Hidromorava

Lugina e Preshevës, gjatë trishtimit të qujatur mobilizim i dhunshëm

/ 12 minuta lexim
Uji Dea

Ekskluzive – Nexhmedin Saqipi, është një personazh i gjallë i jetës sonë politike, arsimore, kulturore, fetare e humanitare, i cili i mbanë të freskëta kujtimet e paharruara, gjatë fushatës ajrore të NATO-s, në Serbi, e posaçërisht në rajonin e Luginës së Preshevës, para dy dekadash, pikërisht, më 23 e 24 prill të vitit 1999, kur në Tërnoc dhe rrethinë, Ushtria ish jugosllave shpërndau ftesa për mobilizimi të dhunshëm. Këtij provokimi, nga më të tmerrshmit, që kishte ndodhur ndonjëherë në historinë e këtij vilajeti, iu vu në ballë heroi i sakrificës Mulla Dinka, me rreth 100 vullnetarësh të mobilizuar, për t’i thënë ndal, shpërnguljes së orkestruar nga ekstremistët serbë, të cilët e dëshironin Tërnocin pa shqiptarë, si dhe gjithë Luginën një zonë të spastruar etnikisht.

Jetapress

* Zotëri Saqipi, po kthehemi prapa për 22 vjet, për të përkujtuar periudhën e fushatës ajrore të NATO-s në Serbi dhe trishtimit të quajtur mobilizim nga ana e ish Ushtrisë Jugosllave. Megjithëse, ka kaluar një periudhë bukur e gjatë nga ata ngjarje sa të dhembshme, po aq edhe krenare për popullin shqiptar në Trënoc e rrethinë, si i keni përjetuar ato dhe çfarë mban mend nga ato skena të tmerrshme, që njerëzit kanë frikë t’i përmendin dhe përkujtojnë?

Saqipi: Ishte 23 marsi, i vitit 1999, kur filloi bombardimi i NATO-s në Serbi. Kjo për mua dhe bashkëvendasit e mi, ishte një gëzim dhe trishtimi njëkohësisht. Shqiptarët e pambrojtur të Luginës së Preshevës, kishin frikë nga kjo fushatë ajrore, sepse nga këto zhvillime se mund të vinte te ndonjë hakmarrje të serbëve, sidomos nga serbët e Kosovës, të cilët me uniforma të ndryshme ishin të pranishme nëpër zonat kufitare të komunave: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Frikësimi

* Na rrëfeni ato momente të vështira, gjatë asaj periudhe të kobshme, që kanë ndodhur në Tërnoc e rrethinë?

– S’ka se si të mos i përmendi disa nga momentet, që mbillnin frikë e panik tek bashkëfshatarët e mi: mbyllja e shkollave shqipe, shkyçja nga rrjeti elektrik, zbrazja e ambulancave nga ilaçet, konfiskimi librave të gjendjes civile aji më i tmerrshmi paralajmërimi i ardhjes së forcave paramilitare të Arkanit në Tërnoc, rrethimi i fshatit nga të gjitha anët me armatim të rëndë nga forcat ushtarake të Serbisë si dhe Ultimatumi, që deri në orën 15:00 nga ana e fshatarëve, të dorëzohen armët që i posedojnë, të dorëzohen pjesëtarët e UÇK-së, të dorëzohen radio-lidhjet dhe lokatorët, të dorëzohet laboratori i drogës etj. Nëse nuk zbatoheshin këto urdhra, fshati do të bëhej shkrumb e hi. Mirëpo, midis kërkesave dhe kërcënimeve të forcave ushtarake, tërnocasit vendosën, që të mos e lëshojnë fshatin. Qëndresës së tërnocasve ushtria serbe iu kundërvu me sjellje brutale, duke thyer dyer e dritare dhe gjësende tjera, pa përjashtuar as maltretimin e banorëve të pambrojtur. Në të njëjtë ditë në mbrëmje u morën peng 20 fshatarë nga forcat serbe, të cilët u dërguan te fabrika e Thertores në Bujanoc. Pas kryerjes së aksionit në mbrëmje dëgjoheshin krismat e armëve nga të gjitha anët. Periudha tjetër e rëndë për tërnocasit ishte ajo e dëbimit nga shtëpitë e tyre me dhunë nga Ushtria Serbe, duke u dërguar te vendi i quajtur “Zidi” mbi Tërnoc, pa dallim moshe e gjinie: fëmijë, pleq, gra e burra, të sëmurë e të paralizuar, ishte një nga momentet më vështira të përjetuar ndonjëherë nga këta banorë. Të nesërmen erdhi provokimi tjetër i radhës vendosja e flamurit serb në Xhaminë e Strukarëve. Ndërsa provokimi më i rëndë ishte “Ftesa” për mobilizimin e të 145 të rinjve, uzurpimi i 11 shtëpive në fshat e provokime të tjera të kësaj natyre.

