UBT

Kuvendi i Gjilanit miratoi projekt-buxhetin për vitin 2013

/ 5 minuta lexim

Gjilan- Kuvendi Komunal i Gjilanit, të premten, në seancën e parë të pjesës së dytë të këtij viti, që e ka kryesuar Izmi Zeka, ka miratuar projekt buxhetin 20013, në shumë prej 18.418.682 euro.

Nga granti qeveritar do të sigurohen 14.818.682 €, kurse nga të hyrat vetjake – 3,600.000 €. Buxheti për administratën komunale, pa Arsimin dhe Shëndetësisë, kap shumën prej 6.174.364 €. Buxheti i Arsimit është planifikuar të jetë në shumën prej 10.097.072 €. Buxheti i Shëndetësisë është 2.147.246 €.

Në buxhetin e vitit 2013 parashihet edhe një e hyrë tjetër, që vjen nga shitja e banesave të ndërtuara në partneritet publiko-privat, prej 1.000.000 €, mjete këto që do të shpenzohen në projektet kapitale, siç janë shpronësimi i tokave për interes publik si dhe për participim në projekte te bashkë financuara nga donatorët, qeveria dhe komuniteti.

Për investime kapitale janë planifikuar mbi 3 milionë euro, mbi 562 mije euro – për subvencione dhe transfere. Pjesa më e madhe e buxhetit, mbi 10 milionë, do të shkojnë për arsimin. Për bujqësi janë planifikuar rreth 300 mijë euro dhe më shumë se gjysma e tyre, janë të destinuara për subvencione.

Ndryshe, të hyrat komunale në periudhën 2013-2015 do të shënojnë një ngritje të lehtë që shkon deri në 60 mijë euro për dy vitet vijuese, 2014 dhe 2015. Totali i buxhetit në tri vitet e ardhshme nuk e tejkalojnë shumën 19 milionë euro.

Zijadin Maliqi tha se grupi i këshilltarëve të LDK-së, propozon korrigjime në projekt-buxhetin 2013, që do të ishin në favor të investimeve kapitale, ku ka rënie, kurse te mallrat e shërbimet, ka rritje. Nuk janë paraparë investime për rrugë, ujësjellës e kanalizime, tha Maliqi, derisa Ramiz Ramadani pati vërejtje te investimet në bujqësi.

Sokol Haziri (AAK) tha se buxheti i vitit të ardhshëm duhet të fokuset te dy projekte që janë shumë të rëndësishme për qytetin e Gjilanit, lumenjtë Mirusha dhe Stanishor.

Qemajl Mustafa, kryetar i Komunës tha se është e vërtetë që buxheti po vendnumëron, ndërsa nevojat për investime po rriten shumë shpejt, por siguroi se investime do të ketë, përmes bashkëpunimit me donatorë dhe mjeteve shtesë nga qeveria, edhe pse në projekt buxhet nuk figurojnë.

Uji Dea

Mustafa tha se vetëm nga partneriteti publiko-privat janë planifikuar të hyra në shumë prej një milion euro, të cilat do të shfrytëzohen për investime kapitale dhe shpronësime për interesa publike. Në bashkëpunim me Karitasin e Luksemburgut, në Kishnapole do të ndërtohet shkolla e re.

Sa i përket lumit Mirusha, kryetari i Komunës tha se projekti është duke vazhduar në fazën e dytë dhe shumë shpejt do të arrijë te hoteli Kristal, ndërkaq për lumin tjetër Stanishor, tha se është gjetur një projekt i mëhershëm dhe ai po analizohet nga ekspertët nëse është i zbatueshëm në rrethanat konkrete, në mënyrë që të mos shpenzohen mjete për projekt të ri. Edhe për ujërat e zeza, ai tha se është duke u bërë një studim për zgjidhjen e këtij problemi.

Edhe Nuhi Nuhiu, drejtor për Buxhet dhe Financa, tha se nuk jemi të kënaqur me këtë buxhet, që ai e quajti të mbijetesës, por rikujtoi se planifikimi është i centralizuar dhe komuna duhet të respektojë kufijtë. Sa u përket mallrave dhe shpenzimeve, ku opozita bërë vërejtje, Nuhiu tha se është e vërtetë se ka rritje, por shtoi se projekte e kryera duhet të mirëmbahen.

Kuvendi Komunal ka miratuar edhe Raportin financiar janar-qershor 2012, të cilin e ka prezantuar drejtori për Buxhet dhe Financa, Nuhi Nuhiu. Të hyrat komunale në këtë periudhë kohore janë realizuar në shkallën 88.27 për qind. Nga shuma e planifikuar prej 1.645.000 euro, janë arkëtuar 1.451.982 euro. Te shërbimet publike, plani i të hyrave është realizuar 198 për qind, te të hyrat nga qiraja – 136 për qind, të hyrat nga arsimi – 119 për qind dhe kështu me radhë.

Në këtë seancë, vendimmarrësit miratuan edhe Rregulloren mbi tatimin në pronën e paluajtshme për vitin tatimor 2013. Sadudin Berisha ka propozuar që vlera tatimore për metër katror të mbetet e njëjtë për të gjitha kategoritë. Ai ka thënë se nuk duhet të merret si kriter vlera e tregut, por vlera investuese, por drejtori Nuhi Nuhiu ka sqaruar se ligji për tatimin në pronë është miratuar tashmë dhe nuk lejon këso ndërhyrje.

Qemajl Mustafa, kryetar i Komunës, tha se ligji e përcakton si kriter vlerën e tregut, ndërkaq sa i përket tatimit në pronë, ai nënvizoi se në gjithë botën po pranohet ideja për lirimin e bizneseve nga tatimet dhe rritjen e tatimit në pronë, që konsiderohet taksa më e arsyeshme.

Edhe Plani i vlerësimit të rrezikut për komunën e Gjilanit, të cilin e ka prezantuar dhe arsyetuar Blerton Ajeti, drejtor për Mbrojtje dhe Shpëtim, mori votat e këshilltarëve komunalë.

Kuvendi ka diskutuar edhe për Raportin e Auditorit të Përgjithshëm për pasqyrat financiare të Komunës së Gjilanit për vitin 2011. /rajonipress/