Hidromorava

Kurvat krihen e Stambolli digjet!

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Beqë Cufaj- Fjala, ose thënë edhe më mirë, shprehja më e butë që do të mund të përdorej do të duhej të ishte: bizare. Një debat më inatçor dhe irracional, primitiv dhe të shpifur rreth prapaskenave të zgjedhjes së, njëherë presidentit e më vonë edhe presidentes së Kosovës, kaherë s’e kemi përjetuar.

Nuk e besoj të ketë vend në botë dhe sidomos në hemisferën e demokracive normale e të shëndosha perëndimore, ku të palarat e politikanëve, diplomatëve, publicistëve dalin në shesh në një formë kaq të vrazhdët dhe të qortueshme siç këso radhe ndodhi me tërë sulmet e kundërsulmet, goditjet e kundërgoditjet që në media të ndryshme, nga të hidhëruarit, ftuarit e edhe paftuarit në këtë katrahurë kishin ngjarë.

Prandaj, pyetja që me këtë rast, në prag të përfundimit të këtij nonsensi mediatik pyetja që shtrohet është: cilat do të duhej të jenë leksionet që ne, vdekatarët e zakonshëm dhe vëzhguesit e këtyre maskarallëqeve do të duhej t’i nxjerrim nga dalja në shesh e rrëfimeve të prapaskenave politike në Kosovën e sotme? Them që janë shumë por kryesori do të duhej të ishte që s’duhet vërtet t’i besohet askujt, ama askujt, në sinqeritetin e (e tyre të) angazhimit për të mirën e këtij vendi, qytetarëve të tij dhe brezave që do vijnë.

Ana tjetër e këtij rrëfimi të shkapërderdhur gjithandej- nga shtylla gazetash e ekrane eteri deri te mejhanet e kryeqytetit na tregon që jo çdo gjë që na e thonë dhe propagojnë ka për qëllimin iluminimin dhe transparencën, demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Përkundrazi.

Natyrisht që nuk është që këso prapaskenash nuk ndodhin edhe në shtete dhe vende me demokraci shumë më të konsoliduara sesa kjo e jona. Por, problemi që ne e kemi është shumë më i thjeshtë dhe për këtë edhe më i madh ngase si mund të plasin këso sherresh për atë se “kush kujt ia bëri atë e këtë” para se të zgjidhej një president(e)… gati një vit e gjysmë më pas dhe në prag të furtunave të reja…?

“Kurvat krihen e Stambolli digjet”, është ajo thënia e moçme e cila nuk ka si të mos na shërbejë edhe për një asociacion (e shumë më tepër) për situatën në të cilën Kosova ndodhet. Konteksti i diskutimit dhe grindjes në fjalë është jo vetëm i huquri dhe tejskajshmi por ai del të jetë edhe një argument më shumë që ky vend ka kohë që është i zhytur në luksin e (ish)lakmive për poste dhe me kaq mbyllet çdo gjë.

Hidromorava

Për këtë shkak, seria e pyetjeve që me këtë rast, pas ose në prag të përmbylljes së kësaj zhurme të grindavecëve (të ftuar e paftuar!) do të duhej të ishte: a ka kush ndonjë ide si të hapen vende të reja pune? Po varfëria dhe papunësia si dhe përmes cilave politika mund të zbuten? A është duke e goditur kriza e euros vendin më të varfër të Europës-Kosovën? Korrupsioni, ky kancer i kësaj shoqërie, a është e mundshme të luftohet më shumë dhe nëse po, si, me çfarë mjetesh e planesh, strategjish e veprimesh?

A mundet dikush të na tregojë si të shtohet numri i njohjeve të shtetit të ri? Si qëndrojnë punët me reformat e premtuara zgjedhore e kushtetuese në mënyrë që t’i ikim vulosjes së turpshme që vota vetëm vidhet dhe për këtë nuk mund të pritet edhe transparencë e demokraci e qëndrueshme?

A ka dikush ndonjë ide sesi shteti ynë mund dhe duhet të përballet me prijësit e rinj të shtetit serb, të cilët qysh në fillim të punës së tyre jo vetëm që po (për)betohen për Kosovën serbe por edhe s’e kanë ndërmend ta ndërrojnë fare as qimen e as lëkurën kur Kosova është në pyetje?! Po puna e dialogut që pritet të fillojë për veriun pas tërheqjes së “Ahtisaarit” nga kokat e politikanëve të Beogradit?…

Krejt këto dhe këso dilemash jo vetëm që duhet të jenë prioritete për çdo politikan, publicist dhe nëse doni edhe diplomat të angazhuar në Kosovë, por fakti që fati i qytetarëve të këtij vendi është i lidhur drejtpërdrejt me secilën prej krejt problemeve e në fjalë, e bën kaq të padurueshëm atë “suadë magjistarësh” që na lodhi qe gati një muaj me radhë.

Që të jetë edhe më keq, vetë fakti që ende s’po del askush, nga pozita e opozita, të japë zgjidhje e alternativa për gjendjen e rëndë në të cilën vendi ndodhet, frikshëm na bind që odiseada e letrave dhe kundërletrave me analizat përcjellëse, do na të gjejnë sërish këmbëkryq, në prag dhe pas zgjedhjeve të reja. Prandaj, rrëfimi për kurvat që krihen derisa Stambolli digjet… s’ka si të mos vazhdojë.(zeri)