Hidromorava

Kurti : Gënjeshtra e sotme e vërteta e nesërme

/ 13 minuta lexim
ARKATANA

Në intervistën për gazetën Illyria Albin Kurti ka folur për bisedimet mes Kosovës e Prishtinës,Luginën e Preshevës, qeverisjen aktuale,rolin e deputetëve etj.

1-Po flitet si fakt i kryer fillimi i bisedimeve për veriun e Kosovës mes Prishtinës dhe Beogradit. Si e lexoni këtë? Çfarë do të sjellë?

Kurti: Kjo qeveri e korruptuar dhe e shantazhuar e ka të lidhur qenien dhe ekzistencën e saj me bisedimet me Serbinë. Ajo nuk është në gjendje t’u qëndroj konsistence as gënjeshtrave që i nxjerr vetë. Kur përmes diplomacisë fluturuese përgatitej terreni për të ashtuquajturat “bisedime për çështjet teknike”, qeveria thoshte se nuk do të ketë kurrfarë bisedime me Serbinë. Kur nisi dialogu thanë se ai do të jetë vetëm teknik dhe kurrsesi ndryshe. Tash pas gjithë këtyre kompromiseve që Kosovës i kushtuan me heqjen e shumë atributeve të shtetësisë, ndërkaq Serbisë i mundësuan kandidaturën për anëtarësim në BE, po fillon dialogu politik. Tek deklaratat mohuese aktuale të Hashim Thaçit e gjen pohimin e ardhshëm të tij. Gënjeshtra e sotme është e vërteta e nesërme. Ky është progresioni fundosës i pushtetit të Hashim Thaçit.
Gënjeshtra është e vërteta e kësaj qeverie.

2-A mund të përfshihet në bisedime Lugina e Preshevës, meqenëse në 1992 në referendumin e saj popullata ka votuar për ribashkimin me Kosovën, siç ka qenë deri rreth vitit 1955?

Kurti:Këto bisedime midis Kosovës dhe Serbisë e kanë objekt Kosovën si çështje kontestuese, për zgjidhjen e të cilës faktor po bëhet Serbia. Në fakt, Serbia është vetë problemi i Kosovës. Duke e përfshirë Serbinë në çështjen e Kosovës, Kosovës po i shtohen problemet. Eliminimi i Serbisë është zgjidhja, për Kosovën dhe për Serbinë.
Lugina e Preshevës nuk do të përfshihet në bisedime, kjo tashmë është e qartë. Serbia me qëllim mban nën kontroll të hekurt edhe Luginën e Preshevës edhe veriun e Kosovës. Kësisoj ajo po fiton koncesione kundër politikanëve shqiptarë që jo vetëm nuk kontrollojnë asgjë, por për më tepër, vetë ata janë të kontrolluar nga faktorët ndërkombëtarë.

Nëse si pikënisje kemi vullnetin tonë dhe parimet universale të së drejtës dhe drejtësisë, atëherë duhet mohuar realitetin e krijuar dhunshëm nga të tjerët, kundër vullnetit tonë. Shteti i Shqipërisë dhe i Kosovës duhet të bëhen bashkë dhe t’i ndihmojnë dhe përkrahin fuqishëm shqiptarët në Luginë të Preshevës në çdo aspekt. Nuk përmirësohet aspak gjendja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës përmes bisedimeve me Serbinë. Kemi nevojë për monolog kombëtar, jo për dialog me armiqtë.

3-Cila është gjendja tërësore në Kosovë, përfshi qeverisjen, ekonominë, bashkëpunimin rajonal?

