Uji Dea

Kuvendi Komunal paralajmëron rishikimin e vendimit për kushtëzime

/ 5 minuta lexim

Gjilan – Kuvendi Komunal i Gjilanit, në seancën e së mërkurës, është njoftuar me efektet e kushtëzimit në dy kompanitë publike “Higjiena” dhe ‘Hidromorava”, që janë në zbatim nga korriku i vitit të kaluar.

Izmi Zeka, kryesues i Kuvendit Komunal ka thënë se në seancën e ardhshme do të rishikohet ky vendim dhe ka paralajmëruar anulimin e tij, për shkak të vërejtjeve që ka bërë MAPL, ndërkohë që edhe Gjykata Kushtetuese pritet të dalë me vendimin e saj sa i përket kësaj mase, ku çështja është dërguar nga një grup i qytetarëve. “Asnjë vendim që bie ndesh me ligjet në Kosovë, nuk do të lejohet”, ka thënë Zeka.

Anulimin e vendimit e kanë kërkuar edhe përfaqësuesit e AAK-së dhe LDK-së, që përbëjnë opozitën, derisa drejtuesit e kompanive të ujit dhe mbeturinave, Mirvete Hoti e Bajram Isufi, të cilët kanë prezantuar informatat mbi efektin e kësaj mase në arkëtimin e borxheve nga qytetarët, janë shprehur të shkurajuar me këtë paralajmërim.

Mirvete Hoti, drejtoreshë në kompaninë e ujit “Hidromorava” ka thënë se kushtëzimi ka dhënë rezultate jashtëzakonisht të mira, jo vetëm në aspektin financiar, ku të hyrat janë rritur për 10 për qind, por më shumë se kaq, ka ndikuar në vetëdijesimin e qytetarëve për t`i kryer obligimet e tyre.

Hoti ka kërkuar që kushtëzimi të vazhdohet edhe më tutje, derisa qytetarët të vetëdijesohen se shërbimet që marrin, duhet edhe të paguhen. Sipas saj, kushtëzimi nuk është kundërligjor, sepse qytetarët po detyrohen të paguajnë atë që kanë shpenzuar, ka thënë Hoti, duke nënvizuar se askund nuk shkruan se uji është falas.

Kurse Xhelal Shabani, drejtor financiar i kompanisë, ka thënë se në aspektin buxhetor, rezultatet e kushtëzimit janë 96 mijë euro, por kjo masë ka dhënë efekte edhe në drejtimet tjera, sepse janë identifikuar 800 konsumatorë ilegalë, ndërsa janë lajmëruar edhe 200 të tjerë, që nuk kanë kryer asnjë pagesë deri tani.

Sokol Haziri (AAK) tha se kushtëzimi është masë kundërligjore dhe duhet të hiqet menjëherë. Edhe Sadudin Berisha tha se LDK nuk mbështet kushtëzimet që nuk janë ligjore. Ai sugjeron që kompanitë të gjejnë forma tjera për t`i detyruar qytetarët që t`i kryejnë obligimet e tyre.

Arben Mehmeti (LDK) ka thënë se çdo kushtëzim i qytetarëve është në kundërshtim me kushtetutën, pavarësisht qëllimit të mirë për t`i ndihmuar kompanitë.

Zijadin Maliqi (LDK) ka shprehur dyshime se kushtëzimi në disa shërbime komunale, me pagesën e faturave të ujit dhe mbeturinave, është reflektuar negativisht te tatimi në pronë, pasi që sipas tij, ka raste kur qytetarët shkojnë në komuna tjera për t`i regjistruar veturat.

Fidanishtja

Arben Maliqi (AKR) tha se kushtëzimi vlen për qytetarët e pandërgjegjshëm dhe kërkoi që para se të vendoset për heqjen ose vazhdimin e tij, duhet të bëhet një vlerësim i efekteve të kësaj mase.

Qemajl Mustafa, kryetar i Komunës, u shpreh i bindur se kushtëzimi nuk është kundërligjor, por opozita po e përdorë këtë për qëllime të vetat. “As MAPL nuk sqaron se ku qëndron shkelja ligjore”, ka thënë Mustafa, duke kërkuar që kushtëzimi të mbetet në fuqi, sepse kompanitë publike nuk mund të ofrojnë shërbime të mira, nëse nuk qytetarët nuk i kryejnë obligimet e tyre.

Kreu i Komunës ka mohuar ndikimin e kushtëzimit te pagesa e tatimit në pronë, duke thënë se ngecja në realizimin e planit ka ndodhur si rezultat i neglizhencës te ky sektor dhe kjo është konstatuar edhe nga auditori i brendshëm.

Informatën për efektet e kësaj mase në kompaninë e mbeturinave e ka paraqitur kryeshefi ekzekutiv, Bajram Isufi. ”EcoHigjiena” i ka avancuar bukur shumë shërbimet, por ende ka problem me inkasimin e faturave. Ai ka kërkuar që kushtëzimi të mbetet në fuqi, duke thënë se, për dallim prej kompanive tjera publike, ne nuk kemi asnjë mekanizëm tjetër që mund t`i detyrojmë qytetarët të kryejnë obligimet e tyre.

“Prej korrikut të vitit 2011 e deri tani, si rezultat i kushtëzimit, inkasimi në “Higjienë” është rritur për 266 mijë euro. Jemi kompani komunale dhe kemi planin e tyre për investime që shkojnë deri në 1.5 milionë euro. Deri tani kemi bërë mbi 300 mijë euro investime, kurse këto ditë kemi marrë edhe dy kamionë të ri për bartjen e mbeturinave, që janë prodhim gjerman”, ka thënë Isufi.

Puna e kësaj kompanie është vlerësuar nga kryesuesi Izmi Zeka, i cili ka thënë se “Ecohigjiena” ka bërë një punë të mirë në mirëmbajtjen e higjienës publike.

KK miratoi edhe rekomandimin e KPF për zgjidhjen urbanistike për një pjesë të PDU ‘Qarku”, të cilën e ka paraqitur Bahrije Mahmuti, drejtoreshë për Urbanizëm si dhe propozimin për bartjen e mjeteve vetanake të pa shfrytëzuara nga viti i kaluar, në vitin 2013, të cilin e ka arsyetuar Nuhi Nuhiu, drejtor për Buxhet dhe Financa.

Nga ky muaj ka filluar edhe transmetimi i seancave të KK, drejtpërdrejt në një radio lokale (Radio-Energji) si dhe në formë incizimi në një televizion lokal (TV Vali) që ishte kërkesë e vazhdueshme e opozitës.

Për të nderuar epopenë e lavdishme të Jasharajve dhe për shkak të aktiviteteve që po mbahen në Kosovë, në nderim të këtij përvjetori, Kuvendi Komunal ka vendosur që gjysmat e pikave të rendit të ditës, t`i shtyjë për një seancë tjetër./rajonipress/