Ligji që diskriminon

Nga Ibrahim Rexhepi – Ligji për investimet e huaja ka tri mangësi esenciale: është diskriminues në raport me investuesit e brendshëm, e bën Qeverinë e Kosovës të pafuqishme përballë investuesve nga jashtë dhe imponon bizneset vendore të jenë në shërbim të të huajve.
Është e qartë se Kosovës i duhen para dhe investime. Nëse Qeveria e Kosovës nuk ka politikë efikase që duke shpenzuar paratë publike vendin të nxjerrë nga varfëria dhe papunësia, atëherë mundohet që këtë përgjegjësi t’ua bartë investuesve. Tek e fundit, në rrafshin afatgjatë, është krejtësisht e pranueshme që bartës i zhvillimit ekonomik të jetë sektori privat. Mirëpo, që të arrihet kjo, së pari duhet që përmes parasë publike të krijohet infrastruktura efikase dhe ambienti joshës për kapitalin privat, si nga jashtë, ashtu edhe nga brenda.
Për shkak të mospërfilljes së këtij koncepti, përmes Projektligjit për investimet e haja, i cili tashmë ka hyrë në procedurë parlamentare, Qeveria e Kosovës dëshiron me çdo kusht që të dëshmohet tepër r hapur ndaj kapitalit nga jashtë, madje deri në masën kur sjell në dyshim se kush është këtu zot shtëpie- ai që ka fituar besimin nga populli apo ai që sjell para.
Në thelb është një dokument që ka tri lëshime serioze: diskriminon biznesin vendor në raport me investuesit e jashtëm; qeverinë e bën të pafuqishme përballë atij që sjell para nga jashtë dhe, nëse bizneset vendore dëshirojnë të gëzojnë privilegjet e këtij ligji, atëherë ata duhet të vihen në shërbim të investuesit nga jashtë.
Kur kemi parasysh vetëm këto tri fakte, atëherë del qartë se investuesi i huaj është diçka më shumë se potencial për zhvillimin ekonomik (nëse ai e ka këtë synim) dhe si urë ndërlidhëse me ekonomitë e shteteve prej nga vijnë.
Që të gjitha dalin të qarta nga dokumenti i sponsorizuar nga Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë. Në nenin 3 thuhet se çdo autoritet publik që shkel apo dështon të respektojë të drejtat dhe garancitë e siguruara për investuesit e huaj do të jetë i detyruar të paguajë kompensim.
Një qëndrim i këtillë mund të jetë i pranueshëm nëse ka për qëllim të rritë efikasitetin dhe kujdesin e institucioneve publike. Mirëpo, krejt defekti del nga fakti se këtë privilegj nuk e kanë bizneset vendore. Atyre u duhet shumë mund, kohë dhe shpenzime që të dëshmojnë të drejtën për kompensim. Ndodh që edhe të tërhiqen nga ky rrugëtim i mundimshëm, meqenëse nuk duan të prishin punë me investuesin më të madh në Kosovë – qeverinë.
Neni 6 i këtij dokumenti e obligon qeverinë të ta kompensoj investuesin, nëse bën ndryshime ligjore brenda pesë vjetësh pas datës së bërjes së një investimi dhe nëse ai në ndonjë mënyrë cenohet apo rrezikohet !
Do të ishte krejtësisht në rregull sikur kjo qasje të mbretëronte ndaj të gjitha ligjeve. Do të thotë të miratohen ligje, të cilat nuk kanë nevojë të plotësohen e ndryshohen secilin mandat. Kjo në fakt dëshmon edhe stabilitetin e vendit. Por, jemi dëshmitarë të faktit se ligjet kanë ndryshuar varësisht nga ajo se kush ka qeveris me pushtetin. E krahas këtyre kanë ndryshuar esencialisht edhe projektet , përkatësisht ofertat për investime. Sa për ilustrim po përmendim energjetikën, përkatësisht ngritjen e termocentraleve të reja. Fillimisht është premtuar për kapacitete prej 2.100 megavatesh, ndërsa tash ato janë reduktuar deri në 500-600 megavate; pastaj në tender futet edhe termocentrali “Kosova B’, pastaj tërhiqet nga pakoja.
