Hidromorava

Lëkurën e popullit, shteti e shet lirë.!!

/ 7 minuta lexim
ARKATANA

Nga Gani Sadiku – Njerëzit e politikës, në politikën e Kosovës, janë në gjendje të krijojnë situata emergjente nga gjëra fare të pa rëndësishme, për ta shpërqendruar vëmendjen e opinionit nga problemi i vërtetë që e ka katandisur shoqërinë Kosovare sidomos në këto vitet e fundit.!

Si mund të arsyetohet kryeministri i këtij vendi apo në tërësi elita e paturpshme e një pushteti idiotesk, i cili mburret me të “arriturat” në vend se tu kërkoj falje për mossukses, kur 15 vjet mbas lufte adresë e konsultimeve të klasës politike saher duhet të merret ndonjë vendim, akoma janë ambasadat e huaja. Kjo bënë të kuptojmë se politika e vendit, është ende në stadin embrional, dhe se sovraniteti i shtetit është akoma nën nivelin e ambasadave të huaja në vend. Ky “profit” Kosovës i erdhi për arsye të mosbesimit që kanë vendet perëndimore ndaj kësaj Qeverie të korruptuar.

Arrestimet e ndryshme që bëhen në vend, me pretekst gjoja të korrupsionit dhe krimit të organizuar, na kanë sjellë në kohën që qytetari të gëzohet për to, mirëpo deri më tani asnjë rast nuk po rezulton të jetë i suksesshëm apo të jetë dënuar dikush nga “peshqit e mëdhenj”, për shkak të zhvatjes së parasë publike dhe fondeve të ndryshme të qytetarëve.
Këtu më tepër po del që, Qeveria t’i mbrojë të korruptuarit, sepse ajo paraqet hekurudhën nëpër të cilën lëvizë treni i krimit, por edhe ata që po dënohen nga drejtësia, shteti po u jep “izen” të ikin kah të munden vetëm ta “shpëtojnë kokën”, që shumë prej tyre janë thirrur edhe në emër të patriotizmit dhe luftës.

Jemi mësuar të shohim episode të arrestimeve, burgosjeve, lirimeve, ikjeve nga burgjet të njerëzve me emër në këtë vend, pasurim të politikanëve, pasurim të pafund të disa emrave që thirren në emër të lutës, fshehje mbas emrit të UÇK-së të profiterëve të sajë, akuza për tradhti, lëvdata për patriotizëm, dhe gjëra të cilat Qeveria e një vendi normal assesi nuk do t’i toleronte.

Këto arrestime lëre ma që se bindin askënd në seriozitetin e drejtësisë dhe shtetit, por tregon edhe bashkëjetesën në mes të vendorëve me ndërkombëtarët e korruptuar në njërën anë, dhe të shtetit me krimin e organizuar në anën tjetër.

Shpesh ka ndodhur të flitet nga ana e qeveritarëve për një qeverisje të mirë, ndërsa që zyrtarët e shtetit kapen çdo ditë në hajni, korrupsion dhe krim, ose kanë aktakuza të ngritura nëpër Gjykata të vendit.

Kemi disa raste që kësi lloj aktakuza ngritën në prag të fushatave elektorale dhe të bëhen arrestime, nga më pompozet, më pas këta njerëz lirohen për të mos u ftuar më nga drejtësia, (një numër dështojnë për mungesë të provave, ose disa janë zyrtar që si kap ligji ) duke i diskredituar njerëzit për shkak të pistës së “huqur” gjatë hetuesisë dhe për shkak të bindjeve të tyre politike.

Deri sa në botën moderne politikanët e mirëfilltë nuk e shohin fundin e botës nëse mbesin në opozitë duke bërë politikë ndërkombëtare e lidhur për politikën kombëtare, në Kosovë politikanët vrapojnë për të hyrë në pushtet dhe për të bërë politikë as kombëtare bile, të lidhur me krimin për përfitime materiale.

Propozimet e kryeministrit dhe të argatëve të tij për ndryshime kushtetuese, në favor të vendeve të rezervuara për minoritete, po i çuditë edhe vet ndërkombëtarët me “zemërgjerësinë” e tij, i cili po kalon çdo standard ndërkombëtar për të drejtat e minoriteteve në çdo vend Europian.

