Kush ishin kasapët e parë në Gjilan

Gjilan – Kasap ose mishshitës është zeje ushqimore shumë e vjetër. Kasapë më të vjetër të kohës osmane në Gjilan, për të cilët dihet ishin Janja dhe Tanja nga Maqedonia, grekë ose cincar, që kishin thertoren dhe shitoren e tyre të mishit skaj lumit Mirushë.
Kjo zeje në Gjilan ishte mjaft e përfaqësuar edhe në gjysmën e parë të shekullit XX. Autori Saviq flet për 13 punëtori të mishshitësve në Gjilan, 9 prej të cilave i mbanin shqiptarët dhe 4 serbët dhe shton se kafshët i therrnin në thertore, kurse mishin e shitnin në shitoret e tyre.
Po ky autor thotë se tregtarët vinin nga Shkupi dhe Tetova për të blerë kafshë në Gjilan.
Në Odën Zejtare, të periudhës mes dy luftërave botërore, i gjejmë të shënuar kasapët, Ramiz Ramadani dhe Rexhep Fetahu, me leje pune nga viti 1940 dhe një serb me leje pune nga viti 1924 thuhet në librin e historianit të njohur Aliriza Selmani:”Gjilani qendër e Anamoravës nga themelimi deri në gjysmën e parë të shekullit XX”./rajonipress/