Kuvendi Komunal miraton nismën për ndryshimin e statutit të Komunës

/ 4 minuta lexim
KKVITI

Gjilan – Kuvendi Komunal i Gjilanit, në seancën e tretë të radhës në përbërje të re, të cilën e ka drejtuar kryesuesja Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka miratuar nismën për ndryshimin dhe plotësimin e statutit të Komunës, që është bërë nga kryetari i Komunës, Lutfi Haziri.

Lutfi Haziri, kryetar i Komunës, ka thënë se ndryshimet dhe plotësimet në statut do të bëhen në dispozitat të cilat kanë të bëjnë me numrin e anëtarëve të Kuvendit Komunal, me numrin e Komiteteve, të drejtorive komunale si dhe në çështje tjera në rast se është e nevojshme, por duke respektuar Ligjin mbi qeverisjen lokale.

Ai ka dhënë edhe sqarime tjera, me kërkesën e opozitës, Sahit Abazi (PDK) e Nevzad Isufi (VV), të cilat kanë insistuar për më shumë sqarime mbi nevojën e ndryshimit të statutit, përveç numrit të anëtarëve të Kuvendit, Komiteteve dhe Drejtorive.

Deri tani kemi identifikuar 27 probleme të qeverisjes së kaluar dhe edhe për këto arsye, disa gjera duhet të sqarohen e definohen në statutin e Komunës, ka thënë Haziri. Ai ka përmendur edhe borxhet e krijuara si dhe mbipunësimin përmes kontratave në vepër, subvencionet nga ish-kryetari i Komunës, të cilat nuk janë mbyllur sipas ligjit dhe çështje të tjera. “Askush nuk ka të drejtë të mbajë dikë në punë 4 vjet me kontratë në vepër”, ka thënë Haziri, duke nënvizuar se këto dhe defekte të tjera duhet të mënjanohen nga statuti i Komunës.

Izmi Zeka (PDK) ish-kryesues i KK, ka kërkuar që të respektohet procedura për ndryshimin e statutit, duke filluar së pari nga Komiteti për Politikë dhe Financa, kurse Haziri e ka garantuar se do të respektohet tërë procedura, duke nënvizuar se sot po miratohet vetëm nisma për ndryshimin dhe plotësimin e statutit.

Kurse Riad Rashiti (PDK) e Bujar Nevzadi (PDK) kërkoi që anëtarët e Kuvendit të njihen me listën e 27 problemeve të qeverisjes së kaluar, të cilat përmenden këtu.

Haziri e ka siguruar Kuvendin Komunal se të gjitha borxhet do të zbardhen dhe me to do të njihen jo vetëm vendimmarrësit, por edhe qytetarët.

Vendimmarrësit janë njohur edhe me informatën financiare për periudhat korrik-shtator dhe tetor-dhjetor 2013, të cilën e ka prezantuar Ilmi Limani, ushtrues i detyrës së drejtorit për Buxhet dhe Financa. Në periudhën korrik-shtator, të hyrat komunale janë realizuar 98.38 për qind, përkatësisht janë arkëtuar 885.392 euro, nga 900 mijë sa ishin planifikuar gjithsej për këtë periudhë.

RCCOLA

Ndërkaq, në periudhën tjetër tre-mujore tetor-dhjetor, të hyrat komunale kanë pasur një trend të rënies. Plani prej 900 mijë euro, është realizuar 79.79 për qind, ose janë grumbulluar 718088 euro, ka thënë ai.

Në pikën nën të ndryshme, këshilltarët komunalë kanë ngritur disa shqetësime të qytetarëve. Isa Agushi (LDK) kërkoi ndërhyrjen e Komunës për të penguar privatizimin e një hapësire në Zhegër, nga AKP-ja, sepse paraqet interes publik për këtë lokalitet, që në të ardhmen do të jetë Komunë në vete.

Kurse Riad Rashiti (PDK) kërkoi sqarime për pozitat e dyfishta të ndonjërit prej këshilltarëve komunalë.

Lutfi Haziri, kryetar i Komunës, ka thënë se Komuna do të shikojë mundësinë e shpalljes interes publik të hapësirës në Zhegër, të cilën pretendon ta privatizojë AKP-ja, ndërkaq sa i përket pozitave të dyfishta, ai ka thënë se për këtë është kërkuar sqarim nga Zyra Ligjore e MAPL.

Me kërkesën e opozitës, Nazmi Musa, drejtor i Arsimit ka dhënë sqarime rreth rastit në gjimnazin “Zenel Hajdini”, që ka të bëjë me ndarjen e orëve, duke thënë se ka qenë vetëm një mosmarrëveshje dhe nuk bëhet fjalë për ndonjë incident.

Përndryshe, Avdyl Aliu,shef i grupit të këshilltarëve të LDK-së, ka thënë se këtij grupimi i është bashkuar edhe anëtari i Lëvizjes Republikane, Selver Xhelili, sikurse edhe ish-këshilltarja e AKR-së, Mizafere Ismajli, e cila ka kaluar në LDK.

Ai tha se pret që grupi i këshilltarëve të LDK-së, që tani ka 13 anëtarë, të rritet edhe më tutje./rajonipress/