Letër Visarit

Nga Petrit Selimi – Patjetër se do t’i drejtohesha Deputetit të nderuar Viser Imeri me Zotëri, por pasi që m’u drejtua Petrit, edhe unë më me qejf do ta vazhdoj polemiken shumë miqësisht me Visarin.
Ishim në një Debat në RTV21 para tri netësh. Biseda ishte rreth ideologjive të partive në Kosovë – duke marrë si pikënisje formalizimin e rrugëtimit të PDK-së drejt qendrës së djathtë në Konventën e 6të të PDK.
Më erdhi mirë që arritëm të shkëmbejmë ca mendime me premisa fillestare që më herët nuk i kam eksperiencuar në debatet me Vetëvendosjen, pra duke mos mohuar argumentin bazë (teologët le ta quajnë “mëkatin fillestar”), që këtë natë ishte pyetja se, a i takon PDK spektrit të djathtë?
Je sociolog shumë më i lexuar se unë dhe kjo letër nuk paraqet ndonjë sfidim të hapur për njohjen teorike të ekonomisë dhe shoqërisë sepse atë betejë menjëherë e dorëzoj ende pa ja nisë.
Megjithatë sfidë është.
Përshkrove për bukuri dallimet e mëdha që ekzistojnë mes nesh në ekonomi. As në VV e as PDK (apo LDK e AAK) principet ideologjike nuk projektohen dot në politikë të kristalizuar (për shkak të mungesës së përvojës në pushtet tek “ju”, ndërsa te “ne” për shkak presioneve eksterne si kriza financiare, shtet-ndërtimi post-indipendist, kapitalizmi i egër tranzicional) por më erdh mirë që ishe shumë i qartë kur the që ky dallim midis PDK dhe VV megjithatë ekziston.
Deputetja Znj Vjosa Osmani poashtu prezente por nuk ishte e disponuar të enjten mbrëmja të fliste për politika konkrete sepse kishte spirancuar kontributin e saj debatues tek anëtarësimi i LDK Grupacionit europian EPP si vule të djathtizmit qendor. Ja përkujtova, me respektin më të thellë se edhe z. Dedaj i PLK po ashtu kishte spirancuar një kohë të gjatë ekzistencën e tij politike në përkatësi një organizate europiane politike.
Zonja Termkolli nga AAK poashtu ishte prezente.
Prandaj dialogu me ty, fare rastësisht dhe jo si zakonisht me ideologët e Vetëvendosjes, doli më i frytshmi.
The që PDK është neoliberale, e fokusuar në zvogëlimin e shtetit dhe “dorëzimit” fuqisë së tregut që krijon disbalance të mëdha sociale dhe klasa super të pasura dhe klasa të varfëra dhe që është i qëndrueshëm vetëm falë konsumit të financuar nga diaspora.
Të thash se ne të vërtetë se qeverisja PDK prej 2007 dëshmon të kundërtën. Kemi të bëjmë më shumë me një model Keynesian i stimulimit të ekonomisë përmes rritjes së të ardhurave personale (rrjedhimisht konsumit) në sektorin publik dhe investime infrastrukturore. Stimulimi ishte i nevojshëm për të nisur ciklin zhvillimor pas shpalljes së pavarësisë, e cila ndodhi fatkeqësisht mu në momentin kur e tërë ekonomia botërore gati përjetoi arrest kardiak. Apo edhe përjetoi por u ringjall me zbutje kuantitative ta paprecedent (eufeizmi i famshëm i shtypjes së parave). Tek ne, rrogat u rritën nga 50% për mësues deri tek 160 % për gjykatës dhe aty në mes – 80% për policë apo motra medicinale. Poashtu u ndërtuan e rinovuan mbi 100 shkolla dhe su shtruan qindra kilometra rrugë. Ky investim i cili nuk ka kaluar pa u vërejtur në ekonomi dhe standard të jetës të qytetarëve (tek e fundit nga 2000 e kusur BPV për kokë banori, për 5 vjet qeverisje kemi galopuar në 3700. Statistikat i kemi llom, por barem minimumi i mundshëm i BPV-së mund të kalkulohet. Nëse nuk është i saktë, mund të jetë vetëm për shkak se është më konservativ se reali). Në të njëjtën kohë janë zbritur tatimet.
