Leonora Morina Bunjaku: Një shoqëri e shëndoshë nuk mund të paramendohet pa një rini të shëndoshë

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Këshilli Komuna për Siguri në Bashkësi (KKSB), në mbledhjen e sotme, e ka vlerësuar shumë të mirë gjendjen e sigurisë në komunën e Gjilanit. Komandanti i Policisë, majori Agim Lipovica, ka thënë se periudha mes dy takimeve të KKSB, përfshirë edhe festat e fund vitit, ka kaluar pa ndonjë incident të theksuar.


‘Qëllimi ynë është që qytetari të jetë i kënaqur me sigurinë’, ka thënë Lipovica.

KKSB ka diskutuar edhe për sigurinë në shkolla si dhe parandalimin e sjelljeve devijante dhe dhunën në shkolla, sidomos në ato të mesme.

Leonora Bunjaku Morina, nënkryetare e Komunës, tha se javën e kaluar Komiteti i Arsimit ka organizuar një tryezë sa i përket problemit të identifikimit dhe luftimit të dukurive negative në shkolla.

Konkluzion i këtij takimi ishte se çështja e parë që duhet të bëhet, është vetëdijesimi i nxënësve, përmes ligjëratave, për rrezikun që u kanoset atyre nga kjo dukuri, përkatësisht thellimi i bashkëpunimit në relacionin mësues-nxënës-prind sikurse edhe shtimi i masave të sigurisë nga ana e institucioneve të arsimit, policisë dhe institucioneve tjera relevante.

ARKATANA

‘Kjo nënkupton se matja e suksesit do të bëhet përmes statistikave nga shkollat, për të arritur qëllimin e synuar në këtë drejtim dhe besoj se bashkërisht do t`i parandalojmë këto dukuri negative, sepse një shoqëri e shëndoshë nuk mund të paramendohet pa një rini të shëndoshë’, ka thënë Morina Bunjaku.

Sipas saj, një segment tjetër ku duhet të punohet, si masë preventive për parandalimin e dukurive negative, është angazhimi i të rinjve në letërsi, kulturë e sport si dhe nëpër aktiviteteve jashtë kurrikulare, përmes organizatave jo qeveritare.

Duke u ndërlidhur me diskutimet e anëtarëve të KKSB, rreth këtyre problemeve, nënkryetarja Morina Bunjaku tha se është shqetësuese që nxënësit e shkollave të mesme, rreth 60 për qind e tyre, si pasojë e gjendjes jo të mirë ekonomike, detyrohen të punojnë dhe në të njëjtën kohë mungojnë në shkolla. Në të njëjtën kohë, ata rrezikojnë të përballen edhe me dukuri negative.

Sa i përket sigurisë në shkolla, ku sipas komandantit të Policisë, Agim Lipovica, ka rënie të rasteve në krahasim me vitin e kaluar, nënkryetarja e Komunës, Leonora Morina Bunjaku ka thënë se kujdesi prindëror ndaj fëmijëve duhet të jetë më i madh, krahas bashkëpunimit në relacionin kujdestar klase, nxënës-prind, sikurse i ka ftuar prindërit që fëmijët e tyre t`i orientojnë më shumë nga shkollat profesionale, si mundësi më e madhe për punësim e mirëqenie./rajonipress/