UBT

Lëkundet sistemi

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Kosova po përballet me luhatje pothuajse në të gjithë sektorët e ekonomisë. Gjysmën e parë të këtij viti e karakterizon numri i vogël i kredive të lëshuara nga bankat dhe rënia e fitimit të tyre. Të dhënat e BQK’së tregojnë se punët nuk janë mirë as në tregtinë me jashtë, pasi eksportet po vazhdojnë të bien.

Kosovarët sivjet po marrin më pak kredi nga bankat. Por po vazhdojnë t’i deponojnë paratë e tyre në këto institucione, ndonëse jo edhe në shkallë të kënaqshme.

Kështu, në gjashtë muajt e parë të këtij viti, të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë se ka rënë edhe fitimi i tetë bankave komerciale që aktualisht operojnë në Kosovë.

E numri i atyre që nuk po mund t’i kthejnë kreditë e marra në institucione financiare në vend, ka filluar të rritet. Pra, kreditë joperformuese u rritën nga 5.9 në 6.5 për qind.

Përveç luhatjeve në sektorin bankar, gjatë kësaj periudhe ndryshime negative ka pasur edhe në tregtinë me jashtë.

Është rritur shkalla e importeve dhe eksportet e prodhimeve vendëse kanë rënë dukshëm.

Tabelat e buletinit mujor statistikor të BQK-së, janë përplot shifra që në shikim të parë të paraqesin një pasqyrë pozitive pothuajse në të gjithë sektorët.

Por, krahasuar me periudhat e mëhershme, nuk duket se gjithçka po ecën mirë.

Në qershor të këtij viti, vlera e gjithsej kredive të sektorit bankar arriti në 1.77 miliard euro që paraqet një rritje vjetore prej 9.3 për qind, krahasuar me normën prej 15.7 për qind të regjistruar në gjysmën e parë të vitit 2011.

Ndërkaq, depozitat e qytetarëve në banka arritën vlerën prej 2.1 miliardë euro dhe shënuan rritje vjetore prej 7.7 për qind.

Kjo rritje nëse krahasohet me normën e rritjes së kredive del të jetë më e ulët për rreth dy për qind, në këtë periudhë.

Në raportin e BQK-së është karakteristike se burim kryesor i depozitave vazhdojnë të jenë ekonomitë familjare me një pjesëmarrje prej 72.1 për qind në gjithsej depozitat, apo 1.4 miliard euro.

Mobi Casa

Ndërmarrjet private i kanë deponuar në banka vetëm 287 milionë euro, të pasuar nga ndërmarrjet publike me vetëm 70 milionë euro.

Gjatë kësaj periudhe, ata që nuk janë banorë të Kosovës apo jorezidentët, por që kanë llogari në bankat që operojnë në vend, kanë deponuar më pak para në bankat komerciale.

“Depozitat e jorezidentëve arritën në 75.9 milionë euro duke shënuar rënie prej 23.9 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, thuhet në raportin e BQK-së.

E të gjithë ata që i mbajnë paratë nëpër banka, norma mesatare e interesit në depozita gjatë gjysmës së parë të vitit 2012 ishte 3.4 për qind, që është nivel i njëjtë me vitin paraprak.

Ndërsa, norma mesatare e interesit në kredi gjatë kësaj periudhe shënoi rënie prej 0.6 pikë të përqindjes duke zbritur në 13.7 për qind, krahasuar me 14.3 për qind sa ishte në periudhën e njëjtë të vitit 2011.

Më së shumti kredi, pavarësisht normës së interesit të ofruar nga ndërmarrjet, kryesisht tregtare, apo 68.9 për qind e totalit të lëshuar nga bankat, ndërsa pjesa u është lëshuar ekonomive familjare. Kreditë e destinuara për këta të fundit shënuan rritje më të shpejtë gjatë pjesës së parë të vitit 2012, krahasuar me kreditë e destinuara për ndërmarrjet.

Në përgjithësi, gjashtëmujori i parë i vitit, sipas të dhënave të prezantuara nuk është i kënaqshëm për bankat.

“Gjatë kësaj periudhe, sistemi bankar i Kosovës realizoi profit neto në vlerë prej 10.2 milionë euro, i cili është për 32.1 për qind më i ulët, krahasuar me profitin e realizuar në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, thuhet në raport.

Sektori bankar në vend është konsideruar deri më tani mjaft profitabil. Në raportin e publikuar ditë më parë nga “Forum 2015”, thuhet se në vitin 2005, profiti neto i bankave ishte 13.5 milionë euro. Ndërkohë, në fund të vitit 2011, ky profit ishte ngritur në 37 milionë euro.

Sipas raportit të publikuar nga “Forumi 2015”, gjatë viteve të fundit vërehet trend rritës i kredive konsumuese. Por, brengosëse mbeten kreditë për bujqësi, të cilat deri më tani janë vlerësuar me normë tejet të lartë të rrezikshmërisë nga bankat.

Buletini mujor statistikor i Bankës Qendrore të Kosovës tregon se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2012, deficiti tregtar në Kosovë arriti në 988.5 milionë euro, me një rënie të eksporteve për 18.4 për qind.

Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, deficiti tregtar shënoi rritje vjetore prej 6.4 për qind, ndryshe sa ishte regjistruar 16.6 për qind në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.(express)