Kurti: Me gjithë krizën ekonomike që e ka përfshirë kontinentin, Kosova mbetet vendi më i varfër në Evropë. Rreth gjysma e popullsisë janë të papunë, afër 18% jetojnë në varfëri ekstreme,bilanci tregtar po vazhdon me trendin negativ, pra kemi rritje të importeve përkundër eksporteve, krejt kjo si rezultat i politikave të papërgjegjshme dhe improvizuese të Qeverisë së Kosovës. Kjo Qeveri nuk ka kurrfarë vizioni për zhvillimin e vendit. Kosova vazhdon të shërbejë si treg ku gjejnë plasman produktet e huaja (sidomos nga Serbia dhe Maqedonia) dhe paratë tona dalin nga vendi, në vend se të jetë prodhuese, që nxjerr produkte jashtë e sjell para brenda, duke u bërë kështu edhe gjeneruese e vendeve të reja të punës. Logjika e kësaj Qeverie është: “t’i privatizojmë kompanitë publike që janë fitimprurëse për të ndërtuar asfalt”. Kjo i bie, t’i shesim fabrikat tona që janë mundësi për prodhim e zhvillim, për të siguruar infrastrukturën për produktet e fabrikave të huaja që ne i blejmë si mallra konsumi me paratë që na i dërgon mërgata jonë.

Problem i madh në Kosovë vazhdon të mbetet sektori i drejtësisë. Gjyqet tek ne janë në një lloj trysnie të dyfishtë. Nga njëra anë i kemi zyrtarët e EULEX-it, arbitrar dhe me imunitet nga ligjet që i zbatojnë ndaj nesh, e nga ana tjetër trysninë e politikanëve të përfshirë në krim të organizuar e korrupsion në majat e pushtetit.
Për këto dhe shumë probleme të ngjashme, ne në Lëvizjen VETËVENDOSJE! tashmë jemi duke e finalizuar programin tonë qeverisës. Aty do të kemi prioritetet tona dhe afatet kohore për zgjidhjet konkrete në secilën fushë.

3-Si e shihni debatin serioz për kushtetutshmërinë në Kosovë? Rasti i presidentit Behgjet Pacolli, tash i Atifete Jahjagës, për imunitetin e deputetëve kanë qenë qartazi thelbësorë nëpërmjet vendimeve të Gjykatë Kushtetuese.

Kurti:Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk është akti më i lartë juridik e politik i vendit. E tillë është Plani i Ahtisaarit. Ka qenë kohë e negociatave të Vjenës, nënshtrimi i palës kosovare që ishte e qeverisur dhe njëkohësisht e ndërmjetësuar nga faktori ndërkombëtar, dhe në anën tjetër kërkesat maksimaliste të Serbisë. Ishte kjo marrëdhënie, ky raport forcash që ka kushtëzuar Planin e Ahtisaarit, me vonë Kushtetutë e Kosovës.

Ndërkohë, dinamika e zhvillimeve politike ka vazhduar në të njëjtin drejtim, shpesh duke e rritur intensitetin. Pushteti, institucionet e krijuara nga Plani i Ahtisaarit, duke funksionuar nën logjikën e Planit të Ahtisaarit e kanë tejkaluar Planin e Ahtisaarit. Plani i Ahtisaarit si marrëdhënie e ka përgënjeshtruar Planin e Ahtisaarit si formë. Kështu ka ndodhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Hoçen e Madhe dhe për Prizrenin. Në interpretimet e saj mbi kushtetutshmërinë ajo e ka tejkaluar edhe vetë tekstin e Planit të Ahtisaarit.

Në përgjithësi, Gjykata Kushtetuese po i shërben politikës së pushtetit aktual, pushtet ky që nuk do të arrijë dot ta mbrojë as kornizën ligjore në bazë të të cilit është themeluar dhe funksionon. Emrat e përveçëm të presidentëve, edhe kur lansohen edhe kur shkarkohen, janë veçse pazare partiake.

4-Ju jeni kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme. A ka mospërputhje mes këtij pozicioni dhe ideve të “Vetëvendosjes” për bashkimin sa më parë Shqipëri-Kosovë? Kryeministrat Sali Berisha, Hashim Thaçi, kryetari socialist Edi Rama, shumë faktorë shqiptarë dhe ndërkombëtarë, janë kundër ose shprehen se bashkimi do të ndodhë në Europë.

Kurti:Së pari, unë jam deputet i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, dhe duke qenë deputet jam Kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës. Si deputet, unë jam zgjedhur nga qytetarët duke ofruar parimet dhe programin politik të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Para së gjithash, unë jam i obliguar ndaj qytetarëve që e kanë votuar këtë program, dhe ndaj këtij program në të cilin besoj.

