Kurteshi: Mos e rritni koeficientin e pagës për vota

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Në konferencën për shtyp, kandidati për kryetar të komunës së Gjilanit, Ismajl Kurteshi, ka kritikuar kryetarin e komunës Qemajl Mustafën për një sërë shkeljesh ligjore dhe morale, si kandidat në radhët e PDK-së.

“Kryetari Mustafa po e sheh humbjen e pushtetit dhe në momentet e fundit ka ashpërsuar rregullat e lojës dhe ka bërë një varg shkeljesh ligjore dhe morale. Kanë ardhur dy studentë në zyret tona dhe kanë rrëfyer se si Mustafa u ka thënë studentëve se në këmbim të votave, do t’i regjistronte në fakultet, në rast se do t’ia jepnin atij besimin për mandatin e tretë. Po ashtu, në një drejtori komunale, ka rritur koeficientin e pagës pa procedura duke shkelur të gjitha normat. Qemajlit nuk i kanë mjaftuar vetëm këto. Ai ka shpenzuar para të majme për postera e billborda, ku përveç gjatësisë dhe gjerësisë së tepruar dhe dimensioneve që kushtojnë ekstremisht shtrenjtë, i ka vënë një numër të konsiderueshëm të posterave edhe jashtë territorit të komunës së Gjilanit. Edhe kjo nuk i ka mjaftuar dhe ka thënë se çerdhet dhe shkollat e mesme e mbështesin atë si kryetar të komunës, ndërsa ne e dimë që në asnjërin nivel nuk duhet të abuzohet, por të abuzohet me çerdhet dhe fëmijët e vegjël, kjo është përtej të keqes dhe është edhe e dënueshme. Po ashtu, ai ka thirrur në koktell edhe shërbyesit civilë duke u thënë se nuk bën të ndikojë fushata tek ata e ato, ndërsa në fakt ky vetë ka bërë fushatë dhe ia ka marrë kohën e pauzës për t’i folur për arritjet e komunës në mandatin e tij dhe ka bërë fushatë përmes kinse porosisë për anti-fushatë” – ka thënë Kurteshi.

Eco Higjiena

Kandidati Kurteshi tha se neve të gjithë në komunë na njohin dhe nuk kemi nevojë për postera gjigantë e të shtrenjtë, kur kemi një komunë me 7 milion euro obligime, me dhjetëra-mijëra të papunë apo gjysma e popullsisë, me shumë projekte të papërfunduara. “Si mund të shpenzojmë ne që na njohin tërë qytetarët e Gjilanit dhe me aq shumë shpenzime?! Ne kemi nevojë për sa për të treguar se jemi kandidatë, por jo të shpenzojmë si kryetari Mustafa, i cili e ka uzurpuar tërë qendrën e qytetit me postera të dimensioneve tepër të mëdha e me kosto të lartë financiare” – ka shtuar fjalën Kurteshi

Në fund, ai ka treguar për frontin e përbashkët që ka krijuar me shumë aktivistë, qytetarë, intelektualë, artistë, sportistë dhe me kategori të ndryshme shoqërore, në mënyrë që këtij ndryshimi të madh të nëntorit, t’i prijnë shumë forca politike dhe shumë shtresa shoqërore. “Këtij karvani të ndryshimeve po i bashkëngjiten edhe gjenerata e veteranëve të arsimit e të politikës. Këtu pranë nesh, kemi Fehmiun, Saliun dhe Mehmetaliun, tre veprimtarë të dalluar, të cilët iu kanë bashkëngjitur Lëvizjes VV!, me qëllimin e vetëm që të bëhemi bashkë, ta ndalim të keqen dhe ta ndryshojmë Gjilanin për të ecur rrugës së ndershmërisë dhe të zhvillimit” – ka përfunduar fjalën Kurteshi./rajonipress/