Ah tatimet! Menjëherë fillove të shpjegosh se progresioni i tatimeve është në favor të atyre që fitojnë më shumë, ndërsa tatimi i sheshtë suporton vetëm superkapitalin. Aty nuk u pajtova, ngase PDK me një potez jo edhe me djathtist të mundshëm, ka rritur te ardhurat e klasave të tëra të të ardhurave, prej mësuesve deri tek zjarrfikësit në përqindje të paparë në Europën e krizës (50 – 160%). Kjo rritje ka blerë paqe sociale dhe kur thua Visar se inflacioni i ka hëngër këto benefite, kjo thjesht nuk qëndron. Këta njerëz janë një çikëz më mirë tash se si kanë qenë para 5 vitesh. Statistikat mund të jenë të mjegullafta, por në totalitet nuk gënjëjnë se i kemi punët më mirë se përpara. Inflacionin e trasheguam tek afrohet 10% ndërsa tani e kemi nën 2%.
Poashtu the se Kosova shumë shpejt s’ka me mujt “me nxjerrë”, më duke bërë hesap tatimet e klasës që paguajnë.
Emisioni u ndërpre dhe nuk mbërrina me të thanë se – aty pajtohem.
Jo si rezultat i argumentimit të njëjtë, por pajtohem se suksesi i Qeverisë në luftimin e ekonomisë gri, influksi stabil i remitencave dhe ekonomia e limituar e brendshme që është projektuar në shifra shpesh dyshifrore të rritjes së performances së tatim-mbledhësve për 5 vjet rend qeverisje PDK – do të arrinë shumë shpejt plafonin në vjelje të ardhurash me këtë model ekonomik të rritjes. Patjetër se duhet diversifikuar ekonominë (edhepse nuk pajtohem me ty se çdo shtet duhet të ketë domosdoshmërisht prodhim për të vetëmbajtur. Singapuri dëshmon se është e mundur të jetosh mirë edhe nga shërbimet) dhe për këtë duhet një kapital investiv. Aty po pajtohemi besoj gjithashtu.
Ti the në korridor se kapitali investiv duhet marrë nga Fondi i mirëbesimit të të ardhurave nga privatizimi. Është ide që shpesh e dëgjoj nga VV. “Hyjnë” aty në kombinim shpesh edhe idetë që të investohet paratë e Trustit pensional – edhepse të jem i sinqertë, ti në korridor e mohove mundësinë e investimit të parave të Trustit. Ke punuar aty, e din se çfarë rreziku nuklear përmban kjo ide. Por the se edhe bono të shtetit duhet lëshuar për ta mbledhur kapitalin investiv në prodhimin vendor. Unë thash se vetëm me investime të drejtpërdrejta të huaja, mund të ndryshojmë modelin ekonomik për të hyrë në tranzicionin nga rritja e krijuar nga paratë publikë në rritje të krijuar nga kapitali privat.
Fillimisht sepse ta shpjegova se paratë e privatizimit nuk guxojmë t’i prekim për të njëjtat arsye si ato të Trustit,. Nuk janë fonde investive por para të mirëbesuara që duhet të operojnë me rrezik minimal, e që sigurisht nuk paraqet çfarëdo investimi në Kosovë me rejting krediti që më së miri mund ta ketë midis Bosnjës dhe Shqipërisë. Pra unë, si kontribuues pensional nuk dua që paratë e mija të investohen brenda por dua të kursehen në banka jashtë e mbrenda. Mbrenda s’po i duan sepse bankat kanë likuiditet të tepërt. Le të rrinë jashtë. Ndërsa ato milionat e privatizimit poashtu janë të rezervuara për shumë e shumë kërkesa të ish-debitorëve të ndërmarrjeve tona.
Nga rastet multimilionëshe të humbura në gjykata greke (e që janë obligative për neve sipas Acqui) deri tek kompensimet për dëme personale në aksidente të punës së individëve, ndërmarrjet e privatizuara kanë pasur borxhe me qindra milionë. Këto para, ne u kemi dhënë besën atyre që na kanë pranuar pavarësinë sipas Pakos së Ahtisaarit, nuk do t’i shpenzojmë por do t’i ruajmë. Një pjesë kthehet nëpërmjet 20% për punëtorë (disbursimi i të cilit është shpejtuar shumë nën qeverisjen e PDK në krahasim me UNMIK), por esencialisht këto para përbëjnë burim të limituar investimi me kufinj se sa dhe ku mund të shpenzohen. Gjithsesi jomjaftueshëm për paratë që nevojiten ta ngrenë prodhimin në Kosovë dhe të sjellin mirëqenie europiane. Potenca e Trustit pensional dhe atë të AKP qëndron në amplifikim apo përkrahje sekondare investive, por assesi nuk mund të jenë burimi kryesor i ciklit më se të domosdoshëm investiv. Prandaj plani teorik i Visarit i rigjetjen e “Paradise Lost” të prodhimit profitabil (si i vetmi që ka sens në ekonomi moderne) në shpërthen si balloni tek testi i parë: Ku pra të sigurohet kapitali investiv?
