Libri i Pean nuk e prish miqësinë me Francën

Libri i autorit të famshëm francez, Pierre Pean që prezanton Kosovën si shtet mafioz dhe politikanët e saj si njerëz të lidhur më krimin dhe nëntokën, nuk do të ketë ndikim në politikën e shtetit francez karshi Kosovës.
Burime brenda Qeverisë së Kosovës i kanë thënë gazetës se kanë marrë garanci nga diplomacia franceze se, pavarësisht ndikimit që mund të ketë libri në publikun e këtij shteti, ai nuk do të ketë ndikim në qëndrimin e shtetit francez karshi Kosovës.
Franca, njëra nga shtetet më të fuqishme evropiane, është anëtare e pesëshes së fuqishme ndërkombëtare që kanë krijuar dhe njohur shtetin e Kosovës.
Institucionet e Kosovës kanë vendosur që të mos flasin për librin derisa i ai të mos publikohet zyrtarisht. Në kushte anonimiteti, zyrtarë të lartë qeveritarë i kanë thënë gazetës se vlerësimi për autoritetin e madh të Pean dhe bashkautorit tjetër të librit Sebastian Fontenelle, kanë bërë që të vendoset injorimi.
“Në një rrethanë të tillë, një publikim të tillë mënyra e vetme për ta luftuar është injorimi”, ka thënë një zyrtar qeveritar.
Pierre Pean, në librin që po përgatitet të dalë në treg kah mesi i prillit, trajton funksionimin e ShIK-ut, lidhjet e kësaj strukture që pretendohet se ekzistojnë me kryeministrin aktual të Kosovës Hashim Thaçi, aktivitetet e nëntokës në Kosovë, lufta e UÇK-së si dhe akuzat për krime lufte dhe lidhjet e pretenduara të nëntokës me ish-kryeministrin tjetër, Ramush Haradinaj (Tribuna).