FITORJA

Ngërçi Institucional dhe përgjegjësia Politike për mosfunksionimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës!

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Ujmir Krasniqi – Kosova po kalon një nga momentet më shqetësuese në jetën e saj parlamentare dhe demokratike, për shkak të pamundësisë për të konstatuar plotësisht Kuvendin dhe për të zgjedhur Kryetarin e tij. Kjo situatë e krijuar si pasojë e mungesës së konsensusit dhe vullnetit politik ndërmjet pozitës dhe opozitës, ka bllokuar funksionimin normal të institucionit më të lartë përfaqësues të qytetarëve Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Është e papranueshme që, pas përfundimit të zgjedhjeve dhe dhënies së mandatit nga qytetarët, përfaqësuesit politikë të mos jenë në gjendje të realizojnë hapin e parë të funksionimit institucional atë të zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit. Kjo tregon jo vetëm mungesë pjekurie politike, por edhe një neglizhencë të qartë ndaj vullnetit të popullit, i cili përmes votës ka kërkuar përfaqësim, stabilitet dhe zhvillim, jo bllokadë e as krizë.

Refuzimi i dialogut të sinqertë me opozitën, si dhe tentimi për të shtyrë përpara një agjendë të njëanshme politike, ka kontribuar në thellimin e krizës.

Bllokimi me çdo kusht i proceseve pa ofruar alternativa konkrete nuk është veprim konstruktiv, por një akt që e dëmton demokracinë dhe paralizon sistemin institucional. Kur të dyja palët politike i vënë interesat e tyre partiake mbi interesin shtetëror dhe qytetar, atëherë humbësit më të mëdhenj janë qytetarët, ata që i dhanë legjitimitet këtij Kuvendi përmes votës së lirë.

FIDANISHTJA

Ky mosfunksionim i Kuvendit jo vetëm që ndikon në vonesën e miratimit të ligjeve, por edhe e pengon mbikëqyrjen e qeverisë, emërimet në institucione, dhe paralizon mekanizmat demokratikë që sigurojnë baraspeshën në pushtet. Republika e Kosovës nuk mund të përballojë gjatë një vakuum institucional, pa pasoja serioze për stabilitetin, zhvillimin ekonomik dhe integrimet ndërkombëtare.

Partitë politike duhet të kuptojnë se vota e qytetarëve nuk është një çështje aritmetike për ndarje pushteti, por një mandat për të punuar në interes të vendit. Mosrespektimi i këtij mandati është një tradhti morale dhe politike ndaj atyre që u besuan përfaqësimin. Prandaj, është koha që të dyja palët pozita dhe opozita të heqin dorë nga kalkulimet e ngushta dhe të marrin përgjegjësinë që u takon. Nëse nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë, atëherë duhet të mendojnë seriozisht për të kthyer mandatin te qytetarët.

Demokracia kërkon veprim, jo vetëm retorikë. Institucionet janë për të funksionuar, jo për të mbetur peng i krizave të pafundme politike.