Leksioni i Kërçovës
Nga Milaim Shefkiu – Shqiptarët për të parën herë pas 70 vitesh, e kanë fituar komunën e Kërçovës, një komunë vazhdimisht e banuar me shumicë shqiptare, por e mbetur me shekuj në administrimin e maqedonasve.
Kjo e djeshmja nuk ishte thjesht një fitore kaçakçe, ose aksidentale, por një fitore e veçantë, e cila ka ngjallur në opinion një varg leksionesh, se si është dashur të vepronin dhe si duhet të veprojnë në të ardhmen lidershipi politik, qytetarët dhe shoqëria civile.
Kërçova tregoi se shqiptarët, atëherë kur janë të kërcënuar, dinë të organizohen, të veprojnë dhe të funksionojnë si një trup. Po ashtu me këtë fitore ia prenë “gjuhën” kryeministrit maqedonas, i cili mendonte me forcë ta mbajë Kërçovën për veti. Edhe ky triumf e vërtetoi sa me vend është ajo thënia se “Livadhi është i atij që i ka delet”.
Pyetja do të ishte se kush ishte më meritori për këtë fitore? Natyrisht që të gjitha meritat nuk i takojnë kandidatit të BDI-së, Fatmir Dehari. Thjesht, sepse nuk ishte Dehari ai që organizoi gjithë qytetarët, edhe diasporën edhe kërçovarët që jetojnë në Kosovë edhe ata në Shqipëri, që të shkojnë dhe të votojnë për kandidatin e Ali Ahmetit.
Kësaj fitore pa asnjë dyshim i kontribuoi diaspora që erdhi masivisht, me avionë e autobusë të organizuar, duke sakrifikuar edhe veten edhe familjen me qëllim që shqiptarët të marrin në dorë Kërçovën. Po ashtu ajo që ishte më parimore është fakti se partitë politike shqiptare në Maqedoni të cilat deri dje dukeshin “si brinat në thes”, u bashkuan dhe dolën me një kandidat. Ky bashkim jo vetëm që solli fitoren historike, por u dha edhe një mësim se si duhet fituar dhe organizuar karshi atyre që nuk po na dalin si miq.
Por a ka vend që shqiptarët të kënaqen e madje edhe të ekzaltohen me fitoren e Kërçovës? Normalisht që jo.
Në këtë fitore Ali Ahmeti ka më pak merita se sa kundërshtari i tij në politikë, Menduh Thaçi. Madje ky i fundit ka më shumë merita sepse u tërhoq me kandidatin e tij dhe, në ballafaqim me maqedonasit, e la në garë vetëm Deharin.
“Abazi” i BDI-së nuk u tregua i sinqertë me kandidatin e tij për komunën e Strugës, sepse ai e sfidoi me shumë se sa kundërshtari maqedonas, Ziadin Selën e PDSH-së. Nëse në Strugë do të aplikohej logjika e Kërçovës edhe atje do të zgjidhej fituesi që në raundin e parë, sepse maqedonasit dolën të bashkuar ndërsa shqiptarët pikë e pesë. Tani deklarata e Ali Ahmetit se në raundin e dytë, në balotazh, do ta mbështesë kandidatin e PDSH-së, duket pak e vonuar por nuk kanë thënë kot “më mirë vonë se kurrë” .
Pavarësisht kësaj, zgjedhjet në Maqedoni u kanë dhënë mësim edhe shqiptarëve në Kosovë, edhe atyre në Mal të Zi, e në veçanti shqiptarëve në Luginën e Preshevës, se “bashkimi bën fuqinë”. Derisa në Kërçovë u shpagua bashkimi i partive politike shqiptare, në Bujanoc të Kosovës Lindore ka ndodhur e kundërta. Pas zgjedhjeve, partia që fitoi shumicën bëri koalicion me partitë serbe dhe me këtë rast aplikoi një politikë që më shumë mund të konsiderohet destruktive se sa racionale.
Derisa në Kërçovë ndikoi edhe gjuha e urrejtjes e kryeministrit Nikolla Gruevski që thoshte se Kërçova është e maqedonasve dhe këtu përfundon ëndrra për Shqipërinë Etnike, në Bujanoc deklarata e kryeministri Ivica Daçiq, nuk ngjalli këso emocionesh, madje përkundrazi…
Një element tjetër që vlen për t’u vlerësuar në zgjedhjet e të dielës në Maqedoni është fitorja e Teuta Arifit në Tetovë. Jo se në këtë garë fitoi kandidatja që bart bagazhin e luftës, por se në qytetin me ngarkesën më të madhe orientale, fitoi një femër moderne. Kjo fitore u mbyll gojën edhe shumë skeptikëve, duke treguar se shqiptarët gradualisht po zhvishen nga ngarkesa e orientalizmit dhe po orientohen nga dera e integrimit evropian.
Sidoqoftë, këto zgjedhje shumëkujt duhet t’u shërbejnë si leksion demokratik, së pari për liderët politikë shqiptarë në Maqedoni që janë në hasmëri që të heqin dorë nga urrejtja vëllazërore dhe nga koncepti i bajraktarizmit.
Të gjithë kryetarë nuk mund të jenë. Prandaj më mirë është “djalli yt, se sa engjëlli i huaj”.


