Eko Higjiena

Letra e parë për Kryeministrin Thaçi

/ 6 minuta lexim
ARKATANA

Nga Berat Buzhala – Nëse do të jesh ti Kryeministër, a ndonjë lider tjetër, këtë gjë unë nuk e di. Por nuk do të doja të ishe ti nëse shëndetësia për katër vitet e ardhshme do të trajtohej me kaq pak humanizëm siç është trajtuar deri më tash. Një trohëz shpresë është fondi për të sëmurit nga leukemia. Tash, Kryeministër, duhet t’i trajtosh do të sëmurë tjerë që edhe në sektorin e shëndetësisë e zhvatin përqindjen e njëjtë me atë që zhvatet për tenderë rrugësh…

E vetmja gjë që më brengos në lajmin e bërë publik nga Kryeministri lidhur me formimin e një fondi prej 5.5 milionë euro është se ai ketë po në mënyrë ad hoc, duke i tërhequr ato prej planifikimit të rritjes së pagave të klasës politike.

Kjo brengë e imja është e karakterit moral, sepse do të konsideroja se një zgjidhje për të sëmurit nga leukemia do të duhej të bëhej edhe nëse do të ndodhte rritja e pagave. Nuk kanë pse të ndërlidhën këto dy çështje. Mbes me shpresë se një fond i tillë do të formohej edhe nëse do të rriteshin pagat. Ose edhe nëse nuk do të kishte fare plan për rritje të pagave.

Megjithatë, ky është një lajm tepër i mirë, ndonëse trajtimi i leukemisë në departamentin e Hematologjisë më shumë se sa për miliona euro ka nevojë që ta ketë veshin e Kryeministrit në dispozicion. Dhe jo vetëm departamenti i Hematologjisë, por e gjithë shëndetësia kosovare është duke u dergjur e tretur pas pasur një adresë të duhur për t’u ankuar. Për fatin tonë të keq, deri me ditën e sotshme, mjekësia kosovare – më së dobëti e organizuar në Europë po se po – kurrë nuk ka arritur të jetë prioritet i kësaj qeverie, e as i atyre përpara kësaj qeverie.

Prandaj, z. Kryeministër, meqë po të takoj në disponim për të biseduar për një temë humane – siç është sëmundja e leukemisë dhe sëmundje të tjera – më lejo që të të përgjërohem që ketë pjesë të mandatit që të ka mbetur, pos tjerash, të angazhohesh maksimalisht për sektorin e shëndetësisë. Dhe hapi i parë i tillë do të ishte, që fill pas formimit të Fondit, të realizoje një vizitë në sektorin e Hematologjisë dhe të njoftoheshe shumë për së afërmi me gjendjen aty. T`i shikoje me sytë e tu se kush prej pacientëve të shtrirë ka më së shumti nevojë për t’u trajtuar jashtë shtetit, e kush brenda shtetit. Mund të njoftohesh gjithashtu pse disa trajtohen më mirë e disa më keq. Bëje këtë, sepse është në të mirën e shëndetësisë.

Gjithashtu, z. Kryeministër, do të ishte një e mirë e jashtëzakonshme që ti t’i takosh në konfidencë disa prej figurave më eminente të Qendrës Klinike Universitare, e ata sigurisht do të të njoftojnë se kush prej gangsterëve politikë, disa syresh edhe të partisë tonë (prej strukturave më të ndyta) realisht e udhëheq këtë qendër. Mund të marrësh informata të vlefshme prej tyre lidhur me atë se kush qëndron prapa emërimeve të shefave të klinikave e departamenteve. Kush emëron asistentët, e kush regjistron e kush kalon studentët.

ARKATANA

Pra, Kryeministër, janë këto informata që mund të vlejnë shumë më shumë se sa miliona euro që mund t’i ndash për shërim. Ekziston një rrezik Kryeministër, që nëse nuk kujdesesh mirë për mënyrën e shpërndarjes së këtij fondi, një shumë e caktuar, prej 10 për qind e sipër, të zhvatet prej gangsterëve politikë, përpara të cilëve do të skuqej edhe vet dr. Mengele. Pra, frika ime është se milionat tuaja do të kalojnë disi nëpër duar të hienave që nuk e zgjedhin asnjë mjet për të ardhur deri tek ajo përqindje e mallkuar e korrupsionit dhe zhvatjes. Kështu që më përpara që t’i fusim milionat në sektorin e shëndetësisë, ti duhet të kujdesesh që ato miliona euro të mos trajtohen me të njëjtin brutalitet që janë trajtuar ato qindra miliona euro që janë investuar në sektorin e rrugëve.

Vetëm ndonjë lider i verbër, këto katër vitet e ardhshme, do të mund të shmangte urgjencën e investimeve në sektorin e shëndetësisë. Nëse do të jesh ti Kryeministër, a ndonjë tjetër, këtë gjë unë nuk e di. Por nuk do të doja të ishe ti Kryeministër nëse shëndetësia nuk do të konsiderohej një superioritet për mandatin e ardhshëm.

Le t’i harrojmë për një moment emocionet. Ta zëmë se nuk kemi asnjë ndjenjë për shëndetin e banorëve të Kosovës. Të jesh i bindur Kryeministër se edhe për shkaqe ekonomike duhet të merret kontrolli mbi ketë sektor. Duhet që ky sektor t’i hiqet prej dorës matrapazëve e gangsterëve politikë.

Nuk kam të dhëna së sakta, por sipas disa analizave, mendohet se kosovarët për shërimin e tyre brenda vitit, në klinika private, a jashtë shtetit, i harxhojnë mbi 200 milionë euro. Jemi duke folur për një temë që ka implikime të tmerrshme financiare në secilën prej familjeve. Mandej, duhet ta kesh parasysh se një shoqëri e sëmurë, ku jeta mesatare nuk duket të jetë mbi moshën 65 vjeçare – pothuajse 10 vite nën rajonin – i kushton shumë shtetit. Pra, siç do të thoshin ekonomistët shpirtkazmë edhe këtu ka ‘business case’.

T`i Kryeministër, nga prizmi i një CEO, ose Shefi Ekzekutiv të Republikës, duhet ta dish se investimi, kontrollimi dhe kujdesi që Qeveria do t’i kushtonte sektorit të shëndetësisë do të ishin një lehtësi e madhe financiare për Buxhetin e shtetit në një të ardhme afatmesme.