë në opinion, komunat e Luginës së Preshevës deri para disa dekadave kanë qenë pjesë integrale e Kosovës, ndërsa ishin integruar në Serbi në kohën e Luftës së Dytë Botërore.