ARKATANA

Lëvizja ilegale për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë 1945-1998

/ 23 minuta lexim
Uji Dea

Nga Sabile Keçmezi- Basha – Që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit (LSHP 1878), në botën shqiptare ekzistonte një program kombëtar i ruajtjes së tërësisë së atdheut dhe i bashkimit kombëtar, mbi bazën e të cilit ishin hartuar gjithë programet e Lëvizjes Kombëtare në vijim, kërkesa këto që vazhduan të prezantohen edhe në programet e lëvizjes ilegale në vitet e mëvonshme. LShP kishte tri pikësynime kryesore: “Shkundjen e zgjedhës osmane, pavarësinë kombëtare dhe bashkimin e të gjitha trojeve etnike brenda një shteti”. Nga kjo del se ky qëllim programor mbeti i pandryshuar në thelb edhe në programin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit (1943), por edhe më vonë, pas mbarimit të LDB-së. Pikësynimi i parë mbeti çlirimi nga zgjedhja okupuese, por këtë herë nga okupimi sllav. Gjithashtu, pavarësia kombëtare dhe bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare ishin thelbësore për lëvizjen ilegale. E gjitha kjo buronte nga e drejta legjitime dhe e natyrshme për të qenë të bashkuar dhe të barabartë me popujt e tjerë. Nuk gjendet në Evropën e sotme ndonjë komb tjetër, i cili të jetë cunguar aq rëndë dhe që t’i jetë bërë një padrejtësi aq e madhe sa ajo që pësuan shqiptarët në fillim të këtij shekulli.

2. OKUPIMI I KOSOVËS DHE VEPRIMTARIA ILEGALE E SHQIPTARËVE

Në Jugosllavinë e pasluftës u deklaruan se kriteri kombëtar do të vihej në themel të ndarjes territoriale dhe administrative të vendit. Por, pas përfundimit të luftës këto kritere për pushtetin jugosllav, nuk ekzistonin dhe si të tilla nuk u morën parasysh. Edhe pse viset shqiptare përbënin një tërësi territoriale, ishin kompakte nga pikëpamja kombëtare, kishin një vijueshmëri e shtrirje të përcaktuar qartë nga pikëpamja gjeopolitike gjatë kufirit me trungun amtar dhe me republikat e tjera të Jugosllavisë, ato u ndanë midis njësive federale Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë. Të gjitha këto ndikuan që në popullatën shqiptare të rritet pakënaqësia. Këtë më vonë e pranuan edhe vetë udhëheqësit jugosllavë.

Jeta në sistemin e “ri socialist” në Kosovë filloi me shumë vonesë në çdo pikëpamje, mirëpo edhe me hipoteka të ndryshme nga e kaluara. Kosova u konstituua si pjesë e Serbisë gjysmë viti pas “çlirimit” dhe tre muaj pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore.

Gjendja e rëndë që pasoi në Kosovë, pas përfundimit të luftës, ndikoi që pakënaqësia e rezistenca te forcat nacionaliste të marrin hov kundër shtypjes dhe kundër pushtuesit. Për organizimin e qëndresës popullore, për punimin e programit e të kërkesave të popullit shqiptar në këto treva u formuan dhe u riaktivizuan grupe dhe organizata politike që ishin pjesë përbërëse e LNDSh-së, por që kishin programe me dallim nuancash në të shprehur, ndërsa qëllimi suprem i tyre ishte çlirimi i tokave shqiptare nga Jugosllavia e Titos dhe bashkimi i tyre në një Shqipëri Etnike.

Nga ana tjetër, është e domosdoshme të nënvizohet se nacionalizmi shqiptar ka një dallim esencial nga nacionalizmat e tjerë ballkanik. Ai në veprimtarinë e vet nuk ishte ekstrem, nuk kishte parashtruar revizionizmin e dhunshëm territorial, nuk bazohej në fundamentalizëm fetar dhe në ekskluzivitetin etnik.

Aneksimi i Kosovës me Serbinë ishte vetëm një pjesë e padrejtësisë që u bëhej shqiptarëve në Jugosllavinë komuniste, sepse çështja e Kosovës nuk ishte krejt çështja shqiptare. Kosova jo vetëm që u shkëput nga trungu amë, por asaj iu shkëputën jo vetëm trevat e banuara kryekëput ose kryesisht me popullatën shqiptare në Maqedoninë Perëndimore dhe në Mal të Zi, por edhe Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, në Serbinë Jugore, në të cilat shqiptarët ishin shumicë dërmuese.