ARKATANA

Sa për thëniet e politikanëve të ndryshëm që bashkimi i shqiptarëve ndodh në Bashkimin Evropian, kjo tingëllon më shumë si hedhje e topit tek e ardhmja në mënyrë që të justifikohet pasiviteti dhe politikat e tyre fragmentarizuese në të tashmen.

5-Ish-kryeministri Pandeli Majko i tha gazetës tonë disa ditë më parë që nga rishikimi i kufijve shqiptarët do të dilnin të humbur. Ja fjalia e tij: “Çdo tregti, apo pozicioni i çdo politikani në Kosovë, për të bërë tregti me territoret e Kosovës përballë serbëve, jo vetëm që do të krijonte precedentë të natyrave me efekte domino të paimagjinueshme për stabilitetin rajonal. Por, jam i bindur për një gjë dhe këtë po e them kështu siç e mendoj: Që, serbët do të fitonin nga i gjithë ky pazar! Dhe, po kaq jam i bindur që rolin e tregtarit të territoreve historikisht si shqiptarë e kemi humbur”. Komenti juaj?

Kurti: Jam shumë dakord që pozicionimi i kujtdo për tregti me territoret shqiptare është i dëmshëm dhe i papranueshëm. Pastaj, ne nuk themi se bashkimi i shqiptarëve do të vijë si rezultat i politikanëve që i dinë mirë marifetet e tregtarëve, por nga vullneti dhe aktivizimi i popullit shqiptar kundër pazarit me territore.
Mirëpo, një gjë është kundërshtimi i pazarit me territore, dhe krejt tjetër gjë është që në emër të këtij kundërshtimi të qëndrosh pasiv kur shtypen e diskriminohen shqiptarët gjithandej.

6-Ju keni qenë kundër zhvillimit të pavarësimit pa vetëvendosje, elementi bazë i shprehjes së vullnetit të një grupi apo një popullate. Tash që pavarësisë po i hiqet mbikëqyrja, shihni se ndoshta jeni gabuar?

Kurti:Pavarësisë po i hiqet mbikëqyrja jo si rezultat i rebelimit të subjektit të mbikëqyrur, por sepse tashmë ky i fundit e ka përbrendësuar dhunën dhe do të vetëmbikëqyret. Pavarësisë po i hiqet mbikëqyrja sepse është realizuar Plani i Ahtisaarit dhe nuk po i hiqet mbikëqyrja sepse populli e ka shfuqizuar këtë plan. Ndryshe nuk mund të shpjegohet fillimi i negociatave për veriun pikërisht pas heqjes së mbikëqyrjes së pavarësisë, kur Kosova logjikisht do të duhej të bëhej plotësisht sovrane.

7-Çfarë do të kërkoni nga Tirana për të njehsimin e politikave ekonomike, tregtare, diplomatike, ligjore, përfaqësimit të vetëm të shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës?

Kurti:Tirana dhe Prishtina e kanë për obligim një bashkëpunim të ngushtë midis tyre, por edhe koordinimin e politikave të përbashkëta me shqiptarët që jetojnë në shtetet e tjera të rajonit, në drejtim të faktorizimit të kombit shqiptar në Ballkan. Te ky bashkëpunim duhet theksuar bashkëpunimin e politikave ekonomike. Ne duhet pasur kujdes që mos t’i shohim ekonomitë tona si dy ekonomi konkurruese me njëra-tjetrën, logjikë kjo që në moment të caktuara ka rezultuar edhe me barriera doganore, por si ekonomi komplementare që shkojnë drejt unifikimit. E para vjen si rezultat i një politikës së parcializuar që ndjek politika shqiptare sot, e dyta duhet të vijë si rezultat e një projekti kombëtar unifikues. Kosova dhe Shqipëria mund të bashkëpunojnë duke plotësuar njëra-tjetrën shumë mirë në fushën e energjisë, prodhimit industrial e bujqësor, turizmit etj. Ta zëmë Kosova ka mundësi për termo-energji verës kur Shqipëria ka probleme, ndërkaq Shqipëria prodhon energji përmes ujit në dimër kur Kosovës i rritet kërkesa. E njëjta gjë vlen edhe për fushën e turizmit. Shqipëria ka plazhe dhe ofron mundësi për zhvillimin e turizmit veror, ndërkaq Kosova me malet e Rugovës e Brezovicën ofron mundësi të mira për turizmin dimëror.