Kjo tregon se gjërat lëvizin shpesh, qoftë për shkak të mungesës së seriozitetit dhe vizonit që duhet ta ketë qeveria apo për shkak të ndryshimit të rrethanave të brendshme dhe të jashtme. Për këtë arsye qeveria nuk guxon që vetes t’ia lidhë duart që për pesë vjet me radhë të mos bëjë asnjë ndërhyrje në ligjet, të cilat në ndonjë mënyrë cenojnë interesin e investuesit nga jashtë. Për më keq, këto dy interesa është vështirë të koordinohen, meqenëse qeveria në esencë duhet ta ketë për synim zhvillimin ekonomik e social të vendit, ndërsa investuesi ka parasysh vetëm profitin.
Neni 11 parasheh kompensimin e dëmit, nëse ai ka ndodh si rezultat i dhunës që lidhet me situatën politike!
Pra, nëse ndodh ndonjë rebelim kudo në Kosovë apo një bllokim i rrugëve, Qeveria e Kosovës duhet të kompensojë dëmin pse investuesi nuk paska mundur të bëjë transportin e mallrave. Apo nëse ndodhë që rebeluesit e pakënaqur me mënyrën se si qeveriset vendi, pa dashje dëmtojnë objektet apo mjetet e transportit të ndonjë investuesi nga jashtë, atëherë ky dëm duhet të kompensohet nga buxheti i Kosovës. Qeveria nuk ka asnjë arsye të marrë këtë përgjegjësi. Kjo çështje mund të rregullohet në mënyrë shumë elegante: të ndërtojë një sistem efikas të sigurimeve, të cilat do të jenë korrekte në raport me të siguruarit, posaçërisht kur është në pyetje kompensimi i dëmeve. Madje, nëse investuesi nuk ka besim në kompanitë kosovare për sigurime, atëherë ai mund të sjellë polisën nga cilido shtet tjetër. Së paku, ky është modeli për sigurimin biznesit në secilin vend me treg të zhvilluar. Vetëm të përkujtojmë se kur ndodhi kriza financiare në SHB A,të gjitha kalkulimet bëheshin se sa do të paguante AIG apo “Loydi”, të cilat kishin siguruar bankat e goditura.
Për të shfrytëzuar të gjitha këto përfitime, së pari investuesi duhet të fitojë statusin si i huaj. Kjo arrihet lehtë: përmes dokumentit që identifikon shtetësinë e huaj. Ndërkaq, si investim i huaj trajtohet ai që së paku 25 për qind të kapitalit ka nga burimet e jashtme. Duket pasur parasysh privilegjet që ofron ky ligj, atëherë investuesit e brendshëm janë të detyruar që me çdo kusht të sjellin dikë nga jashtë. Me këtë ata krijojnë një përparësi përballë qeverisë dhe në përgjithësi aparatit shtetëror, fakti të cilin nuk e kanë nëse po që se mbesin 100 për qind vendorë.
Kjo zgjidhje mund të ketë për synim krijimin e partneriteteve ndërmjet subjekteve vendore me ato nga jashtë. Mirëpo, qasja është e gabueshme. Partneriteti nuk mund të ndërtohet dhe të garantohet vetëm përmes formulave matematikore, përkatësisht përmes pjesëmarrjes në kapital, por fillimisht duke faktorizuar bizneset vendore. Kur ato arrijnë këtë nivel, atëherë është lehtë të ndërtohen partneritete. Madje, ato do të bazohen mbi interesin, meqenëse tash edhe biznesi vendor është faktor për negociata, e jo për sigurimin e çerekut të kapitalit.
Është fakt i pamohueshëm se Kosova ka nevojë për investime thithjen e kapitalit nga jashtë. Por, njëkohësisht është fakt se kjo nuk mund të arrihet vetëm përmes një ligji, i cili favorizon secilin investues që vjen nga jashtë. Po ashtu kjo nuk mund të arrihet duke pasur për synim vetëm renditjen në listën e Bankës Botërore për bërjen e biznesit. Fillimisht, Qeveria e Kosovës duhet të ketë parasysh dy momente. E para, të ndërtojë një ambient të qëndrueshëm dhe të sigurt për të gjitha bizneset. E dyta, të forcojë bizneset vendore në mënyrë që ato të paraqiten si partnerë të barabartë përballë investuesve nga jashtë. Kjo nuk e detyron qeverinë që tash të investojë në biznese private, por vetëm të ndryshojë qasjen ndaj tyre: ato të mos trajtohen vetëm si burim për mbushjen e arkës së shtetit, por si potencial kryesor për zhvillimin e vendit.