Duke ecur në gjurmët e nacionalizmit shqiptar, mbledhja e Bujanit ( 31 dhjetor 1943 dhe 1 e 2 janar 1944), përcaktoi si synim madhor bashkimin e trojeve shqiptare. Këto vendime që u morën në këtë mbledhje, nuk ishin shfaqje e ndonjë nacionalizmi ekstrem, edhe pse më vonë nuk u përfillën vendimet e saj. Nuk u mor parasysh e drejta e vetëvendosjes së popullit shqiptar për luftën e sakrificën që bëri. Periudha e mëvonshme provoi se ky copëtim ishte burim kryesor i pakënaqësive që ndodhën në popullatën shqiptare.

Tradhtia që ndodhi më 8-10 korrik 1945, ilegalen shqiptare e detyroi që të kërkonte përkrahjen, mbështetjen dhe bashkëpunimin e forcave demokratike perëndimore. Ilegalja shqiptare duke e parë se tokat shqiptare po rrëshqitnin në prehrin sllav, filluan organizimet për t’iu kundërvënë qëllimeve gllabëruese jugosllave.

Pas luftës (1945 e këndej) nacionalizmi shqiptar do të zhvillohej në emigracionin e detyruar, ndërsa ato forca apo elemente, që mbetën në trojet etnike shqiptare në ish Jugosllavi do të ndesheshin në këto regjime në një betejë të pabarabartë, fundi i së cilës ishte tragjik për ilegalen shqiptare.

2. 1. Vendimi për aneksimin e Kosovës me vise të tjera shqiptare në Jugosllavi dhe copëtimi i saj midis Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë

Në të vërtetë, më 9-12 nëntor 1944 në Beograd, në mbledhjen e Kuvendit Antifashist të Çlirimit Kombëtar të Serbisë, para se sa Tito të priste një grup shqiptarësh nga Kosova që vinin për t’u interesuar për fatin e saj jetik u bisedua për Kosovën. Për Kosovën ishte biseduar edhe më 2 shtator të vitit 1944, kur Shtabi Kryesor i UNÇ dhe AP të Kosovës, me urdhrin e Shtabit Suprem të UNÇ dhe APJ u vu nën komandën e Shtabit Kryesor të UNÇ dhe AP të Serbisë. Prej kësaj kohe, Shtabi Kryesor i UNÇ të Kosovës u bë Shtab Operativ i UNÇ dhe AP të Kosovës.

Në shkurt të vitit 1945, në KQ të PKJ-së u organizua një mbledhje, ku përveç debateve të tjera u fol edhe për Kosovën dhe statusin e ardhshëm të saj. Nga e gjitha kjo doli se zgjidhja më e mirë dhe më e drejtë ishte që “Kosova e Metohija t’i bashkohen Shqipërisë, kurse Shqipëria të hyjë në Federatën Jugosllave”. Por meqenëse rrethanat ndërkombëtare nuk janë të favorshme për një hap të tillë – për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe hyrjen e Shqipërisë në Federatën Jugosllave, Kosova dhe Metohija si autonomi duhet t’i bashkohen Serbisë, por kishte edhe nga ato propozime që Kosova t’i takojë vetëm Malit të Zi, ngase kishin një histori të ngjashme dhe një mentalitet të përafërt me shqiptarët.

Për të qenë çdo gjë në rregull dhe e ligjshme, Serbisë dhe Jugosllavisë iu nevojitej edhe ana formale për të marrë verdiktin e popullit në një Kuvend sado formal që të jetë, por para opinionit të gjerë ta justifikojë tradhtinë e menduar me aq perfiditet.

