Kuvendi ta ngrejë zërin për paditë kundër Serbisë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, edhe pse është folur e shkruar shumë rreth dëmeve e padive për dëmet e luftës nga Serbia, asnjëherë nuk e diskutuan çështjen e gjykatave të Kosovës që po hedhin poshtë paditë civile të qytetarëve dhe bizneseve kundër Serbisë për dëmshpërblim e kompensim të dëmeve të luftës nga Serbia fashiste, piromane e vrasëse në masë.
“Nëse deputetët e Parlamentit të Kosovës heshtin për këtë çështje të ndjeshme, atëherë vetëkuptohet se kemi një tjetërsim të vullnetit të përgjithshëm qytetar, pasi ata deputetë kanë fituar mandatet për të përfaqësuar vullnetin e përgjithshëm qytetar. Vazhdimi i heshtjes për këtë çështje është alarmues për deputetët e Parlamentit Kosovës, se mandati i fituar i deputetit nga qytetarët me marrëveshje të pashkruar nuk është jetësuar dhe përfundimisht vota qytetare do të jetë ndëshkuese”, thotë analisti Hidajet Ahmeti për “Kosova Sot”.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, edhe pse është folur e shkruar shumë rreth dëmeve e padive për dëmet e luftës nga Serbia, asnjëherë nuk e diskutuan çështjen e gjykatave të Kosovës që po hedhin poshtë paditë civile të qytetarëve dhe bizneseve kundër Serbisë për dëmshpërblim e kompensim të dëmeve të luftës nga Serbia fashiste, piromane e vrasëse në masë.
Është për t’u habitur fakti se si asnjëherë këta deputetë nuk i intrigoi fakti i refuzimit të padive të qytetarëve kundër Serbisë për dëmet e luftës që ky shtet fashist u ka shkaktuar atyre gjatë luftës dhe shteti i Kosovës përmes gjykatave i refuzon padite për dëmet e luftës që qytetarët dhe bizneset i bën kundër Serbisë në gjykatat e Kosovës në Prishtinë. Edhe pse Komisioni i ligjeve në Kuvendin e Kosovës ushtron mbikëqyrjen e vet në sistemin e drejtësisë, nuk ka bërë ndonjë hap në këtë drejtësi, pavarësisht faktit të ditur që ky sistem i drejtësisë, lëre që nuk guxon të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin, duke qenë tërësisht në shërbim të pushtetarëve kuisling e të inkriminuar dhe të nëntokës kriminale të mafio-oligarkëve, por u vu po ashtu në shërbim të plotë të interesave të Serbisë në Kosovë. Ekspertët e fushës së të drejtës dhe analistët e shohin këtë si një fyerje të papërballueshme institucionale që bëhet nga politika kuislinge e mercenare kosovare dhe e papërgjegjshme ndaj popullit.
Neglizhenca e gjyqësorit
Politologu Arsim Haziri mendon se mos trajtimi i skandalit nëpër gjykatat e Kosovës, të cilat po i hedhin poshtë si të papranueshme paditë civile për dëmet dhe krimet e luftës, është një papërgjegjësi e të gjitha legjislaturave të Kuvendit që nga shpallja e pavarësisë e deri më sot.”Me keqardhje mund të them se jo vetëm kjo legjislaturë, por edhe të kaluarat, kanë munguar për ta përfaqësuar denjësisht vullnetin qytetar brenda Kuvendit të Kosovës. Ato sikur të ishin brenda përgjegjësive morale e politike, ndryshe do të kishte me qenë mbrojtja dhe kërkimi i të drejtave të qytetarëve”, u shpreh ai për “Kosova Sot”. Sipas tij, pikërisht kjo qasje ka ndikuar në mungesë kontributi të avancimit të sistemit ligjor, përgjithësisht atë demokratik, me neglizhencën e tyre po ashtu edhe kanë amnistuar thuaja në vazhdimësi edhe regjimin fashist për dëmet e zhvilluar gjatë periudhave të ndryshme, që natyrisht se përbëjnë shifra miliardësh.
