Fundamenti

Kurti: Sa më shumë flet Thaçi, aq më pak i besoj

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë raportimit të tij sot në Kuvendin e Kosovës lidhur me takimin e fundit në Bruksel me homologun e tij serb, Ivica Dacic, ka thënë se delegacioni kosovar ndihet shumë komod sa i përket propozimeve që janë në tavolinën e bisedimeve, sepse, siç ka theksuar ai, çdo gjë është në përputhje me kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

Por, mendime të ndryshme kanë shprehur liderë partish opozitare, të cilat mendojnë se ka rrezik që Kosova të rrëshqasë jashtë kushtetutës. Ndërkaq, disa nga analistë të çështjeve politike mendojnë se nuk ka arsye që të ushtrohet presion ndaj Kosovës për të arritur deri të kompromisi në bisedime, pasi që ndërkombëtarët konsiderojnë se kompromisi i Kosovës ka qenë plani i Ahtisaarit.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk e përjashton mundësinë që pala kosovare të lëshojë pe në këtë drejtim, duke thënë se fare nuk i beson kryeministrit Thaçi.

“Unë nuk i besoj këtij kryeministri dhe sa më shumë që ai flet, aq më pak unë i besoj. Më shumë i besoj kur nuk flet, sesa kur flet. Prandaj, nuk mund të llogaris në ndërgjegjen dhe përgjegjshmërinë e tij. Ka mundësi që nuk do të ndodh marrëveshja, ka mundësi që të ndodh marrëveshja dhe besoni se mendoj se kjo më shumë varet prej Bashkimit Evropian dhe Serbisë sesa prej këtij kryeministri, i cili, së pari e futi Kosovën në pazar, dhe e dyta e zbriti pazarin përtokë”, ka thënë Kurti, transmeton Kosovapress.

Në këtë drejtim, Kurti ka thënë se gjendja politike në Kosovë kurrë nuk ka qenë më e rëndë prej se Kosova është shpallur e pavarur, e po ashtu edhe gjendja socio-ekonomike. Kjo, sipas tij, vjen prej qeverisjes së keqe, prej këtij regjimi, i cili i ka shkelur edhe të drejtat, edhe nevojat, edhe vullnetin e qytetarëve dhe respekton dëshirat e pushtetarëve.

Megjithatë, Kurti mendon se kryeministri Thaçi ka interes për ta zgjatur procesin, sepse ky proces po përkthehet në imunitet të tij karshi misionit të BE-së këtu – EULEX-it.

Hidromorava

“Pra, kryeministri Thaçi, duke e zgjatur procesin e dialogut po përfiton tolerancën e baroneshën Ashton, e cila dihet që praktikisht dhe politikisht është shefe e EULEX-it, që ka dosje për të gjithë këta qeveritarë, në krye me Thaçin”, thekson Kurti.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se partia e tij ka vendosur të jetë pjesë e dialogut në tavolinë dhe të njoftohet për së afërmi me rrjedhën e procesit. Ai ka thënë se pos krijimit të fondit, të cilën e ka cilësuar si një çështje të re për Kosovën, ecuria e procesit deri më tash ka shkruar në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

Por, analistët politikë e shohin më ndryshe takimin e 2 prillit në Bruksel. Analisti politik, Ardian Arifaj, i ka thënë Kosovapressit se bashkësia ndërkombëtare nuk ka arsye të bëjë presion ndaj palës kosovare, pasi që, sipas tij, vetë ndërkombëtarët konsiderojnë se kompromisi i Kosovës ka qenë plani i Ahtisaarit.

“Sipas shenjave që i kemi deri tani, edhe interesi i Kosovës, por edhe interesi i BE-së dhe i SHBA-ve është që të mos tejkalohet plani i Ahtisaarit, të mos shkelen vijat e kuqe që i ka përcaktuar Kosova, sepse ato janë kufiri që e definojnë Kosovën si shtet funksional ose si shtet jofunksional”, ka thënë ai.

Arifaj ka shtuar se edhe bashkësia ndërkombëtare është duke e kuptuar se nëse tejkalohet plani i Ahtisaarit, hyhet në një rreth tjetër vicioz, të cilit nuk i dihet fund, e i cili do ta destabilizojë Kosovën, rajonin dhe më gjerë.

Kosovapress ka provuar të kontaktojë edhe zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), por një gjë e tillë ka qenë e pamundur. /Telegrafi/