3. ORGANIZIMI I ILEGALES NË KOSOVË

Bërthamën e forcave nacionaliste për formimin e Ushtrisë Demokratike Shqiptare e gjejmë në marsin e vitit 1945 . Pas formimit të Komitetit Suprem të Kosovës të Adem Gllavicës më 1 dhjetor 1944, lindi ideja që në çdo pjesë të Kosovës, aty ku jetojnë shqiptarët, të formohen organizatat patriotike si dhe grupet e ilegales shqiptare. Në vazhdën e këtij aktiviteti të lëvizjes ilegale, u formuan shumë organizata patriotike shqiptare, me një distancë kohore të caktuar e që manifestohen sidomos pas vitit 1944 dhe në fillim të vitit 1945. Në këto vite, nga populli i okupuar formohen organizatat më të fuqishme nacionaliste siç ishin: Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare (LNDSh), Besa Kombëtare (BK), Organizata nr.2 dhe Këshilli i të Dymbëdhjetëve e disa të tjera më pak të njohura. Në këto grupime nacionaliste përfaqësoheshin gjerësisht inteligjencia e re nacionaliste shqiptare e cila aspironte për një Shqipëri të bashkuar dhe demokratike.

3. 1. Periodizimi i Lëvizjes Ilegale në Kosovë

Hulumtimet e shumta kanë vërtetuar se periodizimi i Lëvizjes Ilegale shqiptare në Kosovë ka hasur në shumë dilema në kohën sa veproi në sistemin okupues ish jugosllav. Lëvizja Ilegale brenda viteve të lartpërmendura (1945-1989), vazhdimisht ka për bazë përfundimin e Luftës së Dytë Botërore (1945) dhe vitin 1989 kur në një mënyrë në ish Jugosllavi fillon edhe sistemi pluralist i pandëshkuar. Ka mundësi dhe ka vend që ndarja në etapa të bëhej në mënyra të shumta, duke pasur për bazë shumë faktorë si atë politiko-ideologjik; zhvillimet e situatës politike në Jugosllavi dhe në bazë të kërkesave të ilegales shqiptare:

3. 2. Në baza politiko-ideologjike

Periodizimi i Lëvizjes Ilegale në Kosovë, që bëhet në baza politiko-ideologjike, nuk mundet të jetë edhe aq strikte ngase brenda kufijve të Jugosllavisë ideologjia komuniste si në Shqipëri po ashtu edhe në Jugosllavi ka qenë gati-gati e njëjtë dhe nuk ka pasur mundësi për të manipuluar me vite e data të caktuara. Menjëherë pas përfundimit të LDB-së, organizatat që u formuan në Kosovë ishin kryesisht me karakter djathtistë dhe në mënyrë të drejtpërdrejt në programet e tyre politike kërkonin bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Kjo periudhë zgjati deri me prishjen e marrëdhënieve të lagerit socialist me Jugosllavinë apo siç njihet ndryshe në shkencat e historisë edhe si koha e Informbyrosë.

Gjatë kohës kur marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë prishen, organizatat ilegale që formohen në Kosovë në programet e tyre kishin ngjyrime ideologjike dhe në çdo parullë apo shkrim të tyre hasim kryesisht përkrahjen e marksizëm-leninizmit, por në anën tjetër vërehej kërkesa e bashkimit kombëtar e që shpresohej me të madhe nga përkrahja e Bashkimit Sovjetik dhe shteteve të tjera socialiste.

Nga e gjitha kjo, duhet konkluduar se qëllimi i bashkimit kombëtar pa dallim të organizatave në se ishin djathtiste apo majtiste, kërkesa e tyre ishte dhe mbeti e njëjtë – atdheu i bashkuar. Kjo periudhë zgjati deri më 1966, kur edhe mbahet Plenumi i Brioneve dhe haptas në Jugosllavi dënohen forcat antishqiptare.

Nga viti 1966 e këtej në Lëvizjen Ilegale atdhetare fillon një etapë e re e zhvillimit të tyre si në aspektin organizativ po ashtu edhe në aspektin konceptual, e kjo zgjati deri më 1990. Organizatat ilegale, që u formuan pas këtyre viteve të rralla ishin ato që në programet e tyre kërkonin bashkimin kombëtar por kuptohej që synimi i tyre ishte po ai. Duhet theksuar se në këtë etapë programet e organizatave vazhdojnë të jenë të majta, dhe kërkesat e tyre evoluojnë në kërkesën që Kosova të shpallej Republikë në kuadër të ish Jugosllavisë. Siç dihej kjo kërkesë bëhej me qëllim ngaqë në Kushtetutën e Jugosllavisë të gjitha republikave iu garantonte shkëputjen dhe bashkimin e tyre me kë të donin. Kjo ishte edhe arsyeja pse ndryshoi qëndrimi i Lëvizjes Ilegale, ku kërkohej që Kosova të shpallej Republikë në kuadër të Jugosllavisë.

