Kuvendi, teatri dhe aktorët shakaxhinj

Nga Milaim Shefkiu – Ka vite që numri i shikuesve në teatrot e Kosovës ka rënë dukshëm, pavarësisht karakterit dhe përmbajtjes së shfaqjes. Jo që shqiptarët nuk dinë të aktrojnë, apo nuk kanë sy dhe ndjenja për ta përjetuar shfaqjen, tragjedinë ose komedinë, por janë lodhur duke parë tragjikomedi për çdo ditë të lume.
Këto shfaqje që gati çdoherë dalin “premiera” i jep Kuvendi i Kosovës, kur zhvillohen seancat e rregullta plenare. Ngjarja bëhet më interesante në ato seanca (shfaqje) kur diskutohet për çështje që janë paska më të nxehta, buxheti, bisedimet, veriu, diplomacia etj. Sa herë që i shikon seancat e Kuvendit dëgjon lloj-lloj frazash, nga më të ndryshmet, nga ata që janë të thirrur ose janë votuar për të bërë politikën, për të bërë ligjet dhe për të mbikëqyrur funksionimin e tyre.
Njerëzit që kanë autoritet, kanë nam e kanë “respekt” në opinion, sa herë janë larë e shpërlarë, janë zhytur e përzhytur dhe janë bërë fund e krye palaço. Loja në Kuvend shpeshherë nuk i ngjason as teatrit profesionist, por atij të kukullave. Sepse deputetët për të treguar se janë patriotë, ia përmendin njëri-tjetrit dajallarët e kushërinjtë. “Daja jem ua ka kajtë nanën shkijeve, kurse i joti s’ka ba kurgjo”. Ai tjetri e pyet deputetin e partisë rivale…“ku je kon në 98-ën. Nuk vishe n’mal. S’ta mbajke….a sot po shet trimni”.
Nuk janë vetëm këto fraza margaritarët e frazat antologjike. Natyrisht kësi perla ka sa të duash në Kuvendin e Kosovë. I tillë ka qenë debati i të mërkurës kur kryeministri Hashim Thaçi e ka njoftuar Kuvendin për bisedimet në Bruksel. Vetëm fillimi i kësaj seance ka qenë legjislative, sepse me vonë gjithçka ka kaluar në çështje personale. Dhe kjo është e logjikshme që politikanit kur t’i humbasin argumentet, debatin e perosonalizon, duke u nisur nga vëllezërit, prindërit, dajat, katundi e ndalen në fund të dynjasë, të Hava e Ademi.
Dje në seancë gjithçka ka shkuar ters, ndërsa në qendër të vëmendjes si zakonisht kanë qenë kryeministri Hashim Thaçi dhe lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti. Derisa ky i fundit e apostrofoi Thaçin si një instrument të Daçiqit, i cili po u shërben interesave të Serbisë, Thaçi tha se Daçiqi ka qenë ai që ka promovuar Kurtin si politikan. Madje kryeministri me insistim disa herë e pyeste Kurtin se kush e ka iniciuar konferencën për media në burgun e Pozherevcit, që ai të promovohet si lider. Akuzat e ndërsjella, natyrisht se kush është më patriot kanë vazhduar gjatë gjithë ditës. Vetëvendosje e quajti Thaçin politikan demagog, që flamurin kombëtar e ngrit vetëm në Shqipëri, por jo edhe në kufi me Serbinë, ndërsa Thaçi e apostrofoi Vetëvendosjen, si lëvizje me deficit patriotik.
Natyrisht se përsëritjet e këtyre deklaratave kalon në monotoni, por ajo që është e vërtetë, është fakti se në odat e burrave që kanë ekzistuar para disa vitesh, ka pasur më shumë rregull dhe ligj. Është ditë kush e ka fjalën dhe cila është tema e muhabetit. Kuvendi i kësaj nomenklature është kthyer disa dekada mbrapa, për të mos thënë në primitivizëm. Kjo sepse sot nuk dihet cila është tema e seancës dhe çka sjellë ajo.
E nisin seancën për bisedime, dalin te lufta e UÇK-së, falsin kush e ka babën më të fortë dhe kush i ka dajat më trima. Nuk përfundon me kaq. Kuvendi nuk i ngjan teatrit tragjikomik. Kohën e fundit ai është shndërruar edhe në ring të arteve marciale. Institucioni më i lartë ligjvënës i Kosovës është shndërruar në arenë boksi. Mund të jetë edhe e kikboksit sepse përveç shpullave e grushteve janë përdorur edhe shkelmat.
Ndoshta gjithë këto shfaqje premiera mund të jenë si rezultat i vjedhjes ordinere të votave dhe kontrabandimit të ligjvënëse në Kuvend. Nëse punët shkojnë ashtu siç po do Brukseli, me më pak hajna dhe kriminelë, ka mundësi që viteve të tjera teatrot të mbushen me spektatorë, ndërsa edhe aktorëve profesionistë t’u kthehet nami që kishin dikur. Edhe deputetit e Kuvendit t’i kthehet nami kaq shumë i nëpërkëmbur nga gjithë këta “shakaxhinj” që, siç po shihet, aksidentalisht janë gjetur në kohën e gabuar.