Libri i dr. Fatmir Selimit me vlera të shumëfishta, përshkruan në hollësi Masakrën e Gjilanit

/ 9 minuta lexim

Gjilan – Kurtesh Devaja, në hollësi ka përshkruar masakrën e Gjilanit kurse librin e ka vlerësuar origjinal dhe të dokumentuar. Kurse historiani Aliriza Selmani, i cili edhe vetë është marrë me këtë temë, që e cilësoi të gjerë, por për të cilën arkivat edhe ai i Beogradit mbeten të mbyllura për shqiptarë, ngase i shkatërroi ato dokumente OZNA. Ai tha se ua kemi borxh të gjithëve t’a bëjmë një tabelë dhe se duhet është bërë edhe më shumë, ngase terreni nuk është shfrytëzuar sa duhet.

Në ambientet e Bibliotekës Ndërajonale “Fan S. Noli” këtë të shtunë është përuruar libri “Masakrat serbo-sllave në Gjilan, Kamenicë, Viti, Preshevë, Bujanoc, Kumanovë dhe Shkup në vitet 1944/1945” i autorit dr. Fatmir H. Selimi.

Fillimisht për rëndësinë e këtij libri dhe historinë e trishtë të këtyre viteve ka folur studiuesi – moderatori dr. Faik Sahiti, kurse për masakrën e Gjilanit është shkruar edhe më herët, ka thënë Florim Isufi, që ka vlerësuar se autori i librit, Fatmir Selimi ka bërë gjurmime të mira, i cili pos vendbanimeve që janë në titull të librit, ka shkruar edhe për masakrën e Tërnoci. Isufi ka vlerësuar se këto studime nuk duhet ndalur deri në identifikimin e të vrarëve më të fundit, ngase siç ka gjetur ai, ngjarjet po harrohen ndër breza.

Ndërsa Kurtesh Devaja tha se Fatmir Selimi, pas një pune me vlerë që ka bërë deri tash për ndriçimin e një varg ngjarjesh historike, që kanë të bëjnë me shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, përkatësisht vendndodhjen dhe jetën e pasardhësve të familjeve të tyre, që para shumë dekadash ishin shpërngulur në Turqi, tani iu përvish punës hulumtuese për të ndriçuar ngjarjen e dhimbshme dhe personazhet dhe viktimat e “Masakrës serbosllave në Gjilan, Kamenicë, Viti, Preshevë, Bujanoc, Kumanovë dhe Shkup në vitet 1944/1945.

Libri më i ri që po e promovojmë sot, “Masakrat serbosllave në Gjilan, Kamenicë, Viti, Preshevë, Bujanoc, Kumanovë dhe Shkup, në vitet 1944/1945, në fakt paraqet një spektër të gjerë ndodhish në përfundim të Luftës së viteve 1944/1945.

Libri i autorit Fatmir Selimi që po e promovojmë sot, është një dokumentar i vlefshëm që evidencon me emër dhe mbiemër personat e masakruar shqiptarë në Anamoravë, Preshevë, Bujanoc, Kumanovë dhe Shkup, gjatë viteve 1944/1945. Vlen të theksohet me këtë rast se, përmasat e kësaj masakre ishin të tmerrshme, ku rreth 8.000 të vrarë për vetëm dy-tre muaj të atij dimri të vitit 1944, është një statistikë mbase e padëgjuar për ndonjë masakër ndër krahina shqiptare. Duke qenë vetë nga Anamorava dhe i rritur e me rrëfimet e dëshmitarëve të asaj ploje dhe nga leximet historike, kam patur rastin të dëgjojë rreth kësaj masakreje të tmerrshme, që e bënë serbosllavët ndaj shqiptarëve të pa fajshëm. Nga rrëfimet e dëshmitarëve të kohës, Masakra e Gjilanit ndodhi nga fundi i nëntorit 1944 gjer në fillim të shkurtit 1945, pak kohë pas çlirimit të Gjilanit prej okupacionit gjerman. Në fakt edhe i vetëquajturi “pushtet popullor” që ishte vendosur pas çlirimit në Gjilan, udhëhiqej nga një nacionalisti siç ishte Vllada Popoviq, i biri i Tomës, ish-deputetit të Partisë Radikale të Pashiqit, në kohën e kralit, i cili kishte vrarë shqiptarë para luftës, dhe më pas ishte bërë me partizanët.