Fundamenti

3. 3 . Në bazë të situatës politike në Jugosllavi

Tentohet që të bëhet edhe një ndarje në etapa të ndryshme që është një ndarje pak më e përshtatshme nga ndarja e mëparshme. Ndarja kryesisht bëhet në bazë të zhvillimeve politike në ish Jugosllavi. Organizatat dhe veprimtaria e tyre gjatë këtyre etapave herë është më e vrullshme dhe herë më e ngadalshme, por vazhdimisht shumë e sigurt duke rezistuar në kërkesat dhe qëllimet e saj. Duke u nisur nga këto oscilime veprimtarinë politike-kombëtare ilegale të shqiptarëve në ish Jugosllavi, që nga viti 1945-1990, do ta ndajmë në këto faza:

3. 3. 1. Faza e parë, e cila përfshin periudhën 1944-1948 dhe përkufizohet kryesisht me veprimtarinë e LNDSh-së. Si e tillë kjo lëvizje kishte karakter politiko-ushtarak, ajo ishte e Prof. Ymer Berisha përcaktuar për luftë të armatosur kundër robërisë së re jugosllave dhe formimit të një shteti shqiptar me territoret e veta, kishte një politikë nacionale e demokratike properëndimore, dhe kryesisht udhëhiqej nga patriotë dhe intelektualë të shquar si Ymer Berisha, Halim Spahiu, Selman Riza e shumë të tjerë.

Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare, kishte dy Komitete Qendrore, njëri ishte me seli në Prizren e tjetri me seli në Shkup. Kjo ndarje në këtë organizatë ishte bërë për hir të funksionimit më të sigurt. Të dyja KQ kishin të njëjtin Betim, që i jepnin të gjithë anëtarët para se të aderonin në të, të njëjtin program dhe i përmbaheshin njësoj atij.

Betimi i anëtarëve të NDSh-së fillonte kështu: “Betohem në librin e shenjtë, në gjakun shqiptar, në flamur, se do të qëndroj dhe do të bëhem besnik, në organizatën nacionale për çlirimin e atdheut. Jetën do ta sakrifikoj nëse bie në duar të armikut. Për pjesëmarrësit e organizatës nuk do të deklaroj asgjë. Do të mbështetem në të gjitha ligjet, që i mbështet organizata. Me çmim të jetës do ta kryej çdo detyrë që ma parashtron organizata” . Veç betimit që ishte akt solemn për të gjithë anëtarët e saj, po ashtu ato i përmbaheshin edhe programit të LNDSh-së. Programi kishte njëmbëdhjetë pika, që përfshinin qëllimet dhe qëndrimet e saj. Si pikë e parë e programit ishte: 1. Për Shqipërinë Etnike dhe kufijtë e saj, për ekonominë dhe politikën demokratike, ndërsa pikat e tjera që paraqiten në program janë të dala nga e para, pasi qëllim parësor ishte formimi i shtetit shqiptar në të gjitha trojet e veta. Ky ishte qëllimi suprem i organizatës.

Më 1963 formohet “Lëvizja revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”

3. 3. 2. Faza e dytë përfshinte vitet 1949-1958. Brenda këtyre viteve organizimet ilegale ishin të llojllojshme duke filluar nga vazhdimësia e LNDSh-së e deri në formimin e organizatave të ndryshme ilegale që, gjithashtu, kishin karakter çlirimtar, por me koncepte të reja politike e kombëtare. Pas krijimit të rrethanave të reja në Kosovë, mbas një stabilizimi kushtimisht relativ të pushtuesit të ri në Kosovë, mbas përshtatjes së një pjese të shqiptarëve me këto rrethana të reja, këto grupe ilegale e kishin orientuar një pjesë të madhe të veprimit në bindjen e popullit se lufta kundër pushtetit jugosllav, ishte i vetmi mjet dhe e vetmja rrugë e lirisë.

