Loja me ujë e Pacollit e Thaçit dhe lakmitarët e tjerë
Nga Astrit Gashi – Teksa po dëgjoj e lexoj për kërcënimet që po i bën Behgjet Pacolli te Hashim Thaçi për lëshim koalicioni nëse ky nuk i jep ministritë e caktuara, e para gjë që po më bie ndërmend është loja si fëmijë, kur pretendonim se po e bëjmë Stallonen duke “vrarë” njëri- tjetrin me pushkë uji, edhe kur rrëzoheshim përtokë nga një pikë uji. Jo pse u goditëm e u vramë, por sepse… Bash si fëmijët, Pacolli sot po kërcënon me “allti uji”, ndërsa Thaçi po bëhet sikur po “vdes” nga ‘fuqia vrasëse e ujit”.
E tëra pra është, natyrisht, një lojë kinse kushtëzimesh e kërkesash, që është gatuar e zier nga kuzhina e PDK, për t’ u dukur më interesante dhe që t’i fusë edhe mediat ‘në lojën me ujë”.
Gjithçka që do të prodhohet nga kjo është veçse edhe një blerje e turpshme e kohës për koalicionin e “mosqeverisjes” e të “keqqeverisjes”. Një mjegull kjo e radhës, e dyta e servuar nga kryeministri Thaçi në 5 vitet e fundit, për të na mashtruar të gjithëve se thuajse po bëhet diçka, në paketën e së cilës emërtohet “ Ristrukturim”. Por, në fakt do të jetë veç “rrush për dardha” ose një asgjë prej asgjëje.
Loja , e cila po të ishim të mençur dhe po të mos e kishim profesion për ta zbardhur të vërtetën, nuk do të na interesonte fare, meqë ajo s’ka të bëjë me synimin për të zgjidhur problemet e qytetarëve, por për t’u bërë sikur diçka po ndryshohet- natyrisht se kanë hyrë në ethe edhe shumë zyrtarë të vetë PDK-së.
Ka ditë e javë që qarkullojnë emra për filan ministrin a ministren, që shkon nga kjo pozitë në tjetrën, për njërin a tjetrin që nuk do të jetë farë më ministër, sa që disa tashmë kanë filluar të flasin me miq nga pozitat e reja, e të tjerët tashmë mbase i kanë bërë gati valixhet për t’i dërguar në shtëpi. Me gjasë, disa tashmë janë duke menduar edhe si do ta akomodojnë inventarin e vjetër në zyrën e re. Aq qesharakë duken disa nga ta, sa përnjëmend edhe të dhimbsen, e ndoshta edhe mund t’i qash me lot.
Kuzhina e PDK-së , pra, jo vetëm po e mban të gjallë me ushqim partnerin e koalicionit, AKR-në, dhe po luan me shefin e saj duke i dhënë ushqim pak nga pak sikur të merrte infuzion te doktori, por ja që doktori ka qëlluar dinak e po shton e ul apetite edhe të vetë zyrtarëve të saj.
Mediat një pas një, po ashtu, janë bërë pjesë e kësaj skeme, sepse nuk kanë si të mos bëhen, lajmi po krijohet e përcillet nga njëri tek tjetri ‘merr e jep”.
Natyrisht se nuk do të ketë gjë parimore e as substanciale në çfarëdo marrëveshje të re që do të bëhet mes këtyre dy forcave politike- që në fakt janë një.
Lufta pra është për poste që kanë mbetur borxh, me gjasë nga koha kur vendosën të bashkëqeverisin. Krejt çka do të jetë risi, është djegia e ndonjë ministri, që vendos të hyjë në politikë në ketë moment dhe me këtë marrëveshje. Pra, një politikan i ri i djegur. Dhe një kartë më shumë djegur. Suksesi nuk është dhe nuk do të jetë i mundshëm me këtë qeverisje, sepse as nuk ka vullnet dhe as kohë. Projektet si “Kosova e Re”, privatizimi i PTK-së, tashmë janë thuaja të dështuara, ndërsa privatizimit të “Trepçës” nuk do t’i vijë rendi sa të jenë këta në pushtet.
Thaçi po vazhdon të luajë me Pacollin përmes të deleguarve të vet në cilësinë e të “pavarurve” apo të personave mediatikë. Kjo gjë madje nuk është fare e çuditshme, sot kur shumë nga ata që ishin pjesë e strukturave themeluese të AKR-së, ta pohojnë e ta argumentojnë me emra e me ngjarje se kjo parti në fakt ishte ndërtuar nga vetë PDK-ja dhe menaxhohej e menaxhohet edhe me tutje nga vetë ajo.
Pra, AKR-ja është ndërtuar për të qenë “patericë” e PDK-së, “thithëse” e përkohshme e elektoratit të LDK-së, dhe për të “zhvatur” paratë e Pacollit nëpër xhepa të ndryshëm, duke i shitur atij ëndrrën politike dhe “presidenciale” të cilën arriti edhe ta shijojë për disa javë. Është pra një krijesë për një përdorim e PDK-së. Njëjtë sikur që dikur mendohej të bëhej edhe me një parti tjetër- atë ORA, e cila nga ky denigrim potencial shpëtoi, sepse nuk kaloi pragun zgjedhor. Të gjitha këto veprime të PDK-së, të cilat konkurrenca politike sot në opozitë, e në veçanti LDK-ja, duhet t’i ketë të paktën zili.
Përdorimit të AKR-së nga PDK-ja po i afrohet fundi. Më e sikletshmja nuk është AKR-ja dhe rasti i saj, por se ne radhë po presin edhe “lakmitarë” të gatshëm për të shijuar “ ëndrrën” e pushtetit dhuruar nga PDK. Një mësim ky të cilin në fakt nuk po e mëson AAK-ja, por po rrezikon që të ngulet në lojën e njëjtë, thjesht për shkak të ambicieve të papërmbajtura për pushtet të menjëhershëm. Nëse tashmë nuk ka rënë në të.
Prandaj, kërcënimet e Pacollit ndaj Thaçit, me dalje nga qeveria në qoftë se ai nuk i realizon synimet e tij, nuk mund të shihen kurrsesi ndryshe veçse si një lojë e cila në fund do t’i sigurojë komoditet Thaçit.
Po të ishte Pacolli serioz, do të tërhiqej moti, por nuk e bëri, dhe Thaçi e di këtë. Ashtu sikur që e di se edhe pa Pacollin brenda, por me njerëzit e tij, mund ta çojë qeverisjen deri në fund të mandatit. Nëse as kjo nuk mjafton, në ndihmë i rri karshi AAK-ja. Por, në realitet askush sot nuk dëshiron ta rrëzojë Thaçin, përpos ndoshta atij vetë!


