Kuvendi i Vitisë mban seancën e tretë të rregullt, miratohen pasqyrat financiare dhe vendime me rëndësi për vitin 2026
Viti – Në Viti është mbajtur sot seanca e tretë e rregullt e Kuvendit Komunal, ku këshilltarët komunalë shqyrtuan dhe miratuan me shumicë votash pikat e parapara në rendin e ditës.
Seancën e hapi kryesuesi i Kuvendit, Bekim Azizi, i cili fillimisht njoftoi të pranishmit lidhur me vlerësimin e ligjshmërisë së akteve të nxjerra nga mbledhja e fundit e këtij organi. Më pas u miratua procesverbali i mbledhjes së dytë të Kuvendit Komunal.
Diskutimi më i gjatë në këtë seancë u zhvillua rreth Pasqyrave Financiare të buxhetit komunal për periudhën janar–dhjetor 2025.
Gjatë debatit, këshilltarët parashtruan pyetje dhe kërkuan sqarime lidhur me realizimin e të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore.
Drejtoresha për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim, Melihate Ajeti, bëri të ditur se gjatë vitit 2025 janë inkasuar të hyra vetanake në vlerë prej 1.567.205,84 euro, duke arritur një shkallë inkasimi prej 123,39% krahasuar me planifikimin vjetor. Sipas saj, krahasuar me vitin 2024, të hyrat janë më të larta për 333.847,79 euro.
Sa i përket shpenzimeve, buxheti i alokuar për periudhën janar–dhjetor 2025 nga grantet qeveritare, të hyrat vetanake dhe donacionet ka qenë 19.090.931,87 euro, ndërsa shpenzimet e realizuara kanë arritur në 18.883.720,54 euro, me një shkallë ekzekutimi prej 98,91%.
Në këtë mbledhje u miratuan gjithashtu edhe disa vendime të tjera me rëndësi, përfshirë caktimin e orarit të mbajtjes së takimeve të Kuvendit për vitin 2026, formimin e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), përfaqësimin e komunës në Asociacionin e Komunave të Kosovës, si dhe vendime që lidhen me bujqësinë dhe zhvillimin rural.
Po ashtu, u votua edhe propozimi për ndërrimin e destinimit të një parcele në pronësi juridike të “D.S Osnova Shkolla”, ku një pjesë prej 4,000 m² do të destinohet për ndërtimin e një çerdheje, duke krijuar hapësira të reja për kujdesin dhe edukimin e fëmijëve.
Seanca u përmbyll me miratimin e të gjitha pikave të rendit të ditës, duke reflektuar angazhimin e institucioneve komunale për menaxhim financiar efikas dhe zhvillim të qëndrueshëm lokal./rajonipress/


