Lamtumirë Adem Syla, inxhinieri që la gjurmë në biznesin e Gjilanit
Gjilan – Qyteti i Gjilanit është zgjuar sot me një lajm të dhimbshëm. Është ndarë nga jeta në moshën 67-vjeçare inxhinieri dhe afaristi i njohur Adem Syla, një nga figurat që për vite me radhë kontribuoi në zhvillimin e sipërmarrjes dhe jetës ekonomike në qytet.
Adem Syla njihej si një nga afaristët e parë në Gjilan që me guxim dhe vizion hodhi hapat në botën e biznesit, duke themeluar kompaninë AS Inxhiniering, e cila për shumë vite u bë pjesë e projekteve dhe zhvillimeve në fushën e inxhinierisë dhe ndërtimit.
Për miqtë dhe bashkëpunëtorët, ai nuk ishte vetëm një profesionist i përkushtuar, por edhe një njeri i urtë, i respektuar dhe gjithmonë i gatshëm për të ndarë përvojën dhe fjalën e mirë.
Lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka prekur shumë miq dhe bashkëpunëtorë. Miku i tij, Jahir Kërçeli, në një mesazh prekës ka shkruar:
“Sot mora lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të shokut tim Ademit. Humbja e tij më ka prekur thellë, sepse bashkë kemi ndarë shumë kujtime, biseda dhe momente që nuk do t’i harroj kurrë. Miqësia jonë do të mbetet gjithmonë në zemrën time. Do të më mungosh shumë shoku im. U prehsh në paqe.”
Familjarë, miq dhe bashkëqytetarë do t’i japin sot lamtumirën e fundit Adem Sylës. Ai do të varroset këtë të premte në varrezat e qytetit në Gjilan, duke lënë pas kujtimin e një njeriu punëtor, mik të mirë dhe një emri që për vite me radhë ishte pjesë e zhvillimit të qytetit./rajonipress/