8-A u duket se shpesh shqiptarët në shtetin maqedonas, në Çamëri, në Malin e Zi, apo kudo që numërohen sado pak, janë thuajse jashtë vëmendjes së Shqipërisë? Ju e pranoni Tiranën si qendër të tyre, por a e bën detyrën ajo, pavarësisht se cilët janë në qeverisje?

Kurti:Shqiptarët që si rezultat i ngjarjeve historike në të kaluarën kanë mbetur padrejtësisht dhe kundër vullnetit të tyre jashtë shtetit shqiptar duhet ta kenë mbështetjen dhe përkujdesjen konstante të Shqipërisë. Angazhimi aktual i Tiranës zyrtare në këtë drejtim lë shumë për të dëshiruar. Ajo duhet të jetë më këmbëngulëse dhe proaktive në mbështetjen e kërkesave të drejta për shqiptarët që po shtypen në dy drejtime: qoftë duke u burgosur e persekutuar, qoftë duke ua mohuar atyre të drejtat elementare siç janë: shkollimi në gjuhën e tyre, përdorimi i lirshëm i simboleve, ruajta dhe zhvillimi i kulturës, punësimi etj. Përveç tjerash, një gjë të tillë institucionet e shtetit shqiptar e kanë edhe obligim kushtetues. Mundësitë dhe kapacitetet e Shqipërisë janë më të mëdha sesa angazhimi i saj.

9-Analisti Janosh Bugajski ka thënë se rreziku i stabilizimit rajonal mund ta përfshijë Shqipërinë në varësi të sjelljes ndaj shqiptarëve etnikë në vendet fqinje. E shihni edhe ju këtë rrezik?

Kurti:Shqipëria nuk mund të qëndrojë indiferente në rast se shqiptarët bëhen objekt dhune e terrori.
Stabiliteti rajonal nuk është rrezikuar asnjëherë nga shqiptarët, përkundrazi, ky stabilitet është ruajtur në llogari të aneksimit të territoreve nga aspiratat hegjemoniste të shteteve fqinje.Stabilitet të qëndrueshëm e afatgjatë në Ballkan mund të kemi vetëm mbi bazën e barazisë, lirisë dhe respektit reciprok midis popujve.

10-Çfarë do të kërkoni dhe cilat janë përpjekjet tuaja për të pasur mbështetjen e SHBA-së, komunitetit shqiptaro-amerikan, Britanisë së Madhe apo Francës e Gjermanisë, që shqiptarët të gjejnë rrugën e krijimit të shtetit të tyre të vetëm?

Kurti:Ne konsiderojmë se zgjidhja e çështjes shqiptare në Ballkan në radhë të parë vjen nga angazhimi dhe bashkimi rreth çështjeve thelbësore i vetë shqiptarëve. Fuqia diplomatike e një shteti është ekuivalenti i potencialit të tij ekonomik, politik, shoqëror e ushtarak. Natyrisht se ne duhet të kujdesemi që të kultivojmë marrëdhënie të mira me shtetet që na kanë përkrahur historikisht, por nëse ndalemi dhe i shohim momentet e përkrahjes, e vërejmë se përkrahja ka ardhur vetëm pas angazhimit tonë. Kështu ishte edhe herën e fundit me UÇK-në. Serioziteti dhe sinqeriteti ynë, vendosmëria dhe vullneti ynë, jo vetëm që sjellin miq të vërtetë por edhe na tregojnë se kush në fakt janë miqtë e vërtetë.

11-Deputetë në Kosovë u kanë parë me dyshim për pretendime të tyre se ju keni kontakte me faktorë serbë. Na qartësoni diçka më shumë?

Kurti: Pyetjeve tona parimore për takimet e fshehta Thaçi-Tadiq që i zbuloi Wikileaks, Thaçi i panikosur iu përgjigj me shpifjet personale të një agjenti të SHIK-ut të kthyer në deputet të PDK-së. Ndaj këtyre shpifje të ulta kam qenë i rezervuar të komentoj. Këto shpifje u përgënjeshtruan nga vetë shpifësi ditën kur ishte paraparë “publikimi i fakteve”.