Lidershipi i përgjegjshëm
Nga Naser Sertolli – A mund ta marrim me mend situatën kur një zyrtar i lartë shtetëror, presidenti, kryeministri, ndonjë ministër apo kryetar komune do të jepte dorëheqje për ndonjë rast tragjik, i çfarëdo natyre qoftë ai, në të cilin do ta pësonin qytetarët e Kosovës? Në Kosovën e pasluftës, është një rast i vetëm. Për të kam shkruar në një editorial të mëhershëm. Përndryshe, dy raste, të paktën, që do t’i trajtoj në vijim, tregojnë se për pushtetarët tanë lënia e postit është diçka e huaj. Është e panjohur. Ndodhi çka ndodhi! Dhe, njëkohësisht, do të ofroj rastin e një shteti normal, me pushtetarë të përgjegjshëm.
Rasti i parë është ai i 14 tetorit 2004, kur pesëmbëdhjetë maturantë të Malishevës humbën jetën në aksidentin e autobusit të tyre në Fushë-Arrëz, teksa po ktheheshin nga ekskursioni në Shqipëri. Ju kujtohet, tragjedia kishte zhytur në zi Kosovën e Shqipërinë. Është e kuptueshme që fatkeqësitë e tilla mund të ndodhin çdokund dhe në çdo kohë, por reagimi i autoriteteve, që nuk shkoi përtej shprehjes së ngushëllimeve dhe të solidaritetit me familjet e viktimave dhe të të lënduarve, ishte më shumë se i tmerrshëm.
Ndonëse me kompetenca të kufizuara, meqë në atë kohë pushteti në pjesën më të madhe ushtrohej nga UNMIK-u, asnjë drejtues i nivelit qendror as lokal nuk u ndje së paku moralisht përgjegjës dhe të ofronte dorëheqje. Ndonëse, në këtë rast mund të kërkohej edhe përgjegjësi penale si ndaj zyrtarëve të pushtetit lokal, të cilët kishin organizuar ekskursionin dhe kishin përzgjedhur transportuesit, ashtu edhe të pushtetit qendror, meqë në kufi ishte lejuar të kalonte edhe autobusi që kishte rënë në humnerë, e i cili, siç pretendohet, nuk kishte kurrfarë sigurimi dhe as që kishte pasur ndonjëherë.
Malisheva si komunë është sërish shembull i zyrtarëve të papërgjegjshëm. I atyre që as nuk skuqen për dështimin e përmbushjes së detyrave dhe detyrimeve që kanë. Të vdesin njerëzit nga pickimi i rriqrave e të mos mbahet përgjegjës askush, veç te ne ndodh. Por, fajin për fatin e zi të banorëve të kësaj komune fatkeqe nuk e ka as Ministria e Shëndetësisë, as ajo e Ambientit, as institucionet komunale, as njerëzit që i drejtojnë ato. Fajin e kanë qytetarët, të cilët i lejojnë këto institucione dhe drejtuesit e tyre të tallen me ta, duke ndarë buxhete e duke marrë masa qesharake kinse mbrojtëse.
Tash, është radha të tregohet se ç’ndodh në një vend normal, me lidership të përgjegjshëm, në rast të ndonjë tragjedie eventuale. Rasti më i freskët është ai që ka ndodhur në Letoni. Kryeministri i vendit, Valdis Dombrovskis, të mërkurën ka ofruar dorëheqjen e tij dhe të kabinetit pas një katastrofe në kryeqytetin Riga, ku si pasojë e shembjes së kulmit të një supermarketi, jetën e kanë humbur së paku 54 persona.
Pyetja normale që do të shtrohej në këtë rast do të ishte: po çka ka lidhje kryeministri ose qeveria me një supermarket ose me fatkeqësinë e tij? Bash kurrgjë, do të ishte përgjigjja nëse ajo do të duhej të jepej këtu, te ne. Por, jo edhe në Letoni. “Qeveria merr përsipër përgjegjësinë politike për këtë tragjedi”, ka deklaruar një zëdhënës i kryeministrit, i cili ishte në kulmin e karrierës politike. Valdis Dombrovskis ishte duke drejtuar kabinetin e tretë me radhë. Të parin e ka nisur më 2002. Sa për lakmi ky vend baltik për klasën politike që ka!
E, sot, qytetarët e disa komunave të Kosovës përmes votës së tyre e kanë mundësinë të zgjedhin drejtuesit e tyre lokalë. Jo që pret dikush që drejtuesit e këtyre komunave që kanë shkuar në balotazh do të jenë në nivelin më të lartë të përgjegjësisë, por është mirë që secili qytetar me të drejtë vote ta shfrytëzojë rastin që ta rrëzojë nga pushteti kryetarin që s’i ka kënaqur pritjet e tij ose t’ia japë mundësinë një tjetri, që duket pak më i mirë se i pari. Po ashtu, me pjesëmarrjen sa më masive do t’i jepet më shumë legjitimitet secilit prej atyre që nesër do të jetë i pari i komunës.