Kërcënimi

* Gjatë periudhës së mobilizimit të dhunshëm, kur të gjithë i shikonin me frikë ftesat e Ushtrisë serbe, Ju pranuat që vullnetarisht, të viheni në krye të kolonës së të mobilizuarve. Si i përshkruani këto periudha të rënda?

– Është e vërtetë, se askush nuk i konteston ato presione dhe provokimet të rënda psikike, që erdhën me ftesat e Mobilizimit të dhunshëm. Nuk ishte lehtë pranimi i ftesës për mobilizim, në ato momente lypsej guxim, sakrificë e maturi e besim, për t’u bërë “kurban i popullit” për ta shpëtuar popullatën nga eksodi i vërtetë. Ishte ditë e shtunë e 24 prillit, të vitit 1999, kur morëm lajmin se janë ftuar 150 të rinj vetëm nga Tërnoci, Komuna e Bujanocit, me ftesë për të mobilizuar në radhën e Ushtrisë Jugosllave, me moton: “Ta mbrojmë Atdheun!”. Kjo ftesë e mobilizimit erdhi, pikërisht, pasi Ushtria Jugosllave e pa se Tërnoci ishte i vendosur që të mos i lëshoj vatrat stërgjyshore për asnjë çmim. Me këtë qëndresë heroike tërnocasit, nuk u lëkundën nga vendi as pas provokimeve të tjera nga pushteti ushtarak serb, qoftë përmes kërcënimeve, bastisjeve, qoftë përmes nxjerrjes me dhunë nga shtëpitë dhe dërgimi mbi fshat te vendi i quajtur te “Zidi”.

Provokimi

KKVITI

* Si e përballuat Ju dhe bashkëfshatarët e tu, ditën e 24 prillit?

– Në sytë dhe mendjet e tërnocasve dhe gjithë shqiptarëve të Luginës së Preshevës, u krijua një mllef dhe neveri nga gjitha provokimet e asaj periudhe të kobshme. Ishte një sprovë e rëndë dhe shumë delikate. Nga provokimet e njëpasnjëshme u krijua një tmerr dhe panik i papërmbajtur. Gjithkah e gjithkund dëgjoheshin zëra rreth ftesës për mobilizim të dhunshëm në ushtri, kur dihej se kishte me dhjetëra vite kur shqiptarët nuk ishin ftuar në shërbimin ushtarak. Kishte zëra me dilemë se po të pranonim ftesat, çfarë do të ndodhte me ne, po ashtu disa thoshin nëse nuk shkonim do ta djegin fshatin. Nga ana tjetër kishte aktivistë të fshatit, që kishin kontakte me zyrtarët e komunës, nuk dukeshin e lëre më të viheshin në ballë të të mobilizuarve. Ata, thjesht, deklaroheshin se nuk marrin përgjegjësi për 150 të rinj, që t’ i dërgojmë në drejtim të humbur dhe se ne secili duhet të vendosim për vetveten.

Duke i parë të gjitha këto zvarritje, që na kushtoni me jetë, mendova se dikush duhet t’i prijë këtyre njerëzve, m’u duk se po më takon mua, duke qenë si prijës i popullit, atëherë e mora fjalën kur mbretëronte heshtja.
Me fjalët e mia u krijua krejtësisht një atmosferë e re dhe njerëzit u drejtuan kah unë, ku filluan njëri-tjetrit t’i thonë se po shkojmë për hir të fshatit, familjeve tona, ja edhe hoxhën me veti e kemi. Në këto momente filloi fuqia e shpirtit të funksionojë me vendosjen tonë, kur dihet shumë mirë se fuqia e shpirtit e le në harresë fuqinë e trupit. Atëherë mua m’u paraqit një forcë meqë kisha të bëjë me trima dhe njerëz që janë gati me flijua gjithçka për Zot dhe për nder të familjes dhe Vatanit.

I pranuam ftesët dhe vendosëm që të tubohemi ora 16:00 dhe të organizuar të shkojmë në vendin ku u dashke të paraqitemi e ai ishte Stadiumi i BSK-së në Bujanoc. Ora katër, të gjithë të mobilizuarit u bëmë gati për t’u nisur drejt Bujanocit. Duke u përgatitur në atë çast kaloj një veturë e policisë ku me siguri e përcillnin situatën, ndërsa neve as që na interesonte me shikuar sepse ne vetëm e kishim vendosur orientimin tonë. Pasi që u rreshtuam Agimit Sulejmanit i thashë që t’ i prijë karvanit ku po niseshim me një rrugë të pa kthim dhe se unë do të mbetem i fundit dhe kështu të përshëndetemi me qytetarët, të cilët kishin ardhur me u nda me ne për herë të fundit. Gjithë qytetarët që kishin ardhur për t’ u përshëndetur me njerëzit më dashur të familjes, në shpirt ndjenin një dhembje dhe krenari sepse ky mision kishte në vete një vlerë të madhe, një çështje me peshë aq sa vetë Tërnoci i bukur.

