Fundamenti

“Llapi” para gjyqit

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Latif Gashi, Rrustem Mustafa e Nazif Mehmeti do të gjykohen për të tretën herë për krime lufte kundër popullatës civile, që dyshohet se i kanë kryer 14 vjet më parë. Procesi gjyqësor pritet të fillojë në mars, ndërsa të martën do të ketë një seancë parapërgatitore.

Muajin e ardhshëm me gjasë do të rinisë rigjykimi për tre ish-pjesëtarët e UÇK-së nga Zona Operative e Llapit.

Rigjykimi ndaj Rrustem Mustafës-Remit, Latif Gashit dhe Nazif Mehmeti pritet të rifillojë në mars. Kështu të paktën beson njëri nga avokatët e të akuzuarve. Mexhit Syla tha të hënën për Express se pritet që në mars të rifillojë rigjykimi.

“Nesër(e martë) do të mbahet një seancë përgatitore ku do të merremi vesh për terminet e seancave. Besoj që në mars do të fillojë”, tha Syla për Express që në këtë rast e mbron deputetin Latif Gashi.

Orarin për mbajtje të kësaj seance e ka publikuar edhe misioni EULEX, por e konfirmon edhe i akuzuari Gashi.

Ai tha se të martën do të jenë prezentë të akuzuarit me avokatët e tyre, trupi gjykues dhe prokurori. “Nuk do të ketë seancë të rregullt më shumë informuese”, tha Gashi për Express.

Eco Higjiena

Ndryshe seanca e fundit ishte mbajtur në shtator të vitit të kaluar për t’u shtyrë për nëntor. Mirëpo as në nëntor nuk është mbajtur asnjë seancë, pasi trupi gjykues sigurisht se ka dashur të respektojë kërkesën e palës mbrojtëse që mos të ketë gjykim në prag të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Pas hyrjes në fuqi të Kodit të Procedurës Penale dhe reformimit të gjyqësorit shumë seanca gjyqësore janë shtyrë derisa të fillojnë me ligje të reja, por po ashtu ka probleme me salla për gjykim. Ndryshe rasti i njohur si Grupi i Llapit ku tre ish-eprorët e UÇK akuzohen për krime lufte po mbahet për herë të tretë. Hetimet e para për ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Zonën Operative të Llapit kanë filluar në vitin 2001. Gjykimi pat filluar në vitin 2002, derisa aktgjykimi qe shpallur nga drejtësia e UNMIK-ut në korrik të vitit 2003. Asokohe, Latif Gashi, Rrustem Mustafa, Nazif Mehmeti si dhe tashmë i ndjeri Naim Kadriu qenë dënuar me gjithsej 45 vjet heqje lirie.

Nga kjo gjykatë Rrustem Mustafa ish-komandant Zonës Operative të Llapit të UÇK-së ishte dënuar me 17 vjet burgim, Nazif Mehmeti, komandant i policisë ushtarake në këtë zonë me 13 vjet, Latif Gashi-komandant i sektorit informativ të UÇK-së në Zonën e Llapit me 10 vjet dhe Naim Kadriu pjesëtar i policisë me 5 vjet burgim. Ky i fundit ka vdekur në një aksident komunikacioni. Por Gjykata Supreme e Kosovës, në vitin 2005, e kishte prishur lëndën dhe e kishte kthyer në rigjykim.

Rigjykimi ka filluar më 7 korrik 2009 në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, ndërsa janë mbajtur gjithsej dymbëdhjetë seanca. Rrustem Mustafa, Latif Gashi e Nazif Mehmeti u shpallën fajtorë për krime të luftës për shkak të trajtimit çnjerëzor të civilëve të paraburgosur dhe krime të luftës, për shkak të rrahjes dhe torturimit të civilëve të paraburgosur. Latif Gashi u dënua me 6 vjet burg, Nazif Mehmeti me 3 vjet, ndërsa ish komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa është dënuar me 4 vjet burgim. Në qershor të këtij viti Gjykata Supreme e Kosovës këtë rast sërish e ka kthyer në rigjykim.

Të tretë tash po gjykohen vetëm për një pikë të aktakuzës që ka të bëjë me rrahjen dhe torturimin e civilëve shqiptarë në një kamp të UÇK-së në Llapashticë të Podujevës. Pika tetë e aktakuzës që pritet t’i nënshtrohet edhe një gjykimi akuzon tre ish-ushtarët e UÇK-së Latif Gashi, Nazif Mehmeti dhe Rrustem Mustafa se prej muajit tetor të vitit 1998 deri nga fundi i muajit prill i vitit 1999, duke vepruar në bashkërendim me persona të tjerë të paidentifikuar dhe në bazë të një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale, kanë urdhëruar dhe kanë marrë pjesë në rrahjen dhe torturimin e civilëve shqiptarë të Kosovës që mbaheshin në paraburgim në Llapashticë, në një përpjekje që të detyrojnë të paraburgosurit të pranojnë veprimet e tradhtisë ndaj UÇK-së. Gjykata Supreme ka konstatuar se Gjykata e Qarkut e Prishtinës, në aktgjykimin e shpallur në tetor të 2009-s ka pasur shkelje procedurale nga kolegji gjyqësor. Supremja kishte anuluar dënimin e “Grupit të Llapit”.(express)