Limaj, qeveritarëve: Mos i shantazhoni anëtarët e Nismës
Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, porositi strukturat qeveritare, që të mos i kërcënojnë dhe shantazhojnë me vende pune ,apo gjëra të tjera qytetarët që po i bashkohen Nismës. Këtë kërkesë Limaj e bëri në Këshillin e Nismës për Kosovën në Lipjan, në tubimin themelues, ku, përveç shumë anëtarëve dhe simpatizantëve lipjanas, morën pjesë edhe udhëheqësit e lartë të subjektit më të ri politik në Kosovë.
Kryetari i Kryesisë së Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj ka thënë se çdo qytetar ka të drejtë të mendojë për ndryshim dhe se ndryshimi është duke ardhur.
“Ndjehem mirë sepse Nisma për Kosovën bekimin e saj e ka marrë nga ju, nga ju që keni pasur guximin të shprehni mospajtimin me qeverisjen në Komunë dhe në Kosovë dhe keni kërkuar ndryshim. Zëri juaj për ndryshim është dëgjuar dhe ndryshimi po vjen, po vjen jo vetëm në Lipjan, por në të gjithë Kosovën. Nisma për Kosovën është zë i juaji, është Nismë e juaja. Prandaj kërkoj nga secili që është sot këtu që të marrë Nismën në shoqërinë tuaj, në rrethin tuaj, në shtëpitë, në lagjet, në fshatra e në gjithë Komunën, sepse Nisma ka nevojë për të gjithë që të arrihet ndryshimi. Lipjanit dhe gjithë Kosovës i duhet ndryshim dhe se ndryshimin do ta bëjnë vet qytetarët e guximshëm dhe me vizion për një të ardhme më të mirë”, ka thënë Limaj.
Limaj në fund drejtoi edhe një mesazh për strukturat qeveritare, duke kërkuar që të mos i kërcënojnë dhe shantazhojnë me vende pune apo gjëra të tjera qytetarët që po i bashkohen Nismës. “Lejoni njerëzit që të lirë të bëjnë përzgjedhjen e tyre. Askush nuk mund ta ndalë vullnetin e qytetarëve. Kjo është parë edhe në të kaluarën”.
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi ndër të tjera foli edhe për problemet ekonomike dhe sociale më të cilat ballafaqohet vendi ynë.
“Kosova aktualisht nuk ka rritje të qëndrueshme ekonomike, i gjithë tregu i brendshëm varet nga importi i mallrave nga jashtë. Kosovës i mungon kohezioni social, dhe investimi në njerëz të dijshëm është tepër i ulët, ndërsa aktualisht Kosova po ballafaqohet me përjashtim shoqëror tepër të madh”, ka thënë Krasniqi.
Kryetari i Nismës për Kosovën në Lipjan, Fitim Selimi, tha se ky subjekt politik është vazhdimësi e atyre që dhanë jetën për këtë vend.
“Politika ekzistuese ka qenë e ngulfatur dhe nuk ka dhënë hapësirë për të punuar. NISMA është ajo që po e ringjallë këtë vend me vlera dhe me kuadro profesioniste. Ne edhe në vazhdimësi do ti nderojmë dhe do i përkujtojmë dëshmorët që ranë për këtë vend”, ka thënë Selimi. /Telegrafi/


