Uji Dea

Loti i Luginës është i varur në qerpikun e Prishtinës dhe Tiranës

/ 14 minuta lexim
Mobi Casa

Në intervistën ekskluzive për portalin BujanociNet, Zaim Haliti një veprimtarë në shumë fusha nga Tërnoci i Buajnocit i cili jeton dhe vepron në Fushë Kosovë, ka folur për shumë tema me rëndësi jetike për shqiptarët. Haliti thotë se, edhe pse larg vendlindjes këmbë e kokë është në Tërnoc.

Sipas tij shqiptarët e Luginës duhet të mbështeten më shum në forcat e tyre se sa të presin nga të tjerët, edhe pse Prishtinën dhe Tiranën i sheh si mundësi të vetmë për ta ndihmuar këtë popullatë. BujanociNet: Zotëri Haliti, na përshkruani kohën kur juve keni filluar hapat e para të informimit në gjuhën shqipe, sa ka patur atëkohë interesim popullata dhe sa keni arritur ti përmbushni kërkesat e popullates shqiptare? Haliti: Pas një faliminderimi për këtë ftesë për intervistë, është e nevojshme një kërkim faljeje për lexuesit e juaj, se kjo është një pyetje që don një përgjigje të gjat e ndoshta edhe të mërzitshme.

Në vitin 1977, SHKA “Jehona” ishte aktive me të gjitha grupet e saja, përveç grupit letrarë. Me iniciativën e disa antarëvë të kesaj shoqëri, e veçmas të Prof. Skender Shaqirit (Gashit) filloi grupi letrar të botojë fletushkën Jehona, Pikërishtë në muajin korrik të këtij viti. Pra, filloi botimi i fletushkës ku filluan edhe shkrimet e para jo vetëm të miat, por botonte edhe Neshat Shaqiri, Naim Qazimi, Abdulla Shaqirit, Ismail Ismaili, Naski Abdixhiku, Ilmi Hetemi, Xheladin Mustafa e të tjerë. Botohen shtatë numra të kësaj fletushke dhe nderpritet.

Arsye e vetme ishte se Prof. Skender Gashin e larguan nga puna në mësimëdhënje nga gjimnazi “Sezai Surroi”, shkaku i kësaj fletushke. Në vitin 1978, do të regjistrohem në Fakultetin Filozofik në Prishtinë, drejtimi Letërsi dhe Gjuhë Shqipe. Në Prishtinë filluam të botonim në revista e gazeta së bashku me Sevdail Hysenin, ai poezi satirike kurse unë aforizma. Ishim shokë nga gjimnazi gjithësesi edhe ne Fakultet. Por, në këtë kohë filluam të mernim pjesë edhe nëpër orë letrare dhe të takonim poet të shumtë. Por në fillim të vitit 1992 filloi aktiviteti me i hovshëm letrar.

Skënder Gashi, Sevdail Hyseni dhe une vendosëm që fletushkën Jehona të e shëndrrojmë në një revistë mundësishtë serioze. Kërkuam ndihmën e Mexhid Mehmetit që atëkohë ishte gazetarë i Rilindjes por edhe poet me vepra të botuara. Më 3 shkurt të vitit 1992, në kuadër te gazetës “Dielli” që botohej në Prishtinë me kryeredaktor, gazetarin e njohur Jusuf Ferizin, të ndjerin tash, me Diellin, në mbrendësi të saj rrezaton dhe e sheh dritën Jehona, revista e parë në Bujanoc, por me seli në një fshat, fshatin Tërnoc. Edhe numri i dyte botohet në prehërin e ngrohtë të gazetës Dielli, dhe në numrin tjetër Jehona del e botuar e pavarur.

Numri i parë në kuadër të Diellit Jehona botohet si Organ i PVD-së, dega ne Bujanoc. Mirëpo Riza Halimi, nuk mund të bindej se dega e një partie mund të ket revistë dhe selia e partisë jo. Na “pucati” neve jehonistave dhe në numrin tjetër të Jehonës e botuam si organ të SHKA “Jehona” me seli në Tërnoc. Numrat e parë të botimit të Revistës Jehona nuk patëm problem me pushtetin, sepse nuk ishte shpërnda si lajm ende mirë, por me Riza Halimin po.