Në këtë periudhë edhe pse ishte konsoliduar deri diku LNDSH-ja, më 1957 u formua dhe veproi Organizata ilegale e atdhetarit Metush Krasniqi me emrin simbolik “Partia revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me shtetin amë”. Në qershor të të njëjtit vit, Metush Krasniqi para anëtarëve të organizatës në fshatin Rogan, paraqiti Programin e punës dhe projektin (skicën) e statutit të Partisë, ku përveç angazhimeve të tjera, si kusht themelor e parimor kishte paraqitur rëndësinë e lirisë, por mbi të gjitha atë të bashkimit kombëtar me shtetin amë , duke përdorur të gjitha mjetet dhe metodat. Në këtë drejtim kishte hartuar planin për propagandimin e idesë për bashkimin me Shqipërinë .

Ndërsa, më 1963 formohet një organizatë tjetër me emrin “Lëvizja revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”, e udhëhequr nga Adem Demaçi, i cili më vonë në bashkëpunim me Metush Krasniqi inteligjencën kosovare hartuan Statutin dhe Programin e saj. Statuti i saj kishte përmbledhur në dhjetë nene gjithë objektivin dhe qëllimin e organizatës. Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve për një kohë të shkurtër do të shtrihet pothuajse në tërë hapësirën shqiptare në Jugosllavi, si nga aspekti organizativ, ashtu edhe nga aspekti i ndikimit te popullsia shqiptare. Pas formimit të komiteteve të qyteteve të LRBSH-së në Prishtinë, në Mitrovicë, në Pejë, në Gjakovë, në Gjilan, në Shkup dhe në Stamboll, parashihej që të vazhdohej me formimin edhe të komiteteve të tjera.

Në nenin e parë të saj theksohej: “Qëllimi i parë dhe i fundit i Lëvizjes sonë është sigurimi i të drejtës për Vetëvendosje deri në shkëputje për viset e banuara në shumicë prej shqiptarëve që gjinden ende nën administrimin e Jugosllavisë, domethënë qëllimi i parë dhe i fundit i Lëvizjes sonë asht- Çlirimi i krahinave, të aneksueme prej Jugosllavisë dhe Adem Demaçi bashkimi i këtyre krahinave me nënën e vet- Shqipërinë”. Edhe pse më 1945, thuhej se kishte përfunduar lufta, me anën e këtyre neneve organizata e lartpërmendur iu bënte me dije se për shqiptarët e okupuar ende nuk kishte përfunduar lufta deri sa të realizohen qëllimet supreme të shqiptarëve, të përcjella amanet gjeneratë pas gjenerate deri sa të realizohen qëllimet e tyre.

Për qëllimet e qarta, politike dhe kombëtare të LRBSH-së, më së miri flet neni i katërt i Statutit, ku theksohet se Lëvizja nuk e drejton luftën dhe aktivitetin e vet kundër Jugosllavisë dhe sistemit të saj, por aktivitetet dhe lufta e saj do të vazhdojë deri sa t`i çlirojë dhe t`i ribashkojë me shtetin amë territoret e aneksuara nga Jugosllavia. Kjo dëshmonte, përveç tjerash, se LRBSH-ja ishte organizatë çlirimtare në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.

Veç këtyre në Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi do të formohen dhe do të vepronin edhe disa grupime më të vogla ilegale-politike që për qëllim parësor do të kenë bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare.

3. 3. 3. Faza e tretë. Nga viti 1959-1968, fillon faza e tretë e organizimeve ilegale, të cilat do të artikulojnë koncepte të reja politike e kombëtare.
3. 3. 4. Faza e katërt – vitet 1969-1981, është veprimtaria e fazës së katërt ilegale në Kosovë, dhe mund të thuhet se ishte njëra nga fazat më të bujshme kur do të formohen grupe e organizata ilegale, me ngjyrime të ndryshme ideologjike, të cilat i kishte ofruar koha. Ndërsa sa i përket vlerësimit se të gjitha organizatat dhe grupet ilegale që vepronin në Kosovë në këtë periudhë kanë pasur orientime marksiste-leniniste, duhet të kihen parasysh rrethanat konkrete të kohës si dhe fakti se në Shqipëri sundonte një regjim i tillë. Andaj, këtyre organizatave në Kosovë u nevojitej një mbështetje e natyrshme në një aleat të qëndrueshëm e të pranueshëm . Sigurisht që po të mos kishin orientim majtist ato do të rrezikonin për të mbetur pa përkrahjen e Shqipërisë së asaj kohe.