Këto vende të rezervuara po fshihen mbas krijimit të FAK-ut gjë që është e disata tentativë e kësaj Qeverie për t’u hyrë ndryshimeve kushtetuese, me shpresë për t`i “hatruar” minoritetet në Kosovë.

Hidromorava

Duke parë ecurinë e zhvillimeve politike, del si urgjente mbajtja e zgjedhjeve nacionale ne vend, ku me të drejtë një shkrimtar amerikan thotë; “Nëse qytetarët e një vendi e shohin se është vjetruar petku politik e atij shteti dhe nuk kontribuojnë në ndërrimin me petk të ri, ata qytetarë nuk ja duan të mirën vendit të tyre.”

Vrojtuesit e politikës nuk mund të mos e kenë vërejtur pjekurinë e politikës serbe, kur pas bisedimeve me Kosovën në Bruksel, Daçiç pranoi zgjedhjet e parakohshme, sepse kështu ai arrin ta shpërndajë përgjegjësinë tek ata që do të zgjidheshin, (kryeministri Vuçiç) dhe Qeveria e re e Serbisë. Ndërsa kur bëhet fjalë për Kosovën, kryeministri Thaçi shkon me dy a tre këshilltarë në Bruksel, bisedon, merr vendime, të cilat nuk i bënë transparente,duke mos vrarë mendjen as për të ardhmen e vendit as për historinë dhe dëmet që padyshim do ti ketë vendi si pasojë e këtyre marrëveshjeve.

Deri sa Vuçiçit i rritet rejtingu në Gjermani dhe kudo në botë, ndërsa Kosova çdo ditë humbë kredit për arsye të një kryeministri që është përmendur në akuzat e Dick Martyt, por dhe për shkak të korrupsionit dhe krimit të organizuar, që po rritet dita ditës.

Këto zgjedhje dot duhet të mbaheshin shpejt, për ta rrëzuar konceptin qeverisës së shtetit të kapur, ndërkohë që vetëdija e sovranit është akoma në stadin minimalist, sepse populli e sheh shpëtimin tek lideri dhe partia që e voton, e jo tek shteti i së drejtës, i cli në Kosovë funksionon shumë dobët. Vetëm ndërrimet mund ta shpëtojnë këtë vend dhe këtë popull, nga kjo Qeveri e paradokseve, e cila mund të futet “llugave” në dëm të vendit, duke propozuar gjëra po ashtu paradoksale siç është rasti me fondin për mbrojtjen e të akuzuarve nga Gjykata ndërkombëtare për krimet e supozuara.

Ky pos që do të ishte një turp për ata që e propozojnë, dhe një mëkat për qytetarin e varfër, do të ishte edhe një “karshillëk” ndaj drejtësisë ndërkombëtare dhe në një far pranimi paraprak i fajësisë.

Ky fond do të ishte paragjykues , dhe s’di si do të përdorej, nëse dikujt i ngritët aktakuzë për drogë apo për krim të organizuar nga raporti i Dick Martyt.?

Shteti dhe Qeveria do të duhej të krijonin një fond për t’u ndihmuar atyre që do të lirohen si të pafajshëm nga kjo Gjykatë, meç rast do të ishte një satisfaksion moral për ta, dhe të cilët nuk do të jetonin më, me barrën e njollosjeve hipotetike.

Kjo Qeveri e ka ulë peshën specifike të vendit, dhe duke i thyer çdo ditë kurrizin e ka bërë Kosovën në sytë e ndërkombëtarëve si burim i jostabilitetit në rajon, burim i varfërisë dhe krimit të organizuar, vend ku shkelet ligji dhe kushtetuta, vend ku hartohen ligjet për të gjetur më pas klauzola abuzimi, vend ku ekziston një pabarazi e madhe sociale, vend nga i cili të rinjtë ikin në masë të konsiderueshme në kërkim të një perspektive. Me të drejtë njerëzit nuk qëndrojnë në një vend e të mos rrisin fëmijë dhe familje vetëm për hir të atdhedashurisë.

Nuk është e rëndësishme çka mendojmë ne për vete, por e rëndësishme është se çka mendojnë të tjerët për ne, se fundja nuk jemi ne ata që projektojmë të ardhmen e botës, por bota projekton të ardhmen tonë, dhe se ata përcaktojnë çmimin, sa d’ot na shitet lëkura./rajonipress/