Por një grup i intelektualëvë na u bashkuan neve dhe na dolën në ndihmë profesionale, si Mexhid Mehmeti, Llukman Halili, Abdulla Hamiti, Ferid Selimi, Nehat Saliu, Qani Shabani, Nijazi Kadriu, Xhemë Karadaku, Vaxhid Xhelili, Neshat Shaqiri, Prof, Xhemaldini etj, dhe kjo ishte një kërkesë elementare për informim shqip në këto komuna, por edhe një sfidë fillestare për ne.

Duke mos harrua ndihmën profesionale nga Prishtina, si lektori Sabit Jaha, Ramadan Mehmeti e të tjerë. Bile banesën e Sabit Jahës e kemi pas si redaksin tonë në Prishtinë. Kulmi i Jehonës është ndihma nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, antarët e institutit. Të shkruajnë për Jehonën Rexhep Qosja, Agim Vinca, Ramiz Kelmendi etj, jo që ishte ndihmë por krenari, por ndërroi kualiteti i të gjitha faqeve të Revistës Jehona.

BujanociNet: Duke patur parasysh kohën e regjimit të errët, çfar kanë qenë rreziqet që të merreni me atë fushë atëherë dhe si është sot?

Haliti: Rreziqet kanë qenë të nduarndurta. Skender Gashi largohet nga procesi edukativo-arsimor nga gjimnazi në Bujanovc dhe caktohet kontabilist në një zyrë birucë të kesaj shkolle. Shkaktare ishte Revista Jehona. Largohet edhe Ramadan Ahmet-Daci. Edhe njëri edhe tjetri profesora të dalluar të Gjuhës Shqipe. Une dhe Sevdail Hyseni në vitin 1994, botojmë librin e parë , në bashkëautorësi. Libri “Kur të qesh fati” unë me aforizma, Sevdail Hyseni me poezi satirike, kurse botues ishte redaksia “Fjala” në Prishtinë. Prof. Xhait Ramadani e mori në mënyrë vullnetare, ta bëj shpërndarjen e këtij libri në gjimnaz, por hasi në shumë të papritura. Libri u konfiskua edhe në gjimnaz, edhe në pikat e tjera të shitjes, Prof. Xhait Ramadani u mor disa herë në pyetje për librin tonë nga sigurimi i shtetit. Pas tij filluan të na marin edhe neve në pyetje.

Sipas kujtesës sonë nëpër ato dyerë kemi kalu dhjetë herë. Më e keqja ishte kur na mirnin natën edhe ate veç e veç. Por, duhet të e pranojë se Sevdaili kaloi më keq, për shkak të një poezie ndaj tij u ngrit edhe aktpadi penale dhe landa e tij theu edhe rekordet e ginisit, dhjetra herë doli në gjyq, deri pas përfundimit të luftës. Mos të flas për ndalesat në kufi, apo nëpër postblloqe policore, ishin aq nënçmuese sa që të “gërrditet” edhe burrëria personale edhe ta ulnin krenarinë deri në pika nënçmimi kombëtare e personale.

BujanociNet: Zotëri Haliti, juve nuk keni pushur së kontribuari edhe në aspektin kulturorë, me poezi, tash kohën e fundit edhe me botime të librave, sa po gjeni përkrahje në këtë drejtim?

Haliti: Librin e parë në bashkëautorësi me Sevdail Hysenin, viti 1994, na ka ndihmua me komplet botimin e librit dhe një numri të revistës Jehona, Shaban Murati, nga Tërnoci, lagja e Tolajve (Murat Osllarëve) me hiç më pak e as më shumë se 3000 CHF. (Po, tremijë franga të zvicrrës, rrafsh bile.) Librin tjetër “Flatrimi i fjalës” (Monografi për Skender Gashin) e ka finansua komplet Betim Shaqiri – Gashi, pra djali i Skenderit. Dy librat e fundit “Rrahagjoksat” (skica satirike) dhe librin “Aforizma me shigjeta” mi ka botuar poeti Ramadan Mehmeti, pronari i shtëpisë botuese “Rozafa” në Prishtinë, të gjitha falas, bile edhe harxhimet e rrugës mi paguante, kurse redaktori Ferid Selimi dhe redaktori teknik Nehat Salihu për të gjithë punën që kanë bë në tri librat e mia më kanë detyrua me ia pagua nga një kafe, kjo është e gjitha….! Tash po mirem me thash e theme, por të shkruara….

UBT

BujanociNet: Edhe pse ka kaluar një kohë e gjatë që juve jetoni dhe veproni në Fushë Kosovë, por shpesh në rrjetin social në facebook e keni shprehur dashurinë për vendlindjen, Tërnocin e Madh, sa jeni i ludhur me këtë vendbanim?

