Libri që ndërton shtëpinë

/ 5 minuta lexim

Në librin „Për popull e atdhe“, të Femzi Brahës prezantohet humaniteti dhe ndjenja patriotike e afaristëve shqiptarë në Zvicër

Më 18 nëntor, në sallën e shkollës së Vindishit në Kantonin e Argaut, nën patronatin e Ministrisë së Diasporës u bë përurimi i librit „Për popull e adhe“, të autorit Femzi Braha

Përurimit i parapriu në film i shkurtër dokumentar kushtuar ndërtimit të një shtëpie për familjen nëntë anëtarëshe Xhafa në fshatin Bare të Shalës së Bajgorës e që ishte bërë me moton: „Libri që ndërton shtëpinë“.

Moderatori i këtij përurimi Hamzë Morina bëri të ditur se ky libër është një dokumentar për njerëzit e mërgatës, të cilët me moralin e lartë për idealin kombëtar dhanë shumëçka prej vetes, pa kursyer, për të ndihmuar Kosovën martire, njerëzit e saj dhe gjithë shqiptarët në trojet e veta. Në libër prezantohet humaniteti dhe ndjenja patriotike e afaristëve shqiptarë në Zvicër. Në këtë libër monografi autori sjell jetëshkrimet e 130 veprimtarëve të pavarur afaristë, duke lënë për të besuar se në të ardhmen do të hulumtojë edhe veprimtarë të tjerë, gjithandej Zvicrës, për t’i plasuar në librat e ardhshëm me po të njëjtin titull „Për popull e atdhe“. Me këtë edhe ndërtimin e shumë shtëpive të tjera për skamnorët në Kosovë.

Abas Fejzullahu në vështrimin kushtuar këtij libri përkujtoi se „Bamirësia është thesar i vetëm i cili shtohet duke e ndarë me të tjerët. Ai që s‘ka pasuri është i varfër, por më i varfër është ai që s‘ka tjetër përveç pasurisë“. Më tej z. Fejzullahu, atdhedashurinë e bashkatdhetarëve në Zvicër e ilustroi me thënien e autorit të paraqitur në fillim të librit se „Jorgani i mërgimtarit është dheu i atdhetarit“. Nga ky vështrim për këtë vepër mësohet gjithashtu se autori Braha kishte arritur që në libër t’i prezantojë edhe 35 nga 130 bamirës që kishin vepruar me moton „Familja ndihmon familjen“.

Në bisedë me disa afaristë krijohet përshtypja që edhe emisioni televiziv i RTV 21 ka gjallëruar afaristët bamirës për të kontribuar në Kosovë. „Sapo u informova nga RTV21 për nevojën e një familje afër Gjakovës, menjëherë ndava mendjen që ta ndihmoj atë. Për shumën nuk do të flas, por me rëndësi ajo familje tani ka një kulm mbi kokë“, thotë Tomë Kqira nga rrethina e Gjakovës.

Fundamenti

Përurimin e librit e begatoi pjesëmarrja e disa nxënësve të shkollës shqipe në Kantonin e Argaut, të cilët udhëhiqen nga mësuesja Alije Mujaj.

Të pranishmit në sallë, por edhe gjithë bashkatdhetarët në Zvicër i përshëndeti, në emër të Ministrisë së Diasporës, Shukrije Ramadani, duke i përkujtuar ata siç tha edhe vetë: „Pa ju nuk do të bëhej as liria e as paqja, prandaj ju jemi falënderues“. Zonja Ramadani apeloi te bashkatdhetarët që t’i lidhin edhe më shumë gjeneratat e reja me atdheun, duke i përkujtuar se kjo bëhet më së miri përmes interesit ekonomik, pra përmes investimeve në vendlindje. Ajo falënderoi autorin për librin, duke shpresuar që në librat e ardhshëm të prezantohen edhe shumë shqiptarë të tjerë në Zvicër që kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë për Kosovën.

Të pranishmit i përshëndeti edhe kryetari i shoqatës humanitare „Medvegja“ me seli në Valis, Zenel Neziri, për të thënë: “unë ndjej kënaqësinë që në këtë libër janë të përfshirë edhe shumë bashkatdhetarë që janë anëtarë të shoqatës sonë, dhe shpresoj që në të ardhmen të shtohet edhe më shumë numri i tyre, duke krijuar kështu kushte për një jetë më të mirë për skamnorët“.

Autori i librit shfrytëzoi nga rasti që t’i përshëndetë të pranishmit, duke ua bërë me dije se ky projekt i ndihmës humanitare për ndërtimin e shtëpisë për familjen Xhafa ka rezultuar që të përmbushet edhe me botimin e këtij libri. I vetëdijshëm se ky projekt kërkon angazhim të madh dhe të vazhdueshëm, Braha u zotua sërish për vazhdimin e këtij projekti, gjithmonë duke shpresuar në mbështetjen e bashkatdhetarëve për popull e atdhe.

Femzi Braha, duke i falënderuar ndihmëtarët kërkoi që nëse ndokush prej tyre ka planifikuar të jetë në Kosovë më 28 nëntor, të marrë pjesë në një komision i cili do t’ia dorëzojë çelësat e shtëpisë pronarit Xhafa, pikërisht në Ditën Flamurit dhe në 100-vjetorin e Pavarësisë së shtetit shqiptar.

Për këtë vepër, por edhe për gjithë këtë projekt, autorin e përgëzuan të gjithë pjesëmarrësit disa prej të cilëve e bënë edhe para publikut në sallën e shkollës së Vindishit.(albinfo)