Letër mësueses

Nga Nijazi Kastrati, tregim për fëmijë – Gati se ishte bërë trend kohe që mos në javë, së paku në muaj nga një nxënës së bashku më familjen e tij ikte për në perëndim, e sidomos për në Gjermani.
Dini, një ndër nxënësit më të mirë, jo vetëm në klasë, por edhe në shkolle, një ditë ishte shumë i mërzitur, ishte tërhequr diku në skaj të dhomës së mësimit dhe ishte hudhur thellë në mendime. Kështu, pas pushimit të gjatë, pos që nxënësit ishin futur në klasë dhe kishin zënë vendet e tyre në banga, Dini as që i kishte vërejtur fare, kështu që posa hyri mësuesja e vërejti së me Dinin diçka nuk është në rregull, nuk është ai Dini të cilin mësuesja asnjëherë nuk ia kishte tërhequr vërejtjen për mos disiplinë, apo për mësime. Kur e pa se Dini as që e kishte ndërmend të shkonte në bangë, iu afrua dhe e pyeti:
-Din, çke? Je i sëmurë apo ka diçka tjetër?
Tek atëherë kur dëgjoi zërin e mësuese Dini u kthjell dhe iu përgjigj:- Jo mësuese, nuk jam i sëmurë, atëherë çka ke?- prap e pyeti mësuesja.
Mësuese, javën tjetër unë së bashku me familjen time do udhëtoj për Gjermani, andaj kam shumë mërzi, nga se atje nuk i kam këta shokë e këto shoqe, nuk ju kam juve, nuk e kam këtë shkollë, nuk e kam këtë gjuhë, andaj isha duke menduar se si mund t’ia dal atje?
Eh, Din ore Din, a e di ti se sa fëmijë kështu si ti kanë shkuar atje, sa e sa banga shkollore kanë mbetur thatë, sa e sa shokë e shoqe kanë mbetur pa shokët apo shoqet e tyre që kanë marrë rrugën e mërgimit, megjithatë ia kanë dalë, edhe pse me vështirësi të mëdha në fillim.
Dini, atë fundjavë u përshëndet me shokë e me shoqe, me mësuesen e tij të dashur, me dhomën mësimore ku kishte kaluar pesë vite shkollore, si dhe me shkollën e tij që e donte aq shumë.
Shkoi në Gjermani dhe fillim javën e ardhshme e dërguan në një shkollë aty afër, ku nuk e njihte askënd, nuk i kishte aty të gjithë ata shokë e shoqe që i donte shumë. U ul në një bangë i vetmuar. Shokët e rinj e mirëpritën, por Dini nuk dinte asnjë fjalë, as tu tregonte se kush është dhe nga cili vend vie?
Posa hyri mësuesja, e përshëndeti dhe i uroj mirëseardhje!
-Mirë se na ke ardhur djalosh ( welkom jongen ), Dini vetëm rrudhi supet sepse nuk e kuptoi çka i tha mësuesja.
-Si quhesh? (wat is je naam ?) Dini mbeti i shtanguar, i inatosur, nga se nuk ishte mësuar kurrë që mësuesja të pyeste e ai mos të përgjigjej.
Për fat të tij, u ngrit në këmbë Ela, një vajzë poashtu nga Kosova e cili para dy-tri vitesh kishte migruar atje dhe pyetjet e mësuese ia përkthente Dinit shqip. Në fund të mësimit Dini e falënderoi shumë Elën. Doli para gjithëve nga shkolla dhe shkoi në kopshtin e shkollës, u ul dhe iu kishin mbushur sytë me lot. Ela, duke e ditur se sa të vështira janë këto momente deri sa të mësonte gjuhën e të ambientohet me shoqëri, iu afrua pranë dhe filloi ta inkurajonte djalin se gjithçka do të kalon shumë shpejt.
Faleminderit shumë-i tha Elës, megjithëse për mua qenka shumë vështirë këtu. -Jo jo, mos u brengos, të thash se do të kalon shpejt kjo periudhë.
Kthehej në shtëpi shumë i mërzitur dhe çdo herë i thoshte mamit që të kthehen në Kosovë.
Një ditë ashtu i mërzitur, filloi të shkruante një letër mësueses së tij në Kosovë:
Mësuese e dashur! Jam shumë i mërzitur, më mungoni Ju, shokët e shoqet e klasës, më mungon shkolla. Këtu ndjehem i vetmuar, dashurinë tuaj këtu nuk e ndjej, ledhatimet tua këtu më mungojnë. Këtu flasin tjetër gjuhë, nuk po i kuptoj aspak, e kam të vështirë të shkruaj e të lexoj. E lus mamin shpesh që të kthehemi atje në atdhe, mirëpo si duket është e pamundur tani për tani.
Shumë të fala mësuese gjithë shokëve të klasës, ju lutem shkruane emrin tim me shkronja të mëdha në mes të dërrasës!
I juaji Dini!
Mësuesja ua lexoi nxënësve letrën e shokut të tyre, të cilët aq shumë u mallëngjyen dhe të gjithë kthyen kokën nga banka e zbrazët ku ulej Dini.
Në pushim nxënësit kishin shkruar në tabelë: DINI, PO NA MUNGON SHUMË!