Lorik Cana e ka një premtim për shqiptarët
Lorik Cana beson se Kombëtarja shqiptare mund të bëjë paraqitje të mira në Kampionatin Evropian. Futbollisti kosovar e pranon se në “Francë 2016”, kuqezinjtë nuk do të kenë punë të lehtë, sepse atje kundërshtarë të lehtë nuk ka, por premton se ai me shokë do ta japin më të mirën nga vetja, për t’ua zbardhur fytyrën bashkëkombësve.
“Kemi bërë gjëra të jashtëzakonshme në kualifikime, duke ia mundësuar vendit tonë të shkojë për herë të parë në një eveniment të rëndësishëm. Ne kemi shumë mbështetës, do të festojmë. Kemi ekip kompakt, i dimë fuqitë tona. E dimë se si t’i vëmë skuadrat në vështirësi”, u shpreh Cana për televizionin francez, “RMC”.
“Nuk do të shkojmë në Evropian vetëm për paraqitje. Lojtarët tanë e dinë se çka nevojitet, për të pasur sukses. Do ta japim më të mirën. Kemi lojtarë që kanë luajtur në Champions League, Europa League, në kampionatet më të forta. Mund të bëjmë diçka konkrete dhe solide. Kemi dëshirë të zbavitemi”, shtoi ai.
Por, me kë do të donte gjakovari që të luajë ekipi i Gianni De Biasit? “Në një fazë të grupeve të Evropianit, nuk është e domosdoshme të të bjerë grupi i lehtë. Por, ka skuadra që duam t’i evitojmë. Spanja, për shembull. Është një skuadër që të vë në vështirësi të mëdha. Do më pëlqente të luajmë me Anglinë, Gjermaninë, Italinë”, vazhdoi Cana, i cili francezët do t’i preferonte në një fazë më larg në këtë turne. Shorti i fazës finale të Evropianit do të hidhet të shtunën, më 12 dhjetor. /Zëri/