Nga dëshmitarët e kohës, thuhet se fati i Gjilanit në fundvitin 1944, kishte mbetur në duart e kriminelit Vlado Popoviq, sekretar i Organizatës së Partisë Komuniste në Gjilan. Vrasjet e shqiptarëve e turqve të qytetit dhe rrethinës, sipas dëshmitarëve të kohës, kishin nisur që në natën e 16 nëntorit të vitit 1944, e gjer më 23 dhjetor po atij viti. Por, më shumë se sa vrasje masive, pati plaçkitje dhe maltretime në zyret e OZNA-s famëkeqe ose pushkatime jashtë qytetit. Vrasjet kryheshin zakonisht në grupe, me nga 50-60 vetë përnjëherë, madje edhe në qendër të qytetit, tek Ura e Maskatarit, ku në lumin mbi të cilën ishte ngritur kjo urë, në Dobrushë, thuhet se për ditë të tëra rridhte uji i kuq nga gjaku i të vrarëve që hidheshin aty. Njerëzit likuidoheshin kryesisht natën, ndërkohë që pushteti detyronte romët e qytetit të bënin muzikë popullore serbe me tinguj të lartë në ato orë të mbrëmjes, ashtu që të mos dëgjoheshin thirravajat e këlthitjet e shqiptarëve, që po keqtrajtoheshin (para se të pushkatoheshin të lidhur me litarë në grupe): iu rripej lëkura, iu priteshin kokat, goditeshin me çekanë e thika, qyski e singi, dru e sopata, digjeshin në turra drunjsh, digjeshin me saç të nxehtë, përvëloheshin me ujë të vluar, etj. Pjesa më e madhe e masakrave masive në Gjilan dhe rrethinë u kryen në netët, në vigjilje të Krishtlindjeve.

Shqiptarët në Gjilan merreshin natën apo në ag të parë nga lagjet e qytetit, por edhe nga fshatrat, ashtu siç ishin duke fjetur, me këmishë e brekë. Vetë një serbe gjilanase, mjekja Angja Todoroviqi, gruaja e avokatit të njohur, Pera Todoroviqit, thuhet se kur vizitoi burgjet e OZNA-s dhe pa tmerrin e masakrave ndaj shqiptarëve, i tha shefit të OZNA-s se “kështu as me shtazë nuk veprohet, e lëre më me njerëz.

”Ajo pësoi shok dhe nga traumat e pamjeve që pa, brenda një kohe të shkurtër vdes. Në fakt pushtimi serb i Gjilanit me rrethinë u shoqërua me tmerr e masakra të papara deri atëherë, sidomos në fshatrat e Gjilanit. Kjo ndërmarrje shoviniste kishte për qëllim të shkaktojë frikë në popullsinë shqiptare. Për pastrimin etnik apo zhdukjen e shqiptarëve. Ushtria serbe ndiqte një taktikë të përpunuar mirë nga specialistë e kriminelë. Në fillim vepronte ushtria, duke u futur në çdo fshat të Anamoravës, ku kapte e ekzekutonte atdhetarët, kryetarët e familjeve, arrestonte dhe digjte shtëpi të fshatarëve. Pasi largohej ushtria vinin forcat ushtarake – policore e paramilitare. Këto, nën maskën e vendosjes së rendit, arrestonin, vrisnin e zhduknin banorë të pafajshëm, gra, pleq e fëmijë.

Autori i librit Fatmir Selimi në librin e tij dokumentar: “Masakrat serbosllave në Gjilan. Kamenicë, Viti, Preshevë, Bujanoc, Kumanovë dhe Shkup në vitet 1944/1945, për t`u mos harruar ka prezantuar dokumentacionin e dëshmorëve dhe individëve të vrarë gjatë masakrës së viteve 1944/1945.

Fillimisht në libër ka radhitur emrat e të pushkatuarve në qytetin e Gjilan dhe rrethinë në vitin 1944-1945, duke filluar nga Hasan Busuvata, i njohur si Hasanxhiku, i cili u masakrua barbarisht nga serbët bashkë me familjen e tij. Pastaj vijon me emrat e të pushkatuarve në komunën e Kamenicës, Vitisë, Preshevës, Bujanocit, Kumanovës, Shkupit e të tjerë.

Uji Dea

Libri dokumentar i autorit Fatmir Selimi, është origjinal, sepse bazohet në dokumente e rrëfime autentike të pasardhësve të familjeve të kësaj masakre me emër e mbiemër, e që njëherit janë ngjarje, të vërteta, e të përjetuara tha Kurtesh Devaja.

Emin Selimi, profesor i historisë, ka thënë se këtë vit është përvjetori i ngjarjeve tragjike të Gjilanit “Ditët e masakrës në Gjilan”, që na përkujton se historia për ne nuk ishte mësuese e mirë e jetës.

Sipas Emin Selimit, libri i Fatmir Selimit ka peshë të madhe për historinë e Gjilanit dhe më gjerë. Kjo është një vepër me peshë të madhe për popullin shqiptar. Autori ia ka dalë që një pjesë të kësaj periudha t’a konservojë e libri është një memorie ku ndodhen me mijëra emra, shënime për vrasje, shkatërrime e shpërngulje në masë.

Historiani Fatmir Shabani, ka thënë se autori në këtë libër në mënyrë statistikore i ka paraqitur emrat. Ai tha se Lufta e Dytë Botërore për shqiptarët ishte rirobërim. Shabani, që foli për masakrat që serbo-sllavët bënë ndaj shqiptarëve, nuk e la pa e përmendur edhe rolin e disa shqiptarëve të ashtuquajtur të ndershëm.

Dr. Neriman Braha, në një elaborim të gjatë ka thënë se historia na mëson për të kaluarën, por edhe të popujve në përgjithësi, e populli i ynë në histori kaloi thuajse i vetmuar, andaj siç tha ai, detyrë e jona është për të luftuar, por edhe për të gjetur mikun e fortë për përkrahje. “Ish-Jugosllavia ishte varri i hapur për shqiptarët dhe burg i popujve, ngase të dhënat flasin se në të u vranë 86 mijë shqiptarë”, ka thënë Braha, që tha se libri i Fatmir Selimit ka plot emra dhe ky libër luan një rol me rëndësi në historikun e vendit.

Fadil Agaj, ka lexuar një punim nga përmbledhja për librin të shkruar nga Kurtesh Devaja, i cili në hollësi ka përshkruar masakrën e Gjilanit e librin e ka vlerësuar origjinal dhe të dokumentuar.

Në lidhje me këtë libër ka folur edhe historiani Aliriza Selmani, i cili edhe vetë është marrë me këtë temë, që e cilësoi të gjerë, por për të cilën arkivat edhe ai i Beogradit mbeten të mbyllura për shqiptarë, ngase i shkatërroi ato dokumente OZNA.

Ai tha se ua kemi borxh të gjithëve t’a bëjmë një tabelë dhe se duhet është bërë edhe më shumë, ngase terreni nuk është shfrytëzuar sa duhet.

Folën edhe Xhemaludin Salihu nga Presheva e Shefki Bajrami nga Përlepnica, kurse autori i librit Fatmir Selimi foli për punën e bërë në hartimin e librit dhe nuk la pa përmendur të gjithë ata që i ndihmuan në hartimin e këtij libri, që mund të shërbejë si pikënisje për studime të mëtejme./rajonipress/