Lenjani me thirrje të ashpër deputetëve: “Zgjidheni presidentin ose kthejuni mandatin qytetarëve”
Gjilan – Përfaqësuesi i fshatit Karaqevë e Poshtme, Selver Lenjani, ka drejtuar kritika të forta ndaj klasës politike në Kosovë, duke kërkuar që deputetët të marrin përgjegjësinë institucionale dhe t’i japin fund bllokadës politike.
Sipas Lenjanit, vendi po përballet me një situatë të zgjatur të paqartësisë institucionale, e cila, sipas tij, po ndikon negativisht në zhvillimin politik, ekonomik dhe në besimin e qytetarëve ndaj institucioneve.
“Është koha e fundit që klasa politike të reflektojë dhe të veprojë në interes të shtetit. Kosova nuk ka më luksin të humbasë kohë me përplasje politike dhe kalkulime partiake. Deputetët duhet ta kryejnë detyrën për të cilën janë votuar, ose t’ua kthejnë mandatin qytetarëve”, deklaroi Lenjani.
Ai drejtoi kritika të drejtpërdrejta edhe ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e konsideruar atë përgjegjësin kryesor për krizën aktuale politike. Sipas Lenjanit, qasja e Kurtit po thellon ngërçin institucional dhe krijon përshtypjen se vendi mund të përballet sërish me zgjedhje të parakohshme.
“Qytetarët janë të lodhur nga retorika politike dhe eksperimentet e vazhdueshme. Kosova ka nevojë për institucione funksionale, vendimmarrje dhe stabilitet, jo për kriza të pafundme. Deputetët duhet të zgjedhin presidentin ose të largohen nga institucionet, duke ia kthyer fjalën sovranit”, u shpreh Lenjani.
Deklaratat e tij vijnë në një periudhë të tensioneve politike dhe debatit të vazhdueshëm rreth funksionalizimit të institucioneve, ndërsa pritjet e opinionit publik mbeten të fokusuara te gjetja e një zgjidhjeje që do t’i japë fund ngërçit politik dhe do të rikthejë normalitetin institucional./rajonipress/