Reforma e largët
Sipas analistit Bislim Aliu, është një papërgjegjësi para votës së qytetarit, por edhe të kaluarës së dhimbshme të këtij populli, që deputetët e Kuvendit të Kosovës gjer më tani asnjëherë nuk e diskutuan çështjen e Gjykatave të Kosovës, të cilat hedhin poshtë vazhdimisht paditë civile të qytetarëve dhe bizneseve kundër Serbisë, për dëmshpërblim e kompensim të dëmeve të luftës nga Serbia fashiste, piromane e vrastare në Kosovë.”Ata duhet të tregojnë pse nuk reagojnë derisa shteti i Kosovës përmes gjykatave i refuzon paditë për dëmet e luftës, që qytetarët dhe bizneset i bën kundër Serbisë në gjykatat e Kosovës në Prishtinë. Këta ligjvënës kanë përgjegjësi që nuk flasin e nuk e bëjnë temë diskutimi në Kuvend faktin që ky sistem i drejtësisë lëre më që nuk guxon të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin, duke qenë tërësisht në shërbim të pushtetarëve kuislingë e të inkriminuar dhe të nëntokës kriminale e të mafio-oligarkëve, por u vu po ashtu edhe në shërbim të plotë të interesave të Serbisë në Kosovë, duke mos denjuar që edhe pse kanë kaluar afro 2 dekada nga lufta të mos trajtojnë dëmet e luftës, duke refuzuar për t’i trajtuar në përputhje me ligjet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare”, theksoi Aliu për “Kosova Sot”.
Ndërsa ligjëruesi Blerim Burjani tha për “Kosova Sot” se derisa me ligje dhe Kushtetutë pushteti gjyqësor është i pavarur nga pushteti ligjdhënës, Kuvendi mund të nxjerrë ligje që referojnë punën e organeve të drejtësisë. “Është larg të ndodhë një reformë gjyqësore normale për shkak të mosqenët e pavarur vetë KGJK dhe KPK-ja, derisa jo rrallë rrit pagat politika, sikur bashkëjetojnë në paqe, pra kryejnë punë reciproke”, tha Burjani për “Kosova Sot”. Gazetari ka provuar të marrë përgjigje nga deputetët, anëtarë të Komisionit të ligjeve, pse nuk po iniciohet për diskutim kjo çështje, por ata kanë hezituar të flasin.
MIFTARI: VETËM NJË VETTING I FUQISHËM DO TA PASTRONTE SHTETIN DHE DREJTËSINË NGA DORA E MAFISË POLITIKE DHE KLANEVE KRIMINALE
Sipas Naim Miftarit, ekspert i fushës së sigurisë dhe veteran i luftës, mosdiskutimi i shumicës të deputetëve te Kuvendit të Kosovës për çështjen e dështimeve dhe deformimeve në gjykata tonat, është një akt i habitshëm i heshtjes. “Ky sistem dhe kjo qeveri, sikurse ato më herët, jo që nuk e luftojnë krimin e organizuar, por është plotësisht pjesëmarrës në krime dhe janë koka e krimi të organizuar, prandaj të mbash shpresë sot si qytetar i vendit se do të kthjellen këta kriminelë politikë e pushtetarë, qytetari i tillë menjëherë duhet shkuar te psikiatri për kontroll”, theksoi ai.
Sipas tij, vetëm një VETTING i fuqishëm dhe neutral do ta pastronte shtetin dhe sidomos drejtësinë, policinë e inteligjencën nga dora e mafisë politike dhe klaneve kriminale. “Mosdënimi i Serbisë dhe mosdënimi i asnjë krimineli serb për miliona krime lufte, vrasje, dhunime, pastrim etnik, gjenocid, plaçkitje…, që i kanë bërë forcat shtetërore serbe vetëm në luftën e fundit në Kosovë kundër shqiptarëve, tregon qartë se drejtësia e shtetit të Kosovës dhe Parlamenti i Kosovës janë të mbushur me ‘kosovarë’, nipa serbë e kumbarë pro-serbë që ende e kanë në zemër nostalgjinë për Serbinë dhe Jugosllavinë”, tha Naim Miftari për “Kosova Sot”.
