RCCOLA

LDK : Ishim dhe jemi në mbështetje të themelimit të Komunës së Zhegrës

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Dega e LDK të Gjilanit nga viti 2003 e këndej, në vazhdimësi ka qenë për themelimin e komunës së Zhegrës, si një e drejtë e ligjshme e qytetarëve të Grykës së Karadakut thuhet në një njoftim të degës së LDK-së në Gjilan.

Sipas LDK-së ajo ka punuar dhe është angazhuar në këtë drejtim, duke mbështetur vullnetin e qytetarëve të kësaj ane, edhe para zyrtarëve ndërkombëtar por, edhe në nivelin qendror.

Madje, edhe investimet e bëra në këtë pjesë, në vitet 2004/ 2006, ishin pjesë e projekti që e lidhte edhe komunën e Gjilanit me korridoret ndërkombëtare, të cilat u realizuan edhe falë bekimit të Presidentit Rugova.

Por, Pakoja e Ahtisaarit, ( 2007) e shtyri për një afat trevjeçar themelimin e kësaj komune.

Megjithatë, kjo qeveri , e cila gojarisht e shpalli si të bërë komunën e Zhegrës, e ka pasur këtë mundësi dhe fuqi, që nga viti 2010 e këndej për ta bërë Zhegrën komunë.
Jo që nuk e bëri, përkundër kërkesave të qytetarëve të Zhegrës por, edhe të deputetëve tanë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, por as edhe nuk investoi thuaja asnjë projekt që do ndikonte në përgatitjen e infrastrukturës së ardhshme të komunës së Zhegrës thuhet në komunikatë.

Mobi Casa

Dhe, tash, kur janë dekretuar zgjedhjet lokale në Kosovë, kryeministri i këtij vendi, në përpjekjet e tija manipulative, tenton për t’ ju hedhur hi syve zhegrasve dhe përgjithësisht qytetarëve të Grykës së Karadakut se, qe, po ju bëj komunë, duke tentuar për tu justifikuar për mungesën e investimeve në këtë pjesë gjatë gjithë mandatit të tij.

Ne kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që, në përputhje me normat ligjore, t’i ndërmerr hapat e duhur dhe, brenda një afati sa më të shkurtër kohor, ta ndërtojë bazën ligjore , infrastrukturën si dhe kapacitetet kadrovike duke i organizuar më pas edhe zgjedhjet për organet e reja të komunës së Zhegrës, të cilat dosido do duhej ta kenë bekimin e votuesve të kësaj ane.

Si Degë, ne mbesim fuqishëm në të drejtën e ligjshme të zhegrasëve për ta pasur komunën e tyre. Dhe, kërkojmë që, kryeministri dhe qeveria të cilën ai e udhëheq, ta përmbushë këtë premtim të pastër para elektoral, duke e ngritur përnjëmend komunën e Zhegrës në këmbë të shëndosha dhe, të mos luaj me ndjenjat e njerëzve të mirë të Karadakut.

Përndryshe, Dega e LDK të Gjilanit, e bindur se do jetë fituese e zgjedhjeve të 3 Nëntorit, do angazhohet dhe do intensifikojë që në hapat e parë të qeverisjes së saj me Gjilanin, përkushtimin për ndërtimin e infrastrukturës komunale të Zhegrës, qoftë me investime konkrete por, edhe me ngritjen e kapaciteteve kadrovike përmes mekanizmave të saj si dhe një serë punësh të tjera administrative, në mënyrë që, Zhegra dhe rrethina e saj ta kenë dhe ta gëzojnë një perspektivë të ndritshme zhvillimi sepse e meritojnë, falë kontributit të dhënë në të gjitha domenet e jetës përfundon njoftimi./rajonipress/