Mobi Casa

Kuvendi, “bllok” OSHP-së

/ 4 minuta lexim

Nga 1 gushti i vitit të kaluar, Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) vazhdon të jetë në bllokadë totale, pasi që kryetarit dhe një anëtari të bordit i kishte skaduar mandati. Mirëpo, gjendja u rëndua edhe më shumë kur para pak kohësh ndërroi jetë edhe Osman Kryeziu, anëtari i vetëm me mandat në këtë bord, e ku si pasojë e mungesës së këtij të fundit nga gushti i vitit të kaluar OSHP-ja thuajse nuk ka marrë vendim për asnjë ankesë të operatorëve privatë që kanë adresuar në këtë të fundit për shkak të parregullsive gjatë proceseve të ndryshme të prokurimit.

Sipas të dhënave që i ka siguruar gazeta nga OSHP-ja shihet se gjatë vitit që lamë pas në këtë institucion operatorët ekonomikë kanë adresuar hiç më pak se 469 ankesa, por vetëm nga 1 gushtit i vitit që lamë pas janë të evidentuara hiç më pak se 213 ankesa.

Po ashtu, me ritëm më të vogël avazi i ankesave të operatorëve ekonomikë ka vazhduar edhe sivjet, ku deri më tash sipas zyrtarëve të OSHP-së janë të evidentuara.

Burime të besueshme të gazetës brenda këtij institucioni bëjnë me dije se pjesa dërmuese e ankesave që kanë ardhur këtu, janë shqyrtuar nga ekspertët e prokurimit, por, sipas tyre, duhet një vendim i bordit që vendimet të jenë të plotfuqishme.

Kuvendi s’i përgjigjet OSHP-së

Më 22 janar të këtij viti për herë të fundit zyrtarë të OSHP-së e kanë njoftuar kreun e Kuvendit të Kosovës për problemet me të cilat po ballafaqohet ky institucion. Mirëpo, si në herën e fundit, ashtu edhe në herët tjera as kryeparlamentari, por askush tjetër nga Kuvendi nuk është marrë fare me kërkesat e vazhdueshme të OSHP-së për kompletim të bordit. Në letrën e fundit të cilin e ka siguruar gazeta thuhet se më 1 gusht të vitit që lamë pas kryetarit dhe një anëtari të bordit i ka skaduar mandati.

Uji Dea

“Që nga 1 gushti e deri më 31 dhjetor në OSHP janë pranuar 204 ankesa të parashtruara nga operatorët ekonomikë ankues kundër njoftimeve për dhënie të kontratës të publikuara në ueb-faqen e KRPP-së nga ana e autoriteteve kontraktuese.

Konform nenit 111 të LPP-së, OSHP-ja ka pranuar ankesat e parashtruara nga palët e interesuara respektivisht nga operatorët ekonomikë ankues si dhe në bazë të Nenit 18, paragrafi 11, të rregullores së punës së OSHP-së, secila lëndë është caktuar te eksperti shqyrtues për shqyrtim”, thuhet në letër. Po ashtu, më tej thuhet se konform nenit 114 të LPP-së eksperti shqyrtues përgatit raportin e ekspertizës. Më pas me raportin e ekspertëve shqyrtues njoftohet paneli shqyrtues, autoriteti kontraktues dhe parashtruesit e ankesës mbi aktivitetin e prokurimit dhe vlefshmërinë e të gjitha pretendimeve ankimore të përfshirë në ankesë.

“Ju njoftojmë se procesi i shqyrtimit të mëtejshëm të ankesave nga ana e OSHP-së, pas pranimit të parashtresave të autoritetit kontraktues dhe operatorit ekonomik ankues lidhur me mendimin e ekspertit shqyrtues të dhënë në raportin e ekspertizës për shkak të mungesës së panelit shqyrtues lëndët kanë mbetur të pezulluara. Kështu që autoriteti kontraktues, e po ashtu edhe operatorët ekonomikë janë në një situatë të pavolitshme për shkak të mungesës së vendimmarrjes nga ana e panelit shqyrtues”, thuhet në letrën që iu është dërguar para pak ditësh kryeparlamentarit Krasniqi.

Bllokohen shumë projekte

Në fund të letrës së fundit që OSHP i ka dërguar kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, thuhet se mosmarrja e vendimeve nga ana e OSHP-së, i ka bllokuar disa projekte të autoriteteve kontraktuese, ku padrejtësisht u janë bllokuar mjetet financiare disa operatorëve ekonomikë ankues të cilët depozitojnë vlerën prej 500 euro për një ankesë të parashtruar në xhirollogarinë e OSHP-së.

Për problemin në fjalë Organi Shqyrtues i Prokurimit i ka shkruar edhe Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), ku nga këta të fundit ka kërkuar këshilla për ta kapërcyer situatën. Mirëpo, edhe ky njësoj sikurse Krasniqi nuk është përgjigjur fare./zeri/