UBT

“Lufta” e Xhelajdinit për t`u pranuar në ushtrinë e Zvicrës

/ 6 minuta lexim
KKVITI

Në kundërshtim me mijëra djem të rinj të cilët bëjnë gjithçka për t`i ikur rekrutimit, ai bën ankesë pikërisht kur komisioni i kontrollit e shpall atë të paaftë për shërbim ushtarak.

Shumë moshatarë te tij, shtetas të Zvicrës, bëjnë “njëqind dredhi” për t`i ikur shërbimit ushtarak. Por Xhelajdin Etemi, shqiptar nga Kosova, me shtetësi zvicerane ishte krejtësisht ndryshe: ai pati bërë gjithçka për t`u pranuar në ushtrinë e Zvicrës. Në këtë rrugë të gjatë përpjekjesh, atij i janë paraqitur një varg pengesash…

“Ai duhet jetë i preferuari, i riu model i secilit përgjegjës për integrimin e të huajve: Xhelajdin Etemi ka ardhur në Zvicër në moshën delikate, 13 vjeçare, në valën e konfliktit të Kosovës dhe pa ditur të flasë asnjë fjalë në gjuhën gjermane”.

Sot Etemi ka të mbaruar zejen për punëtor sanitar dhe punon si i pavarur. Që nga viti 2003 ai ka shtetësinë zvicerane, dhe tashmë është kandidat për parlamentin e qytetit Adliswil, në listën e partisë Socialdemokrate. Ai kurrë nuk ka rënë në konflikt me ligjin por megjithatë, Gjykata Federale është duke u marrë aktualisht me të.

Problemi i tij është se ai dëshironte të kryente shërbimin ushtarak dhe kjo nuk i lejohej. “Për mua kjo është diçka e nënkuptueshme”, thotë Xhelajdini. Sipas tij, në ish Jugosllavi shqiptarëve u ndalohej shërbimi në ushtri.

Dhe, në kundërshtim me mijëra djem të rinj të cilët bëjnë gjithçka për t`i ikur rekrutimit, Etemi bën ankesë pikërisht kur komisioni i kontrollit e kishte shpallur atë të paaftë për shërbim ushtarak. Si bazë për këtë, komisioni kishte marrë një thyerje në ashtin e kofshës, që ai e kishte pësuar kur kishte qenë dy vjeç. Ky vendim shkonte në kundërshtim me atë të mjekut të shtëpisë, i cili i kishte dhënë dëshminë se është i aftë për ushtri, shkruan gazeta “Limmattaler Zeitung”.

Por, Etemi dyshon se problemi i vërtetë për mospranimin në ushtri ka qenë prejardhja e tij. Kur oficeri e kishte pyetur prej nga ishte, Etemi ishte përgjigjur: “nga Adliswili”. Pyetjes së përsëritur të oficerit: “Prej nga je me origjinë”, djaloshi i ishte përgjigjur thjesht: “nga Kosova”. Por ai ishte përballur me reagimin nervoz të oficerit: “Kosova nuk ekziston. Atje është Serbi, dhe një shtet kosovar nuk do të ekzistojë kurrë…”. Dhe, duket se oficeri nuk kishte pasur të drejtë!

Uji Dea

Ankesa që kishte bërë pastaj Etemi nuk mori përgjigje pozitive. Kështu, ai u detyrua të mos shërbente ushtrinë, por sipas ligjit, të paguante atë, si kompensim. Vetëm kur ai, pas disa vitesh, njihet me Davide Loss, deputet aktual ne Parlamentin e Kantonit nga SP-ja, atëbotë student i drejtësisë, çështja merr një fillim të ri. Loss e trimëron Xhelajdinin që të luftojë për të realizuar synimin e tij dhe i premtoi mbështetje juridike.

Kur, më 16 dhjetor 2009 i vjen sërish një faturë për pagesën e kompensimit ushtarak, Losse vendos të bëjë ankesë për klientin dhe mikun e tij. Në ankesë ai shkruan se një pohim në vendimin e komisionit të rekrutimit, që bën fjalë për probleme psikike (të Etemit) është diskriminues dhe me këtë edhe kundërkushtetues.

Pas kësaj ai bën edhe një kërkesë revidimi nga autoritetet ushtarake. Në fund, shtabi i armatës zvicerane e pranon megjithatë Etemin në shkollën e rekrutëve. Kështu ai e kishte realizuar qëllimin e tij, është i bindur Etemi. Por, pak pas kësaj, në kokën e tij ngjallen shqetësime nga e kaluara. Çjerrjet e nënoficerëve nga Zvicra perëndimore (frankofone) që ai nuk i kuptonte, ia kujtonin atij ushtarët serbë nga fëmijëria. Xhelajdini nuk dinte se nga i vinin këto shqetësime, por ai e kishte zënë veten duke ia ngulur sytë hartës, për t`u bindur se ishte në Wangen an der Aare dhe jo në Kosovën e viteve nëntëdhjetë.

Eprorët e tij e shohin se diçka nuk ishte në rregull me të. Psikiatri ushtarak e konstatoi te ai paaftësinë për shërbim ushtarak por kësaj radhe paaftësi me bazë psikike. Mirëpo Xhelajdin Etemi nuk donte të pajtohej që ta trajtonin si “psiko”. Ndërkohë, edhe pas lëshimit ga ushtria atë e mundonin pamjet e përmendura nga fëmijëria.

Duke folur për vendimin e pritshëm të Gjykatës Federale, Etemi thotë: “Mua më intereson parimi”. Për mua ka më pak rëndësi paraja, thotë ai duke pasur parasysh vendimin që mund të marrë gjykata, nëse ai duhet të paguajë kompensimin për shërbimin ushtarak ose jo. Ankesa që ka bërë Losse zë plot 35 faqe, ndërsa në anën tjetër janë autoritetet kantonale dhe federale që duan ta parandalojnë një fitore të mundshme të ankuesit. Kjo për faktin se në një rast të tillë do të pësonte edhe një dëmtim sistemi i kompensimit (pagesës) së shërbimit të detyruar ushtarak. Një sistem ky që për çdo vit u merr në formë tatimi mijëra të rinjve zviceranë nga 3 për qind të të ardhurave të tyre.

Etemi sheh një shans të mirë për të fituar, duke u mbështetur në një vendim të Gjykatës Evropiane nga viti 2009. Ai vendim ishte marrë në rastin e një të sëmuri nga diabeti, të cilit i kishte dhënë të drejtë të mos e paguante kompensimin, me arsyetimin se ai dëshironte të kryente shërbimin ushtarak. Pikërisht këtu sheh shanset e veta Etemi. Ai ka dëshmuar se ka treguar vullnetin për të kryer shërbimin efektiv ushtarak. Po, në rast se Gjykata Federale nuk do t`i japë të drejtë, Etemi dhe Losse do të provojnë ankesën edhe në Gjykatën Evropiane në Strasburg.

Ndërkohë, Xhelajdini është i fokusuar që firma e tij personale të marrë këmbët, në mënyrë që me të ardhurat e tij të mund të ushqejë familjen. Ndërsa dëshira e tij për tu bërë ushtar, tash për tash mbetet vetëm dëshirë.(albinfo)