Haliti: Dashuria për vendlindjen thuhet se e terë lotin e syrit. Tërnoci është fshati me një histori shumëshekullore, fshati më i madh në ish-Jugosllavi, sot ka shumë më shumë banorë jasht fshatit se në vet fshat. Unë nga Tërnoci jam largua në ditën e 33 të bombardimeve (i kam të shënuara në ditar). Shkova ne Holandë, atje punova në shkollë, një vit shkollor me fëmijët refugjatë. Kur u këtheva ne Tërnoc, për tre fëmijët e mi më than se nuk i pranohen vitet shkollore qe i kanë krye në Holandë, edhe unë si i ikur e kisha humb vendin e punës, çka është e kuptueshme. Dhe ja sot jam në Fushë Kosovë, me mendje që shpejt do të këthehem… si çdo tërnocas gjithandej ku gjinden. Për mua Tërnoci nuk është vetëm vendbanim, është vendlindja dhe rinia ime, qafë e kokë më rrinë këthyer ende andej…

BujanociNet: Para se të kalojmë në një temë tjetër do të kishim dashur që të na tregoni se çka do të kishit dashur të ndryshoni në vendlindjen tuaj?

Haliti: Ndryshime pozitive të shpejta nuk ka. Unë kam pasur disa takime në cilësinë e gazetarit edhe me ministra edhe të Kosovës edhe të Shqiprisë. Lugina e Preshevës për ta, sipas bindjes sime, në tavolina është temë bisede jo temë zgjidhjeje. Ata problemit i rreken sipërfaqësishtë, taman si politikuaj. Kam qenë prezent në Parlamentin e Republikës së Kosovës kur u aprovua Rezoluta për Luginën e Preshevës. Ka qenë një cirk i llojit të vet, kam qenë me Llukman Halilin, Nehat Salihun etj . Pastaj kur dy qeveri i ndajtën 100 mijë euro, sikur të kishim kërkua ne sadakë apo vitra. Mirë e pat thënë Demaçi, se Lugina duhet të mbeshtetet në forcat e veta, se këta i kënaqën punët e veta e lëre ta ndihmojnë dike. Pra, nga Kosova nuk pritet ndonjë ndihmë shumë domethanësë, kurse Shqipria duhet ta ngris nivelin e interesimit për ne, qoftë si reciprotitet. Ne duhet në çdo lëmi të i japim më shumë hapsirë diasporës sonë, intelektualëve (sepse kemi tre akademikë aktiv). Por, gjithësesi të kapemi të gjithë dorë për dore sa më shpejtë, se mundet të na kape ndonje furtunë, dhe ashtu si jemi sot çkeptas e të na hedhe përtej çdo dëshire, në ndonjë të keqe që nuk mundemi as të e mendojme e jo se jo të e përballojmë.

BujanociNet: Zotëri Haliti, kohëve të fundit jeni parë edhe në disa takime politike në Luginë, si e vlerësoni situatën politike në komunën e Buajnocit, por edhe në Luginë të Preshevës?

Haliti: Po. Jam radhit në radhët e PD-së. Në PVD kam qenë prej themelimit. Bile mjaft aktiv në resorin për informim. Për mua, këto dy parti janë simotra në mes veti. Kështu do ti quante edhe dikush tjetër. Pse jo? Këtu kam veprua edhe vet… Aty kam shokë, familjarë bile bile ende ka veprimtarë që kemi qenë nga themelimi së bashku. Do ta veçoja, Fatmir Hasanin që gjitherë është mundua për një unitet. Bile kam edhe ish-nxënës të mi, që nëse kanë fjalë jo të mira për mua le të i shkruajnë haptas. Pse jo? Por, është interesante se unë mendoj se PVD-ja si në Preshevë edhe në Bujanoc ka pas një element përçarës përmbrenda partisë. Më shumë në Preshevë, se nga atje vinin plasaritjet dhe përçarjet dhe kjo parti u përça aq, sa nga ajo të formohen edhe parti të tjera qoftë minore apo më të mëdha siç është PD-ja sot. Por, edhe ardhja e disa parashut-antarëvë, qoftë nga lakmia apo interesi, PVD-ja u shëndrrua në një parti jo interesante jo vepruese dhe aspak novative. Bile, nëse ju kujtohet, dega e PVD-së një kohë e mbylli zyrën e vet në Bujanoc. bile disa muaj…. Por, për këto duhet të shkruhet, nuk mjafton vetëm në portal, shpresoj që kjo do të ndodhe, pra do të shkruhet… Po, po… PD-ja më angazhoi, me dëshirën time. por, duke ia bë me dije se kam punë me disa shkrime (libra) dhe një kohë do të jem pasiv.