Deri në vitin 1968, ndonëse të gjitha grupimet politike ilegale kishin si synim çlirimin e Kosovës e viset e tjera shqiptare dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë, pa hequr dorë nga ky qëllim, do të angazhohen edhe për jetësimin e opsionit të Republikës, të përfshirë këtu në Kosovë dhe viset e tjera shqiptare nën ish Jugosllavi dhe kjo do të jetë shkalla e parë për realizimin e bashkimit kombëtar.

Mbas demonstratave të vitit 1968, shumë atdhetarë e intelektualë u futën në burg. Por, gjatë viteve ‘70-‘80-të, Ilegalja e Kosovës përsëri u rigjallërua dhe e mori veten. Gjatë kësaj periudhe u formuan organizata të reja që po ashtu u angazhuan dhe luftuan për lirimin e tokave shqiptare nën ish Jugosllavi. Në këtë kohë u organizua dhe veproi organizata ilegale “Grupi Revolucionar i Kosovës” që më vonë u shndërrua në “Organizatë Marksiste – Leniniste të Kosovës”. Fillimisht Programi politik i GRK ishte ai i Lëvizjes tradicionale Kombëtare. Duke pasur parasysh ndarjen e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare nga trungu i Shqipërisë, gjendjen e rëndë dhe të padurueshme të popullit shqiptar nën sundimin e huaj dhe të drejtën e ligjshme të vetëvendosjes e të bashkimit kombëtar, GRK programin e tij e ndërtonte mbi këtë bazë, që do të thoshte program politik i çlirimit kombëtar dhe i bashkimit të atdheut të copëtuar padrejtësisht. Ky përkufizim i programit përjashtonte çdo mundësi cilësimi të tij si ekstremist, majtist a reaksionar.

Më 1968, në Kosovë nga Ilegalja shqiptare u organizuan edhe demonstratat studentore që kërkuan forma të reja të organizimit ilegal, kërkuan unifikimin e organizatave dhe grupeve ilegale për të ndërtuar një platformë politike të veprimit, duke shtruar nevojën që programet politike të ilegales t’i përshtaten kohës dhe proceseve politike që zhvilloheshin në rajon e më gjerë.

3. 3. 5. Faza e pestë e lëvizjes ilegale në Kosovë fillon në vitet e kthesës më të madhe historike më 1981 dhe përfundon në fillim të viteve ‘90-të, në kohën kur zë fill formimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo është faza më e rëndësishme e saj: është përmbyllje kulminante e një lëvizjeje të gjatë ilegale në Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare të ish Jugosllavisë. Demonstratat e vitit 1981 ishin një kushtrim i madh për popullin shqiptar dhe opinionin ndërkombëtar.

Është karakteristikë e kësaj etape se në këtë kohë organizimi i ilegales kishte pësuar ndryshime të mëdha. Grupe të vogla që vepronin ilegalisht pas demonstratave studentore të ’81 filluan të bashkohen dhe të formonin organizata më të mëdha po që kryesisht vepronin në interes të zhvillimit të Kosovës dhe të krijimit të kushteve të reja, qoftë në ngritjen e pozitës kushtetuese të saj, qoftë për përmbushjen e idealit të ilegales – bashkim kombëtar. Duhen përmendur me këtë rast grupet: Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës; Fronti Popullor për Republikën e Kosovës; Lëvizja studentore e vitit ‘81; Grupi i intelektualëve të Kosovës; Fronti i Çlirimit Kombëtar; Partia Komuniste Marksiste-Leniniste Shqiptare në Jugosllavi etj.