AHMETI: KJO LOGJIKË E FUNKSIONIMIT TË GJYQËSORIT NË KOSOVË, POSAÇËRISHT NË RASTIN E PADIVE NDAJ SHTETIT SERB, KA NJOLLOSUR GJYQËSORIN!
Njohësi i fushës së të drejtës Hidajet Ahmeti thekson se është një fakt i pamohueshëm që deputetët e Parlamentit të Kosovës, deri më tani, nuk përfaqësuan drejt, mirë, seriozisht e me sinqeritet, vullnetin e përgjithshëm qytetar, pasi hezituan të diskutojnë çështje serioze që e mundojnë qytetarin, e në mesin e tyre edhe atë të hedhjes poshtë të padive civile të qytetarëve kundër shtetit serb nga gjykatat e Kosovës.”Kjo logjikë e funksionimit të gjyqësorit në Kosovë, posaçërisht në rastin e padive ndaj shtetit serb, ka njollosur gjyqësorin si pushtet i pavarur brenda mandatit kushtetues e ligjor. Kjo frymë e funksionimit është një fyerje ndaj qytetarëve të Kosovës e njëkohësisht është një pasqyrë e qartë e funksionimit të brishtë të gjyqësorit e në këtë rast ndikimin dhe dirigjimin e këtij pushteti nga politika e inkriminuar. Gjykoj se këto veprime fyese të gjykatave në Kosovë duhet të ngrihen nga institucioni përfaqësues e ligjvënës, posaçërisht nga deputetët, të cilët përfaqësojnë vullnetin qytetar. Zëri i tyre për këtë çështje do të jetë në të mirë të qytetarëve dhe njëkohësisht do të jetë një presion demokratik për të ndryshuar logjikën e funksionimit të gjyqësorit në përgjithësi”, u shpreh Ahmeti për “Kosova Sot”.
KAPITI: NUK MERREN FARE NË KONSIDERATË PADITË E QYTETARËVE PËR KOMPENSIMIN E DËMEVE TË LUFTËS QË I KA SHKAKTUAR REGJIMI GENOCIDIST SERB
Ndërsa eksperti i së drejtës, Skënder Kapiti, tha për “Kosova Sot” se ai mendon që nuk ka shtet modern, nuk ka shtet ligjor dhe human shteti, i cili nuk bën për qytetarët e vet kompensimin për padrejtësitë e së shkuarës.”Shiko se çfarë po ndodh në Shqipëri ku shkaku kryesor i bllokimit të shtetit, të ligjit, të zhvillimit dhe të integrimit, janë ato se shteti shqiptar akoma nuk ka bërë kompensimin e atyre, të cilët kanë pësuar nga padrejtësitë e komunizmit. Ndërsa në Kosovë akoma më keq, pasi atje as nuk merren fare në konsideratë paditë e qytetarëve për kompensimin e dëmeve, të pasurive dhe të bizneseve të luftës që u ka shkaktuar atyre regjimi militar, kolonialist e genocidist serb”, u shpreh ai.”Nuk e di çfarë kuptimi ka të pranosh bisedime për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi pa pranuar Serbia faljen për krimet dhe gjenocidin e saj, si dhe të mos diskutohet dhe as mos t’i kërkohet Serbisë deri më sot nga politika dhe pushteti në Kosovë dëmshpërblimin e luftës. Kjo përbën papërgjegjshmëri dhe tradhti kundrejt qytetarëve të Kosovës”, vlerësoi Kapiti. “Drejtësia në Kosovë tashmë dihet se ka degraduar, për faktin se edhe politika po kështu ka falimentuar. Nuk mundet që ky sistem drejtësie të jetë në përkrahje të të drejtave të qytetarëve për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga ish-regjimi kriminal serb, pasi ata vetë, pra gjyqtarët e prokurorët, bashkë me politikanët, e kanë shqyer Kosovën, kanë grabitur troje, pasuri dhe ndërmarrje, si dhe kanë shkelur dhe grabitur edhe pasuri të qytetarëve kosovarë”, tha Skënder Kapiti për “Kosova Sot”.
(Kosova Sot)