Kur u nisëm për Bujanoc, plasi gjithçka në vaj, gjithë ishin me lot në sy. Atë ditë në Tërnoc, gjithçka ka vajtuar, secili duke menduar keq e më keq par fatin tonë dhe për fatin e tyre se çka do të ndodhë të nesërmen edhe me ata.
Ne ishim të parët që vendosëm të bëhemi Kurban dhe ta dorëzojmë fatin e jetës, për hir të paqes dhe jetës së të tjerëve. Të gjithë na përcillnin me dashuri dhe krenari. Atë ditë të gjithë ishim një, një shpirt, një zemër dhe një njeri.
U rreshtuam dy për dy. Po sa arritëm në Bujanoc, kështu të organizuar me një disiplinë dhe krenari, arriti vetura e policisë nga poshtë dhe na tha se duhemi të kthehemi prapë në hyrje të Tërnocit, te Ndërmarrjes Private “Lazi Commerce” dhe aty të presim për urdhrat e rinj. Ne pritën gjer ora 9 për deri sa erdh një epror me emrin Mirosllav dhe në thanë me shkuar në shtëpi me u paraqitë të nesërmen në të njëjtin vend ora 07:00, dhe për ne ishte një shpresë e re.

Sakrifica

* Si e mendoni ndikimet e asaj dite në jetë ?

– Kjo ditë për mu ka mbetur dita më madhështore e jetës time. Atë ditë e përjetova në shpirt fuqinë dhe bukurinë e Zotit. Atë ditë e pashë vetën time, e kuptova jetën, e ndjeva ngrohtësinë e popullit dhe vëllezërve të mi, atë ditë e ndjeva se isha personi më i madh se gjithë njerëzit, më i madh se gjithçka çka më rrethonte, deri sa edhe çdo gjë që ishte e imja. Gjithashtu, atë ditë kam qenë njeriu më i lumtur sepse e kam kuptuar realitetin e jetës vdekjes dhe botës.
Sa herë që më bie ndërmend për ato çaste dhe përjetime, nuk po ma merr mendja si ndodhi kjo e as nëpërmes e fjalëve nuk mundem me përshkrua në tërësi. Çka u bë me ne, si vendosëm për këtë vepër të skajshme. Po në atë ditë ka qenë diçka e jashtëzakonshme ma mirë me thëne mrekulli e Zotit, dhe për këtë duhet të mbetet dhe të ruhet si kujtim në historinë jo vetëm të Tërnocit po në kujtim të Luginës Shqiptarisë e njerëzimit. Nëse marrim dhe i studiojmë se çfarë njësie speciale, kush i përgatiti dhe me çfarë programi institucional, nga u frymëzuan me këtë karakter dhe shpirt aq të madh. Kjo duhet të studiohet nga shkencëtarët,
Andaj gjitha këto përjetime dhe sakrifica, trauma që përjetuan qytetarët e Tërnocit, nuk guxojnë të kalojnë në harresë, por duhet të përkujtohen dhe të shërbejnë si udhërrëfyes për brezat e ardhshëm që do ta ndërtojnë ardhmërinë në paqe, siguri dhe liri.
Ne këtë autoritet e kem fituar me një fjalë shumë të lehtë: VENDOS dhe EC!

Shembulli

* Si reagonin shqiptarët e vendbanimeve të tjera të Luginës së Preshevës?

– Gjatë kësaj periudhe shumë të vështirë të popullatës shqiptare, tërnocasit treguan një disiplinë të lartë, një pjekuri dhe nivel të lartë të vetëdijes, një patriotizëm për vendlindjen e tyre, ku të vetmin qëllim e kishin që të mbesin në trojet e tyre ku kishin lindur edhe paraardhësit e tyre. Përkundër të gjithave këtyre torturave dhe presionit që e patëm nga ana e ushtrisë dhe policisë serbe me përjashtim të disa familjeve dhe individëve që lëshuan fshatin, 90 % e fshatarëve i mbetën besnik fshatit të tyre edhe me kusht që të vdesin, por të vdesin në pragun e shtëpisë së tyre. Këtë patriotizëm dhe këtë vendosmëri të tërnocasve për çdo ditë e përcillnin edhe vendbanimet tjera shqiptare të Luginës së Preshevës. Shumica e fshatrave tjera kishin kontakt me udhëheqësin e fshatit të Tërnocit, sepse përflitej në popull se nëse shpërngulet Tërnoci, si vendbanim më i madh shqiptar, fshatrat tjera veç ishin të përgatitur që të bëjnë shpërnguljen masive. (Redaksia Jetapress, gjatë zhvillimit të bisedës me heroin e ditëve të mobilizimit, Nexhmedin Saqipi, është shërbyer edhe me deklarata të tjera të tij dhënë mediumeve elektronike dhe të shkruara jo vetëm në Luginë të Preshevës, por edhe më gjerë në shqiptari, pa harruar edhe Librin me opinione, të botuar nga personazhi i intervistës ekskluzive).