Visar, me një gjysmë fjalie përmende mundësinë e emetimit të bonove shtetërore, prandaj për hatër të debatit po imagjinoj se plani yt B është që të sigurohen investimet përmes rritjes së borxhit të jashtëm të Kosovës për të siguruar investime, themi në energjetikë apo prodhim industrial. Problemi është se ky recept është provuar. Në Slloveninë gati fqinje që ka pasur bazë industriale shumë më të sofistikuar se Kosova, resurse njerëzore shumë të vë avancuara për teknologji prodhimi, sistem arsimor dhe asnjë shenjë lufte. Poashtu ka pasur rejting krediti “A të trefishtë”. Dhe në kohë krize bëri ndeshje spektakulare.
Ne nuk jemi Sllovenia dhe rejtingu i jonë i ardhshëm bankar modeomos do të jetë i karakterit spekulativ, me kamata fajdexhinjsh. Nuk mund të mbledhim llojin e borxheve me emetime bonosh për të krijuar llojin e ciklit investiv për të na rrahur rrugën e rritjes konsistente dhe më të madhe ekonomike duke krijuar numër dukshëm më të madh të vendeve të punës.
Përgjigja duhet të jetë pra kombinimi i privatizimit dhe hyrja e kapitalit privat ne sektorë kyçë.
Këtu mund të më zësh ngushtë dhe të më thuash se PDK realisht ka mundësuar hyrje minimale të kapitalit privat në sektorë kyçë, unë të përgjigjem se në gjysme dekadën e fundit, kriza ekonomike dhe shtetndërtimi ka shtyrë fokusimin e resurseve në model zhvillimor tjetër dhe se tash e tutje alfa dhe omega e cementitit të vendit të PDK në historinë moderne shqiptare është mu aftësia e qeverisë të sjellë kapitalin e ardhshëm në 5 vitet e ardhshme të qeverisjes. Tatimi i rrafshët që u sipërpërmend e ka mu atë rrol: ta bëjë Kosovën kompetitive me rajonin si cak i investitorëve. Aty qëndron beteja në të cilën do të definohet se cili model i inkuadrimit të kapitalit privat është më adekuati dhe i shpejti për nevojat tona (sepse jemi në garë me kohën). Nga PPP’ja e Aeroportit deri tek shitja me tender e aseteve si ne PTK, apo “hyrje në hise” të investimeve me komoditete (si xehet apo thëngjilli) në rastin e “Kosova e Re”.
Ndoshta dikush nga kolegët e tu do të kishte qortuar se krejt ky debat është i kotë sepse është luks të diskutohet modalitetet e sigurimit të ciklit të ardhshëm investiv kur Serbia po na rrezikon dhe se bashkimi me Shqipërinë është përgjigja evidente e tërë problemeve tona. Këta kolegë tu poashtu mund të thonë se ne duhet të jemi Zot të vetvetes dhe se kur të veprojmë, tjerët do të na përcjellin, por kjo lojë naive fjalësh brutalisht u ndërpre nga BE’ja që ju mrrol liderëve shqiptarë sapo u përmend në fjalime (qoftë gabimisht të interpretuara) Shqipëria e mundshme vestfaliane. Kjo teme nuk do të hapet as tash as në të ardhmen e afërt nëse dëshirojmë integrimet Euro-Atlantike.
Gjë që na kthen i dashur Visar tek falacia fillestare që “mund të ja dalim vetë”, duke u bazuar në begatinë oratorike dhe teorike por thellësisht joadekuate të argumentit tënd. Nuk ke përgjigje që është politikisht korrekte sipas standardeve tuaja ideologjike e që na sjell paratë e nevojshme për ta ri-dhezë ekonominë.
Një ngushëllim e ke. As LDK nuk ka ndonjë model alternativ ekonomik a politik (Janë për privatizim, “por jo kështu”. Janë për dialog “por jo kështu”. Janë për rritje rrogash “por jo kështu”. Kurrë s’na tregojnë qysh pra?). AKR dhe AAK gjithmonë do të jenë partneri i dytë i cilës do nga tre opsionet e mëdha momentale dhe nuk do t’i konsideroj këtu si opsion të ndarë qeverisës (konform edhe kontributit te Zonja Termkolli atë natë të debatit tonë).
Ironikisht, derisa ju po i luftoni mullinjtë e erërave idologjike, PDK ende është më opsioni më i rrënjësuar në pragmatizmin që e dallon qendrën e djathtë moderne. Nuk është arsye për triumfalizëm, se fukarallëk ende ka në Kosovë, ndërsa edhe ne nuk u treguam më të zotit për tërheqje të investitorëve të huaj, por periudha e ardhshme e qeverisjes do të duhej ta përcaktonte nëse modeli ekonomik i qendrës së djathtë të cilin e mbron PDK’ja, do të implementohet në mënyrën besnike.