ARKATANA

Liderët politikë të Luginës si rosat në mjegull

/ 3 minuta lexim
ARKATANA

Subjektet politike shqiptare të Luginës së Preshevës, nuk janë unikë, si përherë rreth zgjedhjeve parlamentare në Serbi. Ata, të ndarë e të përçarë në shumë parti, nuk po arrijnë të dalin me një koalicion, me një listë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare serbe.

Partitë, të cilat deri dje kanë participuar në këto zgjedhje dhe për tri mandate rresht edhe e kanë pasur deputetin në Parlamentin republikan të Serbisë edhe më tej insistojnë te partitë tjera të bashkohen me ta për ta siguruar edhe një mandat në këto zgjedhje.

Partia për Veprim Demokratik e Riza Halimit, po i shëtit partitë simotra në Tiranë dhe Prishtinë, për t’i bindur, që të dalin me një listë në këto zgjedhje. Duke bredhur nëpër Shqipëri e Kosovë, ditët po kalojnë e lidershipi i Luginës assesi të bëhet bashkë.

Tirana dhe Prishtina kanë filluar të lodhen dhe të mërziten me praninë kaq të madhe të përfaqësuesve politikë shqiptarë të Luginës, në këto takime dhe kanë kërkuar që të reduktohet numri i tyre të paktën në pesë vetë.

Uji Dea

Lufta më e madhe është duke u zhvilluar se kush do të jetë prijës në këto takime dhe kush do të jetë bartës i Listës zgjedhore, nëse merren vesh për të dalë gjithë në zgjedhje. Kësaj lufte më së shumti po i prinë Riza Halimi dhe partia e tij e cila në zgjedhjet lokale ka ngel opozitë, ndërsa në ato qendrore në pozitë. Me humbjen e deputetit dhe Këshillit Nacional, PVD e Riza Halimit, nuk është më ajo që ishte dikur.

Çfarë logjike! Pozita vrapon për ta ndihmuar opozitën, që deri dje është ankuar se po e bllokon në organet e larta shtetërore. Riza Halimi, duke parë rrezikun nga këto lëvizje, ka vendosur që për bartës të Listës, mos të dal vetë, por kryetari i degës së partisë nga Bujanoci, Shaip Kamberi.

Këto fiskultura Riza Halimi i bënë kur ka marrë vesh se në këto zgjedhje po del edhe shoqëria civile me Listën për ardhmërinë e shqiptarëve në Serbi, të Nexhmedin Saqipit. Duke parë Rizai një konkurrent të fortë për Tërnoc dhe Buajnoc e në nivel rajoni, ka vendosur të tërhiqet, ngase që përpara po e sheh humbjen.

Nuk është e lehtë për një kryetar partie si Riza Halimi, i cili për tri mandate ka udhëheq me postin e deputetit, të tërhiqet, por ja që populli po do ndryshime, e ndryshimet vijnë me votë e cila do ta tregoj forcën e vetë më 16 mars në zgjedhjet parlamentare, njofton Agjencia e lajmeve Tërnoci Press.