Shpresoj të aktivizohem më shumë, kuptohet nëse do të kem përkrahje. Tash do të kem kohë më shumë, se do të largohem edhe nga stafi i revistës Jehona, në një periudhë kohore. Nuk ka azgjë të keqe në mes neve, por unë e kam themelua Bashkësinë Letrare “Skender Gashi” dhe kam dashur që revistës të i ndërrohet themeluesi. Pra themelues të mos jet, Bashkësia Kulturore Shqiptare “Perspektiva”, por Bashkësia Letrare “Skender Gashi”. Kjo nëse nuk ndodh, une gjithësesi do të veproj në këtë fushë por ndaras. Bile me shumë keqardhje….

BujanociNet: Si i vlerësoni mardhëniet mes liderëve të Luginës dhe atyre të Prishtinës, a do të duhet të ketë ndonjë ndryshim në këtë drejtim?

Haliti: Liderët e Luginës, për habi të madhe më herët vinin e i vizitonin liderët opozitarë. Apo liderët e partive që nuk e kalonin pragun zgjedhor, që nuk ishin as në opozitë. Por, tash i shoh me ministra e kryeminstrin, çka është pozitive. Nëse politika kosovare i ndëgjon sinqerishtë me dy veshë politikanët e Luginës unë shpresoj në konkretizim të problemeve. Ka shumë fusha ku munden me na ndihmuar pa pengesa nga askush bile. Nëse i ndëgjojnë vetëm me kokëluhatje si pohim dhe nuk nënvizohen kërkesat e tona atëhere pritjet janë miniaturale. Unë nuk besoj shumë, që nga mos realizimi i asnjë pike nga Rezoluta për Kosovën Lindore, por dëshiroj të jem i gabuar…

BujanociNet: Për fund, ku e shihni Luginën në të ardhmën, e bashkangjitur me Kosovën apo kështu si është sot?

Haliti: Para referendumit unë Llukman Halili dhe Nehat Salihu udhëtuam për Sofje. Vizituam Thoma Kacorrin, një njohës shumë i madh i gjuhëve sllave. bullgare, ruse, maqedonase etj, por, gjithësesi edhe albanolog i dalluar. Shumë gjat e ka mbajtur Katedrën e Gjuhës Shqipe në Univerzitetin e Sofjes, ishte edhe shkrimtarë dhe politolog i njohur. Mos të e zgjas, mes shumë bisedave të tjera ai mu drejtua mua, “Zaim, pse ju mbani referendum? – për të iu bashkangjitur Kosovës a? Çka i duheni ju Kosovës një grusht shqiptarë? Ajo nuk mundet të e mbaj vetensi të ju mbaj edhe juve? Ka Kosova mjaft shqiptarë. Ju është dashur të mbani referendum të i bashkangjiteni Maqedonisë. Ajo është Republikë. Kosova ende nuk është Republikë!” Nuk i dhash përgjigje, nuk e dita përgjigjen. As tash për pyetjen e juaj nuk kam përgjigje. Dëshirën dhe mundësinë e ndan një segment i papërcaktuar. Kosova është ka ecën symbyllur…

Lugina në këto momente është ka shpreson në sy e veshë, në atë çka po sheh e çka po ndëgjon. Është e pa kapur askund… Loti i Luginës është i varur në qerpikun e Prishtinës dhe Tiranës…. Unë e kisha përfundua kështu. E djeshmja për të sotmen është histori. Edhe Referendumi edhe Lufta e UÇPMB-së i mbeten historisë. Të punojmë diçka sot për një të nesërme. Mos të krekosemi vetëm me të kaluarën, kurse e sotmja të na ike duke bërë selfie. Të i përmbledhim përvojat dhe të i ndëgjojmë këshillat se rrugë tjetër nuk kemi përveç ka Prishtina. Unë dëshiroj në fund të shprehem me nje fjali të fshatit tim… “Hajde i bojmë trampa pa qoftë edhe krye për krye”. Kjo do të ishte për mua e dëshirueshmja…Pse jo edhe e mundshmja, tokat me tokë munden të ndërrohen. Por, e gjitha kjo është një enigmë, enigmë pra qe pret zgjidhje. Qofshim me fat edhe kësaj here…/BujanociNet/