3. 4. Në bazë të kërkesave të lëvizjes ilegale shqiptare

Organizatat ilegale që vepruan në këtë periudhë, që të gjitha mund të thuhet se punonin në bazë të Programeve politike dhe kishin Statutet e tyre. Programet, platformat dhe synimet e tyre ishin thjesht të karakterit kombëtar dhe qëllimi suprem i të gjithave ishte mëvetësia e Kosovës dhe bashkimi me Shqipërinë.
Duhet theksuar se edhe brenda organizatave politike të kohës kishte dallime rreth artikulimit programor, se cila ishte platforma më e mundshme dhe më e përshtatshme që duhej të përdorej për rrethanat e kohës, për të ardhur deri te një strategji e përbashkët e veprimit. Organizatat ilegale që vepruan në këtë periudhë, që të gjitha mund të thuhet se punonin në bazë të Programeve politike dhe kishin Statutet e tyre. Programet, platformat dhe synimet e tyre ishin thjesht të karakterit kombëtar dhe qëllimi suprem i të gjitha atyre ishte mëvetësia e Kosovës dhe bashkimi me Shqipërinë. Dallimet konsistonin në atë se si duhej t’i qaseshin zgjidhjes së çështjes kombëtare, ngase veprimtarët e Ilegales asnjëherë në qëndrimet e tyre nuk ishin dogmatikë, por varësisht prej rrethanave kombëtare e ndërkombëtare, krijonin edhe qëndrimet e tyre. Këtë të dhënë më së miri e dëshmon evoluimi i qëndrimeve rreth zgjidhjes së statusit të Kosovës në situata të caktuara, që po i paraqes, të përmbledhura në tre opsione:
1. Bashkimi i të gjitha tokave shqiptare me Shqipërinë;
2. Bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare në një republikë brenda Jugosllavisë dhe
3. Republika e Kosovës.

Që të tri këto opsione të shtruara nga veprimtarët e ilegales të Lëvizjes Kombëtare, në periudha të ndryshme kohore, kishin edhe bartësit e vet ideor.
3. 4. 1. Opsionin e parë për bashkimin e trojeve shqiptare me Shqipërinë në programin e saj e kishte paraparë LNDSH, LRBSH, OMLK dhe Lëvizja Nacionale për Çlirimin e Kosovës dhe Viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi.
3. 4. 2. Opsionin e dytë e kishte paraparë organizata “Partia Marksiste-Leniniste Shqiptare në Jugosllavi”, e cila në programin e saj parashihte bashkimin e të gjitha trojeve ku shtriheshin shqiptarët në një republikë në kuadër të RSFJ-së.

Veprimtaria dhe mendimi politik i shqiptarëve në Kosovë nuk u zhvillua lirshëm, si pasojë e statusit politik e juridik të popullit shqiptar në Jugosllavi; si pasojë e pengesave që vinin nga represioni i madh nga Republika e Serbisë dhe Lidhja Komuniste e Jugosllavisë, e cila nuk pranonte alternativë tjetër të zhvillimit e të mendimit politik; si pasojë e gjendjes së vështirë ekonomike, arsimore e kulturore dhe si pasojë e faktit se angazhimi politik për Pavarësinë e Kosovës zhvillohej nga veprimtarët që vepronin në ilegalitet.

3. 4. 3. Opsioni i tretë, apo zanafilla e idesë për Republikën e Kosovës ishte shpalosur fillimisht me demonstratat e vitit 1968. Por, si më e sforcuar u paraqit në formë të plotë, në periudhën e demonstratave të vitit 1981 e 1989. Kjo kërkesë ishte shtruar madje edhe në diskutimet publike që u bënë menjëherë pas rënies së Rankoviçit. Këto biseda, sipas dokumenteve, dëshmojnë se janë zhvilluar edhe midis udhëheqësve të Kosovës me udhëheqësit më të lartë të Jugosllavisë. Kosova-Republikë, pas shumë bisedimeve midis veprimtarëve të Lëvizjes Kombëtare ilegale, ishte kërkesë e të gjitha grupimeve ilegale pas vitit 1968, 1981, 1989, që më vonë do të bëhet kërkesë e gjithë popullit shqiptar në Kosovë dhe në viset e tjera jugosllave të banuara me shqiptarë. Kërkesa për Republikë, për kohën ishte më e përshtatshmja ngase prapa kësaj qëndronte kërkesa për bashkim kombëtar me shtetin amë – Shqipërinë. Prandaj, këtu edhe qëndron çelësi i zgjidhjes së problemit të quajtur Kosovë. Latinët e vjetër thonë: “Nuk mund të qetësohet një popull në qoftë se nuk dëgjohet zëri i tij, “Voks populi-voks dei”. Andaj, ngjarjet në vijim hapën një kapitull të ri brenda kombit shqiptar, hapën një proces të ri politik edhe për